Diego Armando Maradona është një nga ikonat e futbollit botëror. Për shumë njerëz, vecanërisht në Argjentinë dhe vendet latine në tërësi, ai është më i madhi i futbollit në të gjitha kohërat. Në fushë askush nuk mund të krahasohej me të, por në jetën e përditshme Maradona ka qenë shpesh problematik dhe vijon të jetë ende, sepse konsumon drogë. Edhe në Botërorin e Rusisë, skenat dhe gjestet e tij, shpesh si një të hutuari, tërhoqën vëmendje të madhe.
Maradona mund të quhet një komunist, nisur nga afërsia që ai ka pasur me diktatorët e disa vendeve latine, si Fidel Kastro i Kubës, Hugo Caves i Venezuelës etj. Madje Maradona ka qenë kritik edhe me Vatikanin, të cilin e akuzon për hipokrizi, sepse, sikurse shprehet vetë Maradona, papët, kardinalët e priftërinjtë flasin vazhdimisht për të varfrit, por vetë jetojnë mes luksit.
Gjatë një vizite që ai bëri në Vatikan shumë vite më parë, ai pati një debat të ndezur me Papën dhe shkak u bë një fjali e Papës për të varfrit dhe fëmijët që nuk kishin mundësi, e ndërsa i thonte këto fjalë vetë Papa, tavani i selisë së tij ishte i gjithi në ar.
“Po! U zura me Papen! U zura! Sepse isha në Vatikan dhe pashë tavanin prej ari. E më pas degjova Papën të thonte se shqetësohej për fëmijet e varfër… Atëherë shit tavanin, or mik, bëj dicka!”
Padyshim që ky qëndrim i momentit, pa u menduar gjatë, do të mbetej në memorien e shumë të varfërve në botë dhe do të shfrytëzohej nga ish-diktatorët amerikano-latinë dhe në të gjithë botën për të treguar se Vatikani dhe Papa ndryshe thonë e ndryshe veprojnë. /Pamfleti Sport