Një autobus nga Kosova u aksidentua në Kroaci, ku si pasojë mbetën të vdekur 10 persona dhe janë lënduar rreth 30 të tjerë.
Nga kompania turistike, “Deva Tours” nga Gjakova deklaruan për Express se autobusi i tyre i cili mëngjesin e sotëm u aksidentua tragjikisht në Slavonski Brod të Kroacisë kishte emigrantë nga Frankfurti që po vinin për në Prishtinë.
“Po, autobusi ka pasur brenda mërgimtarë që po vinin në Kosovë”, kanë pohuar nga kjo kompani. Ata u shprehën se nuk kanë informacione tjera lidhur me të vdekurit dhe rreth moshës së tyre. “Nuk kemi informacione tjera. Nuk kemi aktualisht. Të lutem. Nuk dimë kurrgjë më”, kanë thënë nga “Deva Tours”.
Media kroate, Index.hr raportoi se më shumë se 30 persona janë dërguar në spital dhe se autobusi kishte rreth 60 udhëtarë brenda. “Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë.
Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiq./ GazetaEkspres