Reforma në drejtësi shihet si kthesa më e madhe për Shqipërinë, por ende sot nuk janë parë politikanë në bankën e të akuzuarve.
Janë të shumtë emrat e akuzuar publikisht, por drejtësia gjithmonë është stepur përballë tyre. Mirëpo çdo ditë që kalon jepen sinjale se nuk do të jetë e largët dita që do të shkohet dhe te të paprekshmit. Pak ditë më parë SPAK arriti një marrëveshje bashkëpunimi me USKOK, Prokuroria e Posaçme kroate.
SPAK u ngrit sipas modelit të saj dhe në bazë të marrëveshjes kroatët do të asistojnë që të ndiqet i njëjti model. Atje janë arrestuar mijëra zyrtarë dhe mes tyre ish-kryeministri. Metoda kryesore që kanë ndjekur kroatët deri më tani është ajo e gjurmimit të pasurisë. Falë kësaj metode u dënua edhe ish-kryeministri Ivo Sanader.
Sinjalet janë se dhe SPAK do të ndjekë të njëjtën rrugë. Së pari, gjatë 2021 pritet që në Kuvend të shkojë një draft ku do kërkohet që SPAK të fokusohet vetëm te korrupsioni elitar. Kjo do u japë më shumë kohë prokurorëve që të hetojnë me metoda proaktive çdo pushtetar të dyshuar.
Por nëse puna nis me pasuritë, atëherë shumë emra rrezikojnë ndëshkimin, sikundër po ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët që futen në veting. Nëse shohim deklarimet vit pas viti që janë bërë në ILDKPI, rezulton se shumë politikanë kanë pasuri mbi 1 milion euro. Nëse e nisim nga kreu, Presidenti ka disa apartamente në emër të tij, ndërsa bashkëshortja një pallat.
Kemi vilën në Gjirin e Lalësit që nuk i dihet vlera, si dhe banesa në Tiranë. Këto pasuri shkojnë në miliona e miliona euro. Ish-kryeministri Berisha rezulton po ashtu me shumë pasuri. Dallimi i tij është se janë fëmijët ata që kanë pasuri shumë të lartë. Kreu demokrat Lulzim Basha rezulton me disa banesa. Nëse zbresim në nivele ministrash dhe ish-ministrash kemi emra me pasur sheikësh. Disa ish-ministra të PD, si Bode, Ruli, Spaho, Pollo etj, janë ministra me shumë pasuri.
Te qeveria aktuale po ashtu ka shumë emra që kanë një pasuri relativisht të lartë. Ndërkohë kemi shumë deputetë me pasuri dhjetëra milionë euro. Ka shumë emra që kanë hyrë në politikë të pasur, por ka shumë të tjerë që janë pasuruar aty. Disa deputetë kanë edhe deri në 30 apartamente.
Shembulli kroat dhe maqedonas
Nëse SPAK do zbatojë si duhet shembullin kroat, atëherë rrezikojnë shumë zyrtarë. Rasti i hetimit të ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader dhe kompanisë të njohur FIMI MEDIA ka nisur nga informimi proaktiv i vazhdueshëm në media.
Gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. Hetimi ka nisur pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë përfshi të Shtuna dhe të Diela. Është arritur të merren fakte të rëndësishme, që çonin në konkluzionin se ish-kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishme veçanërisht për fillimin e procesit.
Prokurorët që kanë punuar me këtë çështje kanë marrë në pyetje një numër të madh personash. Fakte dhe prova janë verifikuar për marrjen e të dhënave të nevojshme. Edhe në Maqedoni u bë e njëjta gjë. Nikolla Gruevski nuk kishte shumë pasuri të deklaruar, mirëpo pas hetimeve rezultoi se kishte shumë prona e pasuri të fshehur. Pra nëse gjurmohen pasuritë në Shqipëri, atëherë shumë politikanë do kenë telashe. ILDKP çdo vit paditi 30-40 emra, por prokuroritë asnjë nuk kanë dërguar në gjykatë. SPAK pritet të ndryshojë këtë metodë.