Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht pas lëndës plasëse që u gjet afër makinës së drejtorit të Hekurudhës në Durrës, Ani Dyrmishi. “Sot rreth orës 08:30, në lagjen nr.4, në një parking mjetesh u konstatua një pako, e dyshuar si lëndë plasëse.
Në vendin ku u gjet pako, ishte parkuar mjeti tip ‘Pasat’ me targa AA 070 TP, në përdorim nga shtetasi A.D. me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave. Në momentin që ka lëvizur mjetin, ai nuk e ka konstatuar pakon e dyshimtë.
Nga konkluzionet e para të ekspertëve anti-eksploziv rezulton se pakos së dyshuar i mungonin disa elementë për të qenë lëndë plasëse. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”- thuhet në njoftimin e policisë.