1 shtator
Kjo ditë simbolike e shkollimit më gjen mësues. Herë të tjera më ka gjetur si gjithçka, nxënës, student, fëmijë, ushtar, por mësues jo.
Shkolla është e mbushur me nxënës me uniformë. Bien në sy nxënës të rinj, disa vajza me fustane shumë të reja dhe me buzëqeshje akoma më të reja.
Mësuesit kanë vënë duart mbrapa.
Ora 8.30. Është mezi i ceremonisë së inaugurimit të mësimeve. Po flet një ish shef seksioni arsimi, tani shef shëndetësie, mbasi bëri studimet për mjeksi.
Në tribunë ka më tepër se 10 njerëz. Ja një formë burokracie.
Shumë nxënës mbajnë lapsa me gomë në xhep.
Duartrokitjet e para…
Ora 10.10. Reparti ushtarak. Instruktorët oficerë po shpiegojnë marifetet e automatikut. Nxënësit janë ndarë në grupe pune dhe rrinë një gjysëm ore para çdo tavoline.Tavolinat janë mbushur me instrumenta. Kjo është një xhiro e tmerrshme nëpër diell.
Një nxënës është zverdhur. I dhashë leje të ikë në hije. Disa kërkuan ujë. Ata nuk e dinë akoma se unë jam tmerruar më tepër se ata…
Ora 16.02. Dhomës time në shtëpi i bëra një ndryshim të nevojshëm. Tani më duket sikur kam më tepër komoditet dhe rehat për të punuar…
Duhet të dal për të vajtur në shkollë. Po bëhem shitës librash.
…Jam duke shitur libra. Nxënësit bëjnë shumë zhurmë dhe janë gati ironikë. Shuma e sotme e mbasdites është 2850+115=2965. Shuma e ditës 17265
Një miku im e kish rregulluar daktilografimin e novelës që i dhashë. 7 lekë faqja dhe plus 100. Lekët do mundohem t’i gjej.
2 shtator
….Sot nisen për aksion klasat e treta.
Ora 8.00. Ndahen nxënësit nëpër klasa. Ata janë të emocionuar dhe nuk shkëputen menjëherë nga rrjeshti pasi u thërritet emri.
Ora 9.00. Aksionistët mbas ceremonisë së mërzitëshme që bënë, tani sipas listave po ngjiten nëpër autobuzë. Shumë aksionistë nuk do ta durojnë burokracinë…
Dera e autobuzit mbyllet me shumë vështirësi. Duar të shumta s’e lenë. Bile ka edhe nëna që s’pyesin për një pengesë të tillë, por çajnë e hipin brenda. Shumë nëna qajnë. …. Njëra me sy të përlotur i është qepur drejtoreshës dhe i kërkon t’i gjej vend vajzës së saj që na qenka në këmbë në autobuz.
Po nderen flamujt anës dritareve të autobuzave. Autobuzët ndezën motorat. Duart s’kanë fund. Disa vajza qajnë dhe e mbajnë kokën drejt, që t’i shikojnë edhe të tjerët. Ç’heroike?!
Ora 11.30. Sapo hyra në shtëpi nga dritarja. Një humbje e ngatërrim çelësash. Nuk e di, më pëlqen të mbyll dritaret e grilat. Në errësirën e dhomës e ndjej veten të qetë. Ndoshta po afrohet ndonjë ditë ku unë do të mbyllem për shumë kohë në vetvete.
E ndjej veten të lodhur. Shtrij këmbët në krevat dhe përpiqem të kuptoj se nga më vjen lodhja. Nuk e di që sot të kem ecur shumë. Bile kam ecur më pak se ditët e tjera.
Jam bindur se lodhja është gjithnjë shpirtërore. Lodhje fizike nuk ka.
Ndjej melankoli.
Ora 17.05. Duke ardhur për në shkollë, pata një ndjenjë të këndëshme gëzimi kur pashë bredhat që pikonin ujë, si të pikonin gjelbërimin e tyre.
Pashë një çadër të bukur grash. Dy vajza poshtë saj kërcenin mbi pellgje që të mos bëheshin me stërkla balte.
Drita në lagjen tonë nuk ka. Ka diçka të pështirë dhe të frikëshme errësira.
Ora 21.40. Tani po shkruaj nën dritën e një qiriri. E çuditëshme është se me qiri mund të lash edhe dhëmbët ashtu siç i lava edhe unë.
3 shtator
Ora 13.30. Në dhomë mezi arrin zhurma e rrugës. Dua të fle. Kam frikë se do të mbyllem në vetvete.
Ora 16.30. Po bëhet mbledhja e këshillit pedagogjik. Mësuesit të gjithë dyshojnë shumë për sasinë e orëve që do t’u kushtojë kjo mbledhje. Përgjigjen më të sigurt e më të kënaqëshme e dha M. Gjersa mua m’u desh të harxhoja një orë për të mbledhur firmat e mësuesve, as mund të mendojmë se mbledhja do të zgjasë më pak se tre orë.
Në këtë mbledhje tema është për higjenizimin.
Kuriozitet: Nga një inspektim që u është bërë nxënësve nga institucionet shëndetësore ka dalë se pothuaj të gjithë e mbajnë gishtin e vogël me thua të paprerë.
4 shtator
Sot u fola nxënësve të klasës së I-C (këta 6 muaj i kam në kujdestari) kaq bukur, sa ata nuk cicërinin fare dhe nëpër fytyra u ish fiksuar një buzëqeshje shumë e sinqertë.
Në Kombinatin e Tekstileve më treguan për disa libra të vjetra rusisht e frëngjisht. Vajta. Gjeta dy thasë. Zgjodha më të nevojshmit.
6 shtator
Ora 17.10. N. do të bëjë një recension për vëllimin tim të poezisë “Nëpër stacione”. Duhet të porosis edhe ndonjë tjetër.
8 shtator
…Mbrëmë dëgjova një pjesë franceze të titulluar “Kopështi mbi kodër”. Në këtë film radiofonik luante Zhan Klod Mishel.
Ora 18.20. Kam dhimbje koke. Jam ftohur. Mendoj se megjithatë duhet të punoj.
Dëgjova pak për kozmonautin Luis Amstrong.
10 shtator
Po intensifikoj punën me anglishten. Bile fjalorin po e marr me vehte në kabinet. Në autobuz bëhej gjurulldi. Gjashtë fëmijë të vegjël, me të njëjtën moshë (afro gjashtë vjeç), hypën në autobuz pa paguar biletë. Fatorinoja filloi t’i godiste në kokë me pëllëmbë. Atëherë njeri që e pa keq punën, i tha: “Jemi të Kiços, atij karrocierit”.
-Të gjashtë?
-Ëhë.
Në autobuz ia dhanë një të qeshuri të fortë. Fëmija u fye.
-Pse s’lexoni gazetën?-u tha- Një grua e jashtme ka bërë nëntë si ne!
13 shtator
Fqinji, Xhemili i Salushes po ndiqte me një frymë sot një kaposh që e kishte pickuar. Vrapimi ish interesant. Pastaj kur kuptoi se e kapi prej bishti, këndezi bëri një glasë. Më në fund kërceu mbi pemë dhe filloi të hante rrush.
Xhemili nisi ta shajë.
Ka filluar të më mburrë drejtoresha nëpër mbledhje. Të presim përfundimin.
Ora 12.20, Ma hodhën. Më caktuan për aksion.
Në aksionin e rinisë në Lukovë buzë Jonit
15 shtator 1971
Ora 21.50. Ndodhem në dhomën 41 të hotel Turizmit të Gjirokastrës. Më pas futemi në të gjithë rrugicat e qytetit. Ky është tamam i çuditshëm. Këtu çdo gjë është mesjetare. Na bën më tepër përshtypje një udhëkryq ku kishte shumë njerëz. Ky thirrej Qaf-Pazari.
Vizituam Muzeumin. Përgjegjësi na pa nga dritarja dhe na ftoi.
Kërkojmë të hamë darkë. Lokalet kanë shumë tym. Atëherë hamë në Turizëm. Bëjmë një xhiro të lezetshme dhe pastaj vijmë në hotel.
16 shtator
Ora 8.00. Gjirokastra qenka shumë e heshtur.
Ora 10.30. Bie në sy që gjithë gjirokastritët kanë një ngjyrë të kuqërremtë dhe rrinë shumë të parruar.
Ora 11.20. Ndodhemi në një udhëkryq të Gjirokastrës nga ku mund të gjejmë ndonjë makinë për Sarandë. Jemi shumë të sigurt. Bile blemë dhe gjashtë byrekë për t’i përtypur rrugës. Por në një bisedë që patëm me një hallexhi si ne, morëm vesh që kishte nga ora 6 e mëngjesit dhe s’kish gjetur asnjë makinë për Sarandë. Megjithatë takova shokun tim të fakultetit, poetin Fotaq Malo. Gjëja më e bukur që më tha, ishte se duhet krijuar figura e shkrimtarit atje. Në atë vend ku jeton dhe është.
Ora 14.05. Tani që po shkruaj ndodhemi në agjencinë e Sarandës. Në Gjirokastër, në udhëkryqin poshtë mezi gjetëm një makinë frigoriferike. Rruga ish e rehatëshme dhe shoferi megjithëse i qeshur, një lekist i madh.
Zbritëm në Delvinë prej ku hypëm në një makinë, shoferi i së cilës ishte shumë nervoz. Megjithatë edhe ky na xhvati.
I jemi afruar një autobuzi që merr aksionistë. Kolegu i zgjati shoferit autorizimin dhe me siguri do të na futë brënda. Mendoj se shpikja më e rëndësishme gjatë gjithë kësaj ekspedite ka qënë autorizimi i bërë nga seksioni i arsimit të Beratit.
Ora 16.00. Ndodhemi në fermën “Përparimi”. Të bie në sy një grumbull kalamajsh që mblidhen rreth autobuzit. Në një dyqan “Ushqimore” të mbyllur, një mace rri mbi banak.
Fizionomia e këtyre njerëzve këtej është më shqiptare se në Sarandë.
Ora 17.00. Bie në sy që këtu në Lukovë vjen mjegull. Bile është shumë e mëndafshtë dhe duket sikur nga çasti në çast do ta mbulojë.
Lukova është vërtet një qytet-fshat i lezetshëm. Unë mundohem të shijoj këtë mrekulli. Megjithatë e lë në dorë të 15 ditëve.
Nxënësit na pritën me qejf. Na thonë që edhe këtu do të kemi luftë me brigadierët. E pranojmë luftën, por me dyer të mbyllura.
Bie në sy gjithashtu se djemtë janë dobësuar, kurse vajzat shëndoshur.
Ora 19.50. Sapo dola nga mensa. Ushqimi është tamam aksionist. Diku në thellësi të detit shuhet e ndizet vazhdimisht një far.
Ora 20.20. Mbrëmje në sektor. Nga fundi i sallës ngrihet gjithnjë pluhur si tym. Jemi ulur në një stol dhe mezi rrimë, nga që jemi ulur më tepër nga ç’duhet.
Vajzat fillojnë e kërcejnë me njëra tjetrën pasi e shohin se djemtë përtojnë t’i marrin.
Vajzat korçare kërcejnë më tepër nga të gjithë.
17 shtator
Punojmë në një nga tarracat në një kodër prej ku duken disa fshatra shumë të bukur. Dëgjohet vazhdimisht gurgullima e një përroi. Diku duhet të formojë një katarakt.
Në kodrat rrotull ullinjtë ngjiten të veçuar deri në mal. Mirëpo duken kaq të veçuar, sa të ngjan çudi si ngjiten ashtu me mundim deri 100 metra mbi det.
Pothuaj gjithë mbrëmjen e ditës së kaluar më bie në sy se këtu vajzat qendisin shumë. Diku dëgjohet një çangë.
Këtu gjithë ditën flasin për orën.
0ra 11.20. Bëhet pushim. Gjithnjë në pushime të tilla hahet me qejf. Lënda kryesore ushqimore që konsumohet është marmalata.
Nuk e di por shpirtin e kam plot poezi. Diku dëgjoj blegërima.
Thonë se këtu në Lukovë ndodhin aksidente të shpeshta.
Ora 11.30. Jam ulur në çezmën e fshatit. Kjo është një çezmë që nuk ka ujë.
Mora vesh se kjo infermjerja këtu vazhdon gjurmët e mjekimit partizan. I çan plagët me brisqe.
Sejcila dhomë këtej ka nga një mi. Vajzat tmerrohen dhe bisedat për ta vazhdojnë deri në mesnatë.
Këtu jemi ulur në klubin e Fermës dhe kemi porositur mëlçi dhe nga një birrë. Kamarjerja na solli dy birra dhe vetëm një mëlçi… Fasulet e drekës ishin variant i përzjerë me marmalatë. Mëlçia ka shumë kripë dhe ka mundësi të bëhet kështu që të mos prishet dhe tre katër ditë.
Mbrëmje vallzimi. E organizon Korça. Ka rezultat.
Një xham i vatrës së kulturës është i thyer. Atje kanë nxjerrë kokën katër vajza. Në sytë e tyre ka rënë trishtim.
Komandanti i aksionit bredh gjithë ditën me shkop në dorë.
Djemtë që të duken burra pinë cigare dhe u derdhin shikime vajzave.
E ftova një vajzë që të vallzonim. M’u përgjigj se e kish të vështirë. Më në fund u ngrit. Kjo ishte biseda:
-Ju lagu shiu?
-Po.
-Sa klasa paralele jeni?
-Gjashtë.
-Oh, sa shumë! Ju mërzit buria në mëngjes?
-Na çmënd.
Ora 22.50. Po flemë. Nëpër gjumë një koleg po kruan b 9thën./Telegraf.al