Keqardhja sa vjen dhe shtohet kur sheh se femrave të sotme i ka humbur pastërtia dhe dëlirësia shpirtërore e fizike. Kanë humbur gjithçka. Të gjitha gati njësoj. Të mbushura me botokse e ndërhyrje kirurgjikale, me qëllimin e vetëm për të qenë moderne dhe të pranuara nga kjo shoqëri, që me keqardhje po i kthen femrat në imituese të shëmtuara të ashtuquajturave femra se ksi.
Janë aq shumë njësoj, sa hera-herës të krijohet përshtypja se i ka lindur e njëjta nënë. Në imitimin më të shëmtuar të buzëve si patë apo si viç, me takat 12 pond, të lyera rëndë që në pikë të mëngjesit, nisin ditën e tyre.
Të merr malli të dëgjosh një femër që flet qartë dhe pastër për një problem aktual të shoqërisë ku jetojmë. Mjafton t’i bësh një pyetje të thjeshtë dhe ato nuk do dinë të hapin gojën. I pyet se ç’mendim kanë për modën e kësaj vere të nxehtë dhe ato të përgjigjen: E pe atë që doli te Çani dje? I pyet se ç’libër do të lexojnë këtë verë dhe ato të përgjigjen: Të shohim ç’po ndodh tani në Facebook.
A kanë ideal? Patjetër që kanë? Të bëjnë një jetë si nëpër videoklipet e Noizyt dhe Stresit.
Dëshira e madhe e tyre për të qenë të ashtuquajtura moderne i kthen në skllave të shëmtimit shpirtëror dhe fizik.
Plastike jashtë dhe plastike brenda, ato nuk zgjedhin më djalin inteligjent dhe punëtor, por djalin që duket i fortë dhe i pushtetshëm në këtë shoqëri me lekët dhe makinën e babit. Harrojnë këto femra se njeriu ka një staturë të vetën dhe e krijon atë në mënyrë individuale dhe kështu me dashje apo pa dashje, veshjen dhe sjelljen e kthejnë në diçka kolektive.
Në kolektive kthejnë dhe ndjenjat e tyre. Jetojnë për të tjerët. Nuk quhesh më vajzë trendi nëse nuk nxjerr në rrjetet sociale foto me tufën e luleve, mundësisht më të madhe se shoqja, ushqimet nëpër restorante dhe pushimet në jug.
Të përvillet kur sheh se sa shumë femra dalin nga vetja e tyre dhe krijojnë këtë vetveten “në thonjëza” që nuk ka lidhje fare me prejardhjen dhe formimin e tyre. Intrigojnë pafundësisht për të arritur atë që duan. Madje dhe puthjen dhe përqafimin e të ashtuquajturës dashuri e japin të mirëprojektuar me plan pune të paracaktuar.
Shiten si të vërteta, kur në fakt janë thjesht një falsë e dhimbshme e shoqërisë. Janë gati të ndyjnë çdo njeri që u del parpara vetëm e vetëm për të arritur aty ku duan. Lyhen dhe zhgërryhen për të shkëlqyer, por në fakt vetëm shtojnë pisllëkun.
Zhyten në pisllëk dhe harrojnë normat e shoqërisë. E ç’ rëndësi kanë normat dhe etika për to? Rëndësi ka të duken bukur dhe të ngulen fort diku, por këtë herë me këmbë në makinën lluksoze dhe jo me këmbë në tokë.
A ka femra të mençura që nuk bien pre e papastërtive shoqërore? Sigurisht që ka, por janë pak.
E, meshkujt sot…?
Nëse do të kthejmë kokën disi pas në kohë, do të shohim se figura e burrit ka ndryshuar shumë. Dikur një mashkull i vërtetë ishte ai punëtori, zjarrfikësi, makinisti kasapi etj me duar të pista dhe gjithë djersë. Një mashkull i vërtetë nuk binte pre e thashethemeve të grave dhe fliste shumë pak.
Sot? Me dhimbje ndihet se gjërat kanë ndryshuar.
Dashtë Zoti të mos bëhesh pjesë e thashethemeve të një mashkulli se të bëhet një analizë që as ti vetë nuk do ta kishe menduar.
Mashkullit të sotëm i mungojnë mustakët dhe të qenurit leshtor. Madje sot ai është edhe më i kuruar, me vetulla të hequra dhe më i depiluar se vetë femrat.
Mashkullit të sotëm i mungon fraku dhe veshja mashkullore. Ato janë zëvendësuar me streçe dhe këmisha mëndafshi me lule. Pantallonat e kostumit janë bërë treçerekëshe dhe këpucët fosforescente si balerina.
Ti nuk arrin të kuptosh se ku dallon femra nga mashkulli i ditëve të sotme nëse do t’i shohësh nga koka tek këmbët. Për të nuk ka më rëndësi se si ndihet personalisht me femrën që ka në krah, por se si e shohin të tjerët.
Sa më e zhveshur dhe e stukuar të jetë femra e tij, aq më i pushtetshëm duket ai përpara të tjerëve.
Nuk kam asgjë kundër modës, por edhe modernizmi ka kufij. Nuk mundesh ti që nuk di të lidhësh dy fjalë të jesh i mirëpranuar nga shoqëria vetëm se lekët e babit të bëjnë me një makinë luksoze.
Nuk mundesh ti të jesh mashkulli ideal kur nuk investon për veten me shkollim dhe me punë.
Po, po, meshkuj ka plot, por burra thuajse fare!!/ Holta Heba