Pas lajmit të përfshirjes së Monika Kryemadhit në financimet ruse, ish-deputeti Halit Valteri ka bërë sërish kallëzim në SPAK për deputeten e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metën që i akuzon për fshehje të ardhurash, korrupsion dhe çelje të llogarive anonime. Ai ka renditur 5 vepra penale për të cilat ka paditur ish Presidentin dhe bashkëshorten e tij për përfshirje në financimet ruse.
Në kallëzim ka përfshirë prova si CD, artikuj, të dhëna bankare, linja fluturimi, adresat e kompanive.
Veprat penale që renditi Halit Valteri
1.Korrupsion i Pasiv i Zyrtareve Te Larte Ose Te Zgjedhurve Vendore, Neni 260 i Kodit Penal.
2.Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, Neni 287 i Kodit Penal
3.Fshehja e te ardhurave, Neni 180 Kodit Penal
4.Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, Neni 301 i Kodit Penal.
.Çelja e llogarive anonime, Neni 287 i Kodit Penal.
I ftuar në ‘Zona Zero’, Valteri tha se kallëzimi vjen pas artikullit të Eureporter që tregon skandalin ku çifti është i përfshirë në lobime ruse dhe kompani të lidhura ngushtë me Kremlinin dhe kanë bërë transfera për kompani off-shore me emrat e tyre personal. Sipas Valterit, Meta dhe Kryemadhi posedojnë kompani ku kanë bërë lëvizje të ndryshme bankare dhe nuk i kanë dekluar.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi i ka cilësuar shpifje akuzat për lidhjet e saj me politikanë rusë në parajsat fiskale. Ajo akuzon se kryeministri Edi Rama ka përdorur shërbime të huaja për të prodhuar fushatën e shpifjeve. Në deklaratën për mediat, ish kryetarja e LSI tha se nuk ka llogari bankare apo marrëdhënie biznesi jashtë Shqipërisë.
Një ditë më parë dolën të dhëna sensitive që flasin për përfshirjen e Monika Kryemadhit, ish-kryetare e LSI, në financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. Në letrën dërguar në email për disa media tregohen detajet dhe provat e lidhjeve ruse, të Kryemadhit me kompanitë që janë denoncuar si sponsorë të partisë së Vladimir Putinit në Rusi.
Në artikullin e Eu Reporter shkruhet se provat janë tre transferta bankare nga Monika Kryemadhi të cilat tregojnë se në vitin 2017 ajo ka marrë dy pagesa nga Holdem Holdings Limited, një kompani e inkorporuar në Qipro dhe ka bërë një pagesë për Vradus Holdings Limited, një tjetër kompani sërish e inkorporuar në Qipro.