Zylyftar Hoxha
Si kudo, edhe në Shqipëri është thënë dhe shkruar shumë për një personazh botëror, supertrafikantin kolombian të kokainës, Pablo Eskobar. Nëpërmjet librave, filmave dhe artikujve të shumtë publiku ynë është njohur me historinë e tij shumë interesante, të mbushur plot lojëra të rrezikshme mafioze dhe krime të panumërta. Por, ndër gjithë këto, historia më e besueshme, më e vërtetë dhe më e jetuar është libri i shkruar nga vetë i biri, Juan Pablo Eskobar, që vjen për herë të parë këto ditë në libraritë tona nga shtëpia botuese Botart, një nga më seriozet në Shqipëri.
“Im atë Pablo Eskobar – histori që s’duhet t’i përjetonim” vjen në shqip i përkthyer nga origjinali në spanjisht prej përkthyesit të njohur Ivzi Koçi.
Në përgjithësi historitë familjare janë histori intime, heshtjeje dhe vetëm rrjedha e kohës i jep hapësirë të vërtetës. Deri sot besonim se ishte thënë gjithçka për Pablo Eskobarin, një nga kriminelët më të egër të Amerikës Latine, por të gjitha kanë qënë versione të treguara nga jashtë dhe asnjëherë nga brenda intimitetit të vatrës familjare. Njëzet e një vjet pas vdekjes së kreut të kartelit të Medelinit, Huan Pablo Eskobar udhëton drejt një të kaluare që nuk e zgjodhi ai vetë, për të na dhënë një version të pabotuar për të atin, njeriun që ishte në gjendje të shkonte deri në kufijtë më ekstremë të mizorisë dhe, në të njëjtën kohë, shprehte dashurinë e pafund për familjen e vet.
Ky nuk është libri i një djali që kërkon shfajësim për të atin, por një rrëfim rrënqethës për pasojat e dhunës.
Në shënimet e botuesit, ndër të tjera, shkruhet: “Im atë, Pablo Eskobar, është ndoshta, një nga projektet botuese më të ndërlikuara që ka ndërmarrë Grupi “Planet” vitet e fundit.
Deri sot besonim se ishin thënë të gjitha për trafikantin e drogës. Për të kanë shkruar penat më të mira, gazetarët më në zë, madje edhe vëllezërit e tij. Edhe ekrani i madh ka rikrijuar jetën e kapos. U desh të kalonin mbi dy dekada që Huan Pablo Eskobar, i biri, të rrëmonte në jetën që s’e zgjodhi ai vetë për të na shpalosur mënyrat e çuditshme të shprehjes së dashurisë atërore në një mjedis plot teprime dhe dhunë. Hollësitë e panumërta që ofron ky libër nxjerrin në pah një personazh akoma më kompleks.
Por s’është vetëm kjo. Im atë, Pablo Eskobar paraqet, gjithashtu, një version krejt ndryshe për një numër të madh ngjarjesh që kanë ndodhur asokohe në vend.Për më shumë se një vit, Huan Pablo Eskobar – që ndryshoi identitetin duke marrë emrin Huan Sebastian Marrokin – dhe “Planeta”, iu përveshën punës për realizimin e kësaj vepre, të cilës iu desh që të kalonte nëpër filtrat e rreptë të botuesit dhe të burimeve të informacionit.
Për nga rëndësia e temës, për nga plagët ende të hapura, për nga mijëra viktimat që mbetën në rrugë, për nga hetimet që kanë përfunduar apo që janë ende pezull, është e pashmangshme që, që sot e tutje, Im atë, Pablo Eskobar të bëhet një pikë referimi e detyrueshme në vend dhe më gjerë.”
Im atë, Pablo Eskobar
Kaluan mbi njëzet vjet në heshtje teksa po riorganizoja jetën në mërgim. Çdo gjë ka kohën e vet dhe ky libër, ashtu si dhe autori i tij, kishin nevojë për një proces maturimi, autokritike dhe përulësie. Vetëm kështu do të bëhesha gati për t’u ulur që të shkruaj histori të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë një pikëpyetje për shoqërinë kolombiane.
Edhe Kolombia është maturuar për të dëgjuar, prandaj mendova se kishte ardhur çasti që të ndaj me lexuesit jetën time përkrah njeriut që ishte im atë, të cilin e desha pa kushte dhe me të cilin fati më caktoi që të ndaja çastet që shënuan një pjesë të historisë së Kolombisë.
Që ditën kur linda e deri në ditën kur vdiq, im atë ishte miku, udhërrëfyesi, mësuesi dhe këshilltari im i mirë. Kur ishte gjallë, ka patur raste kur i kërkova që të shkruante historinë e tij të vërtetë, por s’ishte dakord: “Gregory (Kështu e quante ndryshe Pablo Eskobari të birin, me emrin e priftit rus Rasputin i cili quhej Grigor Rasputin. shën. i përk.), historinë duhet ta përfundosh që të mund ta shkruash”.
U betova që të marr hak për vdekjen e tim ati, por, dhjetë minuta më pas, e prisha betimin. Të gjithë kemi të drejtë të ndryshojmë dhe, për më shumë se dy dekada, jetoj mes rregullash të qarta tolerance, bashkëjetese paqësore, dialogu, faljeje, drejtësie dhe pajtimi.
Ky s’është libër qortimesh; është një libër që parashtron reflektime të thella për atë se si është skicuar atdheu ynë dhe politikat e tij dhe arsyen pse nga gjiri i tij dalin personazhe si im atë.
E respektoj jetën dhe, që nga ky vend ku jetoj, e shkrova këtë libër; nga një këndvështrim i ndryshëm dhe unik, duke mos patur një agjendë të fshehtë, ndryshe nga shumica e shkrimeve që qarkullojnë për tim atë.
Ky libër, po ashtu, s’është e vërteta absolute. Është një përpjekje për të hulumtuar dhe një përafrim me jetën e tim ati. Është një hulumtim personal dhe intim. Është paraqitja sërishmi e një njeriu me të gjitha virtytet, por edhe me të gjitha të metat e tij. Pjesën më të madhe të këtyre anekdotave m’i ka treguar gjatë netëve të gjata e të ftohta të vitit të fundit të jetës, përbri oxhakut; të tjerat m’i la të shkruara kur armiqtë e tij ishin gati duke na shfarosur të gjithëve.
Ky përafrim me historinë e tim ati më shpuri tek personazhe të fshehur ndër vite, të cilët vetëm tani u treguan të gatshëm që të japin ndihmesën për këtë libër, me qëllim që gjykimi im si dhe ai i shtëpisë botuese të mos mjegulloheshin. Por, mbi të gjitha, që askush dhe kurrë më, të mos i trashëgojë këto urrejtje.
Jo gjithmonë kam qenë përkrah tim ati, nuk i di të gjitha historitë e tij. Kush thotë se i njeh të gjitha, gënjen. Kujtimet që përmban ky libër i mësova shumë kohë pasi kishin ndodhur ngjarjet. Im atë s’ka marrë mendimin tim dhe të askujt tjetër për asnjë nga vendimet e tij; ishte një burrë që vendimet i merrte vetë.
Shumë “të vërteta” për tim atë dihen përgjysmë, madje as që njihen fare. Prandaj, rrëfimi i historisë së tij, kishte në vetvete shumë rreziqe sepse duhej treguar me një ndjenjë shumë të lartë përgjegjësie. Kjo ngaqë, për fat të keq, shumë gjëra që janë thënë duket sikur përputhen më së miri. Jam i sigurt se filtri prej çeliku që vendosi “Planeta” me botuesin Edgar Tellez ndihmoi për suksesin e madh të këtij projekti.
Ky është një eksplorim personal dhe i thellë në jetën e një njeriu i cili, përveç se ishte im atë, udhëhoqi një organizatë mafioze që njerëzimi s’e kish njohur kurrë më parë.
Kërkoj ndjesë publikisht për të gjitha viktimat e tim ati, pa përjashtim; më dhemb shpirti që kanë vuajtur tallazet e një dhune pa dallim dhe të pashoqe ku humbën jetën shumë njerëz të pafajshëm. Të gjithë këtyre shpirtrave po u them se sot kërkoj të nderoj kujtimin e secilit prej tyre nga thellësia e shpirtit tim. Ky libër do të shkruhet me lot, por pa mërira. Pa qëllime denoncimi, pa revanshizëm dhe pa shfajësime për të nxitur dhunën dhe aq më pak për t’i bërë apologjinë krimit.
Lexuesi do të habitet me përmbajtjen e kapitujve të parë të librit sepse, për herë të parë, rrëfej konfliktin e madh që kemi patur me të afërmit nga babai. Janë njëzet e një vite pa u takuar me ta, duke arritur në përfundimin se, në aktin final që çoi në vdekjen e tim ati, disa prej tyre kontribuuan aktivisht.
Nuk gaboj kur them se familja e tim ati na ka përndjekur më tepër se armiqtë e tij më të betuar. Sjelljet e mia ndaj tyre e kishin burimin gjithmonë tek dashuria dhe respekti absolut për vlerat familjare, të cilat s’duhej të humbitnin as në luftën më të përgjakshme dhe aq më pak për paratë. Zoti dhe im atë e dinë se unë, më tepër se kushdo, ëndërrova dhe desha të besoj se kjo tragjedi e dhimbshme familjare të ishte një ëndërr e keqe dhe jo një realitet me të cilin do të duhej të përballesha.
Tim atë e falënderoj për atë sinqeritetin e tij të vrazhdë, të cilin fati e desh që ta kuptoja por, mbi të gjitha, pa e justifikuar aspak.
Pas ndjesës që kërkova në dokumentarin “Mëkatet e tim ati”, bijtë e udhëheqësve të vrarë Luis Karlos Galan dhe Rodrigo Lara Bonilja, dikur më patën thënë: “Edhe ju jeni një viktimë” dhe përgjigja ime vazhdon të jetë njësoj si atëherë: po, ndoshta jam, dhe do të jem i fundit në listën e gjatë të kolombianëve.
Im atë ishte një njeri i ndërgjegjshëm për fatin e tij, për veprimet e tij, për zgjedhjet e tij në jetë si baba, si individ dhe – në të njëjtën kohë – si bandit, që i shkaktoi Kolombisë dhe botës, plagë që s’janë mbyllur ende. Ëndërroj që një ditë të zënë kore dhe të ndikojnë për mirë me qëllim që askush të mos guxojë ta përsëritë këtë histori, përkundrazi, të mësojë prej saj.
S’jam një fëmijë që u rrit duke i qëndruar verbërisht besnik të atit sepse kur ishte gjallë e kundërshtova ashpër për dhunën dhe metodat e tij si dhe i kërkova me të gjitha mënyrat e mundshme që të hiqte dorë nga urrejtja, të lëshonte armët, të gjente zgjidhje jo të dhunshme për problemet e tij.
Në gjithë atë mori opinionesh që ka rreth jetës së tim ati, tek një i vetëm biem të gjithë në një mendje: tek dashuria pa kushte që pati për atë që ishte familja e tij e vetme.
Jam njeri i gjallë që shpresoj të kujtohem për veprat e mia dhe jo për ato të tim ati. E ftoj lexuesin që të mos më harrojë teksa më shoqëron në tregimet e mia, as të më ngatërrojë me tim atë, sepse kjo është gjithashtu historia ime.
Huan Pablo Eskobar
Tradhtia
Ditën e caktuar*), mamaja bashkë me Alfredon u kthyen në Kali dhe u takuan me të njëjtin grup narkotrafikantësh që ishte herën e kaluar. Kapot nuk ngulën këmbë shumë për para të thata, sepse e dinin fare mirë se për vite me radhë kishin goditur pushtetin ekonomik të tim ati për ta dobësuar; e dinin gjithashtu se im atë kishte hequr dorë nga trafiku i drogës që prej disa vitesh, sepse lufta e shkëputi nga biznesi i tij dhe të gjitha paratë i shpenzonte për t’u përleshur. E dinin se rrëmbimet për të zhvatur para që urdhëronte im atë bëheshin pikërisht për shkak se i mungonin paratë.
Gjendja e tim ati në atë kohë pasqyrohet në një kapitull të librit “Kështu e vramë Padronin”, botuar në shtator të vitit 2014 nga Diego Murijo Beharano, alias “Berna”. “Pablo kishte mbetur i vetëm, i rrethuar nga të katër anët; nga pushteti dhe pasuria e tij praktikisht s’kishte mbetur asgjë. Njeriu, i cili në një moment arriti të bëhej një nga më të pasurit e botës, hyri në listën e “Asotrapo”-s, shoqata e trafikantëve të varfër”.
Këtë herë, takimi në Kali zgjati shumë më tepër, sepse nisën të shqyrtojnë një nga një pronat e përfshira në listën që kishte me vete ime më, megjithëse thanë se do të pranonin që pesëdhjetë për qind e borxhit të shlyhej me pasuri të konfiskuara nga Prokuroria dhe pesëdhjetë përqindëshin tjetër me prona pa probleme gjyqësore dhe që mund të shiteshin.
Nuk u habitëm që donin të merrnin prona të konfiskuara. Gjithkush do të mendonte se ishte një budallallëk, por duket qartë se lufta kundër tim ati bashkoi shumë narkotrafikantë, agjentë dhe funksionarë të panumërt të nivelit të lartë në shtetin kolombian dhe në vende të tjera, prandaj i kishin të gjitha mundësitë që t’i përfitonin “ligjërisht” këto pasuri. Ishin prona që ne kurrë s’do të na i kishin kthyer.
Më në fund, në listën e gjatë të pronave që dorëzuam ishte një ngastër prej nëntë hektarësh, që në atë kohë kushtonte një pasuri të tërë dhe që Fidel Kastanjo e kërkoi përmes “Alex”-it (siç njihej i vëllai, Karlosi, në radhët e “Los Pepes”) sepse ishte në kufi me “Montecasino”-n, sarajin e tij. Kështu e zgjeroi akoma më shumë pronën e tij jashtëzakonisht të madhe. Dorëzuam, gjithashtu, ngastra të tjera shumë të çmuara brenda qytetit, ku sot funksionojnë hotele dhe aktivitete tregtare fitimprurëse.
Takimet në të cilat merrte pjesë mamaja nuk bëheshin vetëm në Kali. Shumë prej tyre u bënë në Bogota dhe, në njërin prej tyre, ajo shpuri dy tablo të Fernando Boteros dhe disa skulptura që shoqëroheshin edhe me vlerën përkatëse. Në këtë mënyrë po i paguanim armiqtë e tim ati për dëmet dhe humbjet që u kishte shkaktuar. Më në fund mbetën vetëm ca objekte të artit dekorativ që nuk u interesonin.
Nuk shpëtoi as kompleksi i kullave me apartamente “Miravalle”, në lagjen “El Poblado”, pranë kodrës së Thesarit, ndërtuar nga im atë në vitet tetëdhjetë. Megjithëse shumë apartamente ishin shitur, kishin mbetur edhe mbi dhjetë të tjerë që i dorëzuam, gjithashtu. Për shumë vite me radhë, gjyshja ime, Hermilda, jetoi aty në një pent-house.
Më kujtohet se në inventar doli edhe një çiflig për të cilin s’e kisha dëgjuar të fliste kurrë tim atë. Ndodhej në Llanos Orientales dhe, kur pashë përmasat, kujtova se ishte shkruar gabim: 100.000 hektarë. Lista përfshinte avionë, helikopterë, gjithfarë makinash vendase, “Mercedes Benz”, “BMW”, “Jaguar”, motoçikleta të reja e të vjetra të markave nga më të mirat, barka dhe jet ski. Të gjitha i dorëzuam. Të gjitha. S’mund të rrezikonim që të gënjenim dhe as të fshihnim ndonjë pronë. E dinim se “Los Pepes” e kishin të gjithë informacionin, sepse në të kaluarën kishin qenë miq të tim ati.
Megjithëse kishim dorëzuar shumë prona, e dinim se ende nuk mjaftonin për të mbuluar shumën e pazakontë që pretendonin kapot; por Karlos Kastanjo ndërhyri papritur dhe i hodhi një kamerdare të vogël shpëtimi mamasë time: -Zonjë, kam një Dali tuajin, Rock and Roll, që vlen mbi tre milionë dollarë. Po jua kthej që të shlyheni me këta njerëz – tha Kastanjo, me siguri duke përmbushur urdhrat e të vëllait, Fidelit, i cili i kish premtuar se do t’ia kthente veprën. -Jo, Karlos, mos u shqetësoni për ta kthyer atë tablo. Do t’u dërgoj certifikatat origjinale, mbajeni – u përgjigj mamaja pothuajse instiktivisht, nën vështrimin e habitur të kapove.
Takimi i trazuar këtë herë kishte tjetër ton, sepse tavolina stërmadhe i ngjante një zyre noteri ku pronarët e rinj, të ndihmuar nga pesë avokatë, zgjidhnin prona sikur të ishte fjala për një lojë me figurina. Tri orë më vonë, në formën e një përmbylljeje, Migel Rodrigezi tha: -Sido që të vijë puna, që sot e tutje, në Kolombi s’ka për të lindur më një tigër si Pablo Eskobari.
Përsëri, rrugës duke u kthyer nga Kali, ime më vetëm qante. Por kësaj radhe, në mes të rrugës, telefonoi Migel Rodrigezi në celularin e Alfredos. -E veja e Pablos s’është aspak budallaqe; bëri një goxha gol sot. Me tablonë e Dali futi në xhep, as më pak e as më shumë, vetë Karlos Kastanjon. Në takimin e tretë, dhjetë ditë më vonë dhe po në të njëjtin vend, morën pjesë më pak kapo, sepse disa prej tyre konsideronin që borxhi ishte shlyer me pronat që u dhamë. Por ky takim kishte një ingredient shtesë, që isha unë.
-Zonjë, mos u shqetësoni, sepse pas kësaj do të ketë paqe, por, ama, djalin tuaj do ta vrasim – përsëriti Hilberto Rodrigez.
Megjithëse momenti ishte dramatik dhe pavarësisht dënimit me vdekje, mamaja insistoi disa herë duke dhënë garanci se unë s’kisha asnjë synim për të vazhduar luftën e tim ati. Ishin aq të shumta e të ndryshme arsyet që paraqiti ajo saqë, më në fund, kapot i dhanë leje që të më merrte në takimin e ardhshëm, pas dy javësh. Aty do të vendosej e ardhmja ime…
*) Fragment nga libri, ku tregohet se si iu sulën kartelet konkurrente mafioze familjes së Eskobar pas vdekjes së tij