Marrëdhëniet midis Qeverisë dhe Presidencës duket se janë në periudhën më të keqe të tyre. Ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve është diskutuar buxheti i ri i vitit 2019 për institucionet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionale brenda fushës së përgjegjësisë së komisionit. Por mbledhja e djeshme është karakterizuar nga debatet dhe replikat mes deputetëve socialistë dhe disa përfaqësuesve të këtyre institucioneve. Kulmi arriti gjatë diskutimit të buxhetit të Presidencës, ku relatori Bashkim Fino replikoi me përfaqësuesit e Ilir Metës. Fino deklaroi se institucioni i Presidentit të Republikës është i fryrë dhe se ka një staf me një numër më të lartë punonjësish sesa duhet.
Në këtë kontekst, deputeti socialit theksoi se 85 punonjës për një president janë shumë, ndërsa kritikoi edhe zërin e investimeve. Madje, Fino shkoi më tej kur paralajmëroi edhe shkurtim fondesh për institucionin e Presidencës, me qëllim që këto fonde të shkojnë për institucione të tjera. “Institucioni i Presidentit të Republikës ka më shumë staf dhe burimesh njerëzore se sa duhet. 85 veta për një president për mua janë shumë. Sa i takon fondeve, ky institucion ka realizuar shumë pak nga fondet e investimeve. Nëse nuk i bëni, jua japim të tjerëve. Kështu që nuk besoj se pengohet veprimtaria e Presidentit të Republikës, pasi ka më shumë se ç’duhet po ta shohim nga pikëpamja financiare”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino. Ndërkohë, përfaqësuesit e kreut të shtetit u shprehën të kënaqur me fondin e përcaktuar nga Qeveria për Presidencën në buxhetin e vitit 2019.
Ndërsa sa i takon mospërmbushjes në kohë të investimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës deklaroi se synojnë t’i përfundojnë brenda këtij viti. “Institucioni i Presidentit të Republikës nuk ka asnjë kërkesë shtesë sa i përket buxhetit të vitit 2019, jemi të kënaqur. Sa i takon kritikave për investimet, më lejoni t’ju them se procedurat janë kryer. I mbyllim brenda vitit 2018”, deklaroi Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit, Alqi Bllako.
Debate për KQZ
Pas diskutimeve me përfaqësuesit e Presidencës, Komisioni i Ligjeve vijoi ditën e djeshme diskutime edhe me përfaqësuesit e KQZ, ku nuk munguan replikat mes palëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të diskutimit në parim të projektbuxhetit për vitin 2019 u përfaqësua në seancë dëgjimore nga vetë kryetari Klement Zguri. Fillimisht, fjalën e morri relatori Bashkim Fino, i cili deklaroi se duke qenë se 2019 është vit zgjedhor buxheti ka planifikuar një fond të veçantë, 600 milionë lekë për KQZ. “Buxheti për KQZ është 60 milionë lekë të reja”, deklaroi ai. Por, kryetari i KQZ, Klement Zguri parashtroi disa kërkesa specifike, duke kërkuar shtim fondesh për rikonstruksion dhe blerjen e disa makinave.
“Parimisht jemi dakord për fondet e miratuara për KQZ. Fondet krahasuar me vitin 2018 janë thuajse në të njëjtin nivel. Meqë do jetë vit zgjedhor, 600 milionë lekë është fondi i veçantë. Kërkojmë fond për rikonstruksionin e magazinës së bazës materiale në Lundër. Kërkojmë zhvendosjen në ambiente të reja. Kemi kërkesa edhe për dy automjete të reja. Kërkojmë 47 milionë lekë më shumë”, deklaroi kreu i KQZ, Klement Zguri. Ndërkohë që relatori Fino e kundërshtoi kërkesën e Zgurit. “Keni ambiente të reja dhe shumë më të mira se ne”, nënvizoi deputeti i PS, Bashkim Fino./Rigels Seliman