Raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit ka dështuar. Kjo u deklarua edhe ditën e sotme në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Siç u pa dhe gjatë mbledhjes, të pranishëm në sallë ishin anëtarët e maxhorancës, ndërkohë që nga opozita ishte vetëm Fatmir Mediu.
Ajo çka ra në sy ishte fakti se kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj e ndiqte përmes transmetimit live në ‘Facebook’ mbledhjen.
Gjatë fjalës së tij Eduard Ndreca tha se; “Komisioni për Çështjet Ligjore do të mblidhej në orën 09:00. Ne u mblodhëm sot më datë 30 maj, për shqyrtimin e kandidaturave të mundshme. Konstatohet se deri në afatin e përcaktuar asnjë kandidaturë nuk është depozituar në Kuvend. Në këto kushte, në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës, i paraqet seancës plenare që do të mblidhet sot në orën 10:00, raportin për informim për mbylljen e procedurave për votimin e raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.
Në raundin e katërt maxhoranca ka paralajmëruar se do të jetë ajo që do të propozojë kandidatët për president që do të çohen më pas për votim në parlament. Në raundin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, çka do të thotë se maxhoranca i ka votat.
Sot, Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë dy seanca plenare, ku njëra prej tyre do të jetë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Seanca në fjalë pritet të mbahet në orën 10:00.