Nga Mero Baze
Dy ditë më parë raporti përfundimtar i Komisionit për hetimin e inceneratorëve, mori vetëm 27 vota pro dhe ajo që ishte më e rënda, 84 vota kundër. Ishte e qartë që ishte një votim që nuk shprehte reflektim mbi thelbin e raportit, por reflektim mbi raportet mes Bashës nga një anë, e Berisha-LSI në anën tjetër ne Parlament. Ishte e qartë se kundër tij votuan dhe deputetë të Berishës dhe u shmangën nga votimi deputetë të Partisë Demokratike.
Për hir të së vërtetës, unë nuk kam parë ndonjë operacion më serioz të opozitës në betejat parlamentare. Pavarësisht disa spekulimeve kur i referoheshin për populizëm shifrës 430 milionë euro, pjesa më e madhe e hetimit të opozitës ishte serioz dhe reflektonte dobinë që ka një mekanizëm parlamentar për të vënë në pozitë të vështirë qeverinë. Madje po aq i përgatitur në atë seancë ishte dhe Belind Këlliçi, që përfaqësonte aty Sali Berishën, por që për fat nuk është si Sali Berisha.
Votimi në fund reflektonte aleancën mes Sali Berishës dhe Ilir Metës bashkë kundër Lulzim Bashës, dhe natyrisht Edi Ramën me votën kundër.
Pra Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk patën asnjë kompleks faji dhe asnjë mëdyshje të bashkonin votat me Edi Ramën kundër Partisë Demokratike. E bënë vetëm se panë që Partia Demokratike e vuri në vështirësi serioze qeverinë dhe po u ikte primati i opozitës.
Tani ka dy ditë që Sali Berisha dhe Ilir Meta po organizojnë protestat për rritjen e çmimit të naftës. Po i bëjnë siç dinë ata, agresive, të politizuara dhe herë pas here dhe qesharake. Natyrisht që përveç tyre janë dhe gjithë grupet e gatshme që organizojnë çdo protestë në këtë vend, që janë kthyer në menaxherë protestash. Janë të njëjtët personazhe që kemi parë kur ndërtohej parku i Liqenit, kur protestohej për Teatrin, kur sulmohej PD më 8 janar dhe kudo tjetër ku Berisha dhe Meta luftojnë së bashku.
Nuk ka ndonjë gjë të keqe pse janë ata, por ka një të keqe të madhe për opozitën, e cila kur e ka në dorë qeverinë ta vërë në pozitë të vështirë, bashkon votat me Edi Ramën për një mekanizëm parlamentar opozitar që mund të trondiste qeverinë, dhe pastaj del në rrugë për të protestuar ndaj pasojave të luftës së Putinit në Shqipëri, duke u fryrë në vesh njerëzve se fajin e ka Edi Rama, “se bën çfarë i thotë Amerika”.
Është pak a shumë manipulimi që Berisha u bën trushpëlarve të vet, që i turr kundër Lulzim Bashës që “të dëgjojë” SHBA. Dhe nën shembullin se si e mundën “Amerikën” duke mundur Lulzim Bashën, shpresojnë se po mundin dhe një herë “Amerikën” duke dalë në rrugë kundër pasojave të luftës së Putinit në botë.
Kjo në fakt është dy herë pro Edi Ramës. Herën e parë në Parlament kur Berisha e Meta bashkuan votat me Ramën kundër Bashës dhe tani duke manipuluar me pasojat e një lufte botërore, që duket sikur e ka nisur Edi Rama kundër Rusisë dhe jo Rusia kundër Ukrainës.
Madje Lubonja ishte i mahnitur se si Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që kishte protesta kundër pasojave të luftës, edhe pse pasojat ndihen dhe në vendet e tjera. Dhe kjo është e vërtetë. Se vetëm këtu “protestat” komandohen nga dy hijena, një president që gjithë ditën fotografon karburante dhe i kthen në molotov për protesta dhe një person i damkosur nga SHBA si hajdut dhe minues i demokracisë, që nuk po lë shkak pa përdorur, që t’i tregojë SHBA se ai mund të bëj rrëmuja në këtë vend, ndaj duhet përfillur.
Ai nuk është opozitar. Ai nuk po lufton për ndonjë mekanizëm që ta sjellë në pushtet. Ai po kërkon pazar që ta përfillin dhe të flasin me të për të ardhmen e tij dhe Ilir Metës.
Në Parlament, atje ku Qeveria rrëzohet me vote, ai bashkon votat me Edi Ramën, pasi nuk i duhet pushteti, ndërsa për pasojat e luftës së Putinit, ai nxit turmat duke u treguar çmimin e naftës me shpresë se dikush do negociojë me ta fatin e tyre të mëtejshëm juridik.
Të gjithë ata njerëz të Berishës, që shfaqen me mikrofon në dorë para Kryeministrisë dhe i kërkojnë Edi Ramës llogari pse nuk kemi ARMO-n tonë shtetërore dhe pse jemi në dorë të Putinit në këtë luftë, mbajnë në dorë dhe një foto të Lulzim Bashës për ta fajësuar dhe atë për këtë luftë, si “spiun” të SHBA. Kjo tregon qartë përse kanë dalë e kush i ka nxjerrë.
Po të kishin dalë për naftën, në fakt duhet të mbanin në dorë një foto të madhe të Liri Berishës me Rezart Taçin, nga dhjetëra foto që bënte çdo javë në vitin 2008 me të duke bërë “ankande bamirësie”, duke mbledhur miliona euro për vete, që ARMO, ajo pasuri e shtetit, të shkonte në duart e një spekulanti dhe sot të ngeleshim pa rafineri, pa kompani shtetërore nafte dhe pa mundësi përpunimi.
Është një dhuratë që e kemi nga “shenjtorja” Liri Berisha, burri i saj Sali Berisha dhe fëmijët e saj të pangopur. Për fat janë damkosur të katërt nga SHBA, por të paktën të mos vajtojnë para shqiptarëve për naftën që nuk e përpunojmë dot më. Falë tyre dhe milionave që kanë çuar në shtëpi nga ajo naftë, falë disa aktivistëve që shfaqen sot në tribunë e dje kanë qenë në borderotë e kësaj mafie nafte, nuk e bëjmë dot.
Kjo është mënyra se si një opozitë e vdes opozitarizmin në Shqipëri. Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkojnë votat me Qeverinë aty ku mund ta rrezikonin atë dhe pastaj gjejnë rastin e ofruar nga lufta e Putinit të duket sikur bën opozitë për çmimin e naftës, pasi e shikojnë këtë si një rast që me ta duhet të bisedohet. Duke i bërë naftën opozitarizmit.
Dhe Edi Rama po argëtohet mjaftueshëm me llojin e opozitës së tyre. Në mos është bërë kryeministri më i mirë i Shqipërisë, ai së paku është bërë kryeministri më i specializuar për protesta në Shqipëri, të cilat nuk i mbyt me gjak si Sali Berisha, por i mbyt me Sali Berishën.