Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë shqyrtimin e kërkesës së Partisë Republikane, në seancë plenare, për lejimin e mitingjeve elektorale dhe të gjitha llojet e grumbullimeve të njerëzve, të ndaluara nga qeveria për shkak të pandemisë COVID-19.
Partia Republikane me në krye Fatmir Mediun depozitoi në 4 dhjetor 2020 një padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin dhe shfuqizimin e urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut, të datës 17 nëntor, që ndalon grumbullime me shumë se 10 persona, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë martesore etj.
Shqiptarja.com e Rtv permes gazetarit Arsen Rusta mëson nga burime të sigurta se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim paraprak ditët e fundit në dhomë këshillimi, me një trupë prej tre anëtarësh, për të shqyrtuar këtë kërkesë në seancë plenare.
Me këtë vendim paraprak, 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen për të vendosur, për konfirmimin ose rrëzimin e urdhrit të autoriteteve shëndetësore për ndalimin e grumbullimeve.
Për të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje, Kushtetueses i duhen disa muaj, pra përtej zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Por, sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese, kryesisht ose me kërkesë të palës paditëse, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve sipas rastit, urdhëron pezullimin e ligjit ose të aktit deri në një vendim përfundimtar.
Sipas Fatmir Mediu “vendimi për ndalimin e aktiviteteve politike bie ndesh me Kushtetutën, krijon pabarazi politike në një kohë që jemi në proces zgjedhor. Partive politike u mohohet kjo e drejtë dhe më problematike është mungesa e barazisë”.