Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Përmes një reagimi në platformën ‘X’, Spiropali shkruan se sot morën përgjigje akuzat e shpifjet, teksa shton se qëndrimi i maxhorancës për Xhaçkën, nuk ishte një qëndrim politik apo partiak, por një qëndrim kushtetues.
Reagimi i Spiropalit:
Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit!
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë! Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time.
Kam bindjen se ky opinion i drejtë do i shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen.