Nga Uvil Zajmi
Një histori që shumë pak mund ta dinë, ose pak është dëgjuar e shkruar. Disa dekada janë lënë pas, nga mesditja e së enjtes së 11 prillit të vitit 1985, kur u dha lajmi zyrtar nga radio e tv se Hoxha kishte ndërruar jetë, deri ditën e hënë kur u ai varros në varrezat, “Dëshmorët e Kombit”.
Një Shqipëri e përfshirë në ato katër ditë zie kombëtare, ku nuk flitej për asgjë tjetër, vetëm për jetën, vdekjen e tij. E ndërkohë, vetëm 24 orë pas ceremonisë së përmortshme të varrimit të Enver Hoxhës, arkivoli me trupin e tij do të nxirret nga varri për të kryer një proces të pazakontë, pa zhurmë e në fshehtësi, pasi duhej bërë hermetizmi i plotë i tij.
Një hermetizëm të shpejtë e i domosdoshëm i arkivolit.
Por, si erdhi ideja, pse aq shpejt, kur ai proces nuk ishte aplikuar më parë në Shqipëri, aq më shumë për një udhëheqës? Si u veprua me trupin pa jetë të diktatorit komunist, cili ishte grupi i punës, teknikët specialistët që realizuan atë proces, sa delikat, të vështirë, të frikshëm dhe tepër sekret.
Grupi i punës që u angazhua përbëhej prej tre punonjësish të Uzinës Elektromjekësore në Tiranë: Ermir Dulçe, inxhinier mekanik, përgjegjës i Byrosë Teknike si dhe dy specialistët, teknikët Vehbi Dingu dhe Xhelal Cenomeri, të tre me një eksperiencë shumëvjeçare në UEM.
“Them se ajo ka qenë eksperienca e parë dhe e fundit në Shqipëri. Mbyllja, hermetizmi u bë për arsye që trupi t’i rezistonte kohës, dekompozimit. Të gjitha materialet i kishin sjellë nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, se nuk kishin besim tek askush. 24 orë punë intensive, me përgjegjësi të madhe dhe nën mbikëqyrjen e civilëve dhe ushtarëve të Gardës.
Gjithçka u mbajt në fshehtësi, sekret i plotë, askush në ndërmarrje, familje, nuk u informuan për atë që do të bënim as kur e përfunduam”, rrëfen për “Panorama”, inxhinieri Dulçe sot pas tri dekadash nga ajo ditë-natë e frikshme, plot tension e prillit 1985.
Z. Dulçe, pak mund ta dinë, çfarë ka ndodhur me arkivolin e Enver Hoxhës, vetëm një ditë pas varrimit, si e kujtoni atë kohë, atë moment?
Një situatë delikate atë javë, atmosferë mbytëse, kërkohej shumë kujdes për gjithçka. Katër ditë homazhe, ata që e kanë përjetuar, e dinë mirë. Dhe është e vërtetë, se as 24 orë nuk kishin kaluar nga varrimi në sektorin pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, te varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, krejt papritur, ishte vendosur që arkivoli me trupin pa jetë të diktatorit komunist do të nxirrej sërish.
Një pyetje para se të flasim për procesin e zhvarrosjes, si veprohej me arkivolin e Enver Hoxhës gjatë ditëve të homazheve?
Me sa më kujtohet, arkivolin me trupin e Hoxhës, pasi kishin përfunduar homazhet e ditës në Kuvendin Popullor, në mbrëmje e sillnin në morg, e vendosnin në dhomën frigoriferike dhe e merrnin në mëngjes. Edhe në morg kishte gatishmëri, një angazhim të madh nga të gjithë. Deri edhe për trukun ishin përzgjedhur më të mirët që kujdeseshin për pamjen e jashtme të fytyrës pa jetë të tij. Pastaj ceremonia mortore paradite ka qenë, ora 10:00 e enjte. Një Tiranë, Shqipëri e ndalur, asgjë nuk dëgjohej, nuk lëvizte, heshtje absolute, vetëm marshe, muzikë funebre. Në sheshin kryesor u mbajtën fjalimet e rastit pastaj drejt varrezave “Dëshmorët e Kombit”. Ka qenë një ditë e zymtë dhe shi me sa më kujtohet.
Vjen ideja, propozimi për hermetizimin e arkivolit, pse ky nxitimi?
Propozimi kishte ardhur nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare me idenë, sa më shpejt të hermetizohej për të evituar gjithçka që mund të ndodhte, nisur nga rrethanat, kushtet atmosferike, uji, lagështira që mund të futeshin e ta dëmtonin. Duke menduar se ajo strukturë bashkë me trupin do të rezistonin me kohëzgjatje pa fund, duhej mbyllur në mënyrë krejtësisht hermetike.
Po, ka qenë e martë paradite, kur në UEM erdhi Ismail Çela, ish-punonjës dikur te ne, i cili e njihte mirë si funksiononte ajo ndërmarrje. Në atë kohë ai punonte në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe pasi kishte folur me drejtorin Arif Gjati, më thirrën mua, Vehbi Dingun dhe Xhelal Cenomeri, të dy specialistë, njerëz seriozë, të qetë dhe shumë të përgatitur, sidomos në të tillë profile, ku ishin tejet të specializuar. Për punime llamarine në atë kohë UEM ishte e para në Tiranë.
Pa ju thënë asgjë më parë?
Absolutisht, u takuam në zyrën e drejtorit ku ishte edhe Ismaili, k/inxhinieri i ndërmarrjes, H. Toska. Nuk dinim asgjë, por aty na informuan duke na thënë se jeni ngarkuar me një detyrë të rëndësishme. Si është problemi, pyetëm ne të habitur pa e kuptuar se për çfarë bëhej fjalë. “Do të hermetizoni arkivolin e Enver Hoxhës”, ishte përgjigjja. Dhe për të siguruar leje-hyrjen në varreza, në zonën ku ndodhej varri, na kërkuan gjeneralitetet tona. Sinqerisht u befasuam, dolëm pa fjalë, u kthyem në vendet e punës. Si të shokuar ishim, nuk e prisnim, por as e mendonte njeri, që pas një dite, arkivoli i Enver Hoxës do të nxirrej nga varri.
Dhe direkt te varrezat “Dëshmorët e Kombit”?
Të nesërmen në mëngjes na thanë që rreth orës 8:00 të ishim lart te varrezat “Dëshmorët e Kombit”. Sigurisht, duke na udhëzuar që të mos e bisedonim me askënd. Asnjë fjalë në ndërmarrje, ndonëse askush nuk e dinte dhe as nuk kuptuan gjë. Por, edhe sikur dikush ta dinte, nga frika nuk guxonte të na pyeste. Gjetën një justifikim që munguam të nesërmen. Vetëm një mik, Ronald Lamanit, përgjegjës reparti më vonë më ka pyetur dhe ia kam treguar.
Pse hermetizëm, një proces që kërkon edhe njerëz të specializuar?
Arkivoli ishte prej dërrase, një material i cilësisë së parë, e kishin realizuar në “Misto Mame”. Ato prodhuan 3-4 të tillë, me mundësinë për të zgjedhur më të mirin. Edhe aty ishin angazhuar inxhinierë, specialistë, e mendoni vetë si veprohej në raste të tilla. Jo në raste të tilla, por saktësisht në një rast si ai. Hermetizim? Që t’i rezistonte sa më shumë kohës, proceseve kimike nën dhe, pasi nuk ishte i balsamosur. Për këtë u autorizuam vetëm ne të tre dhe procesi do të kryhej te varrezat.
Njerëz të besuar na konsideruan, edhe pse asnjë nga ne nuk ishte i organizuar, as anëtar partie kur për të tilla ngjarje, të tillë persona, zgjidheshin siç veprohej në atë kohë, që jepnin siguri politike në radhë të parë. Aq sa edhe ne u befasuam, se nuk i plotësonim këto kritere. Menduam se do të na dërgonin paraprakisht për të parë kushtet, rrethanat, vendin, për të krijuar idenë si do të organizonim punën, si do vepronim e punonim. Por asgjë, vetëm çfarë dhe si na informuan në drejtori gjatë bisedës që bëmë aty. Kërkuan garanci për punim me cilësi të lartë dhe kaq. Ajo ishte një eksperiencë jo e praktikuar dhe kjo e shtonte përgjegjësinë, por edhe frikë.
Materialet, gjithçka e sjellë prej tyre?
Para se të ndaheshim, kujtoj se na thanë që të gjitha materialet i kishte siguruar Drejtoria Qendrore. Nga fletat e plumbit, me të cilat do të bëhej veshja, pajisjet, veglat e punës, gjithçka. Donin që edhe në këtë drejtim të ishin të sigurt, nuk kishin besim tek asnjeri.
Mëngjes herët, jeni te “Dëshmorët e Kombit”?
Ora 8:00 kemi qenë lart te “Varrezat e Dëshmorëve”. Varri ndodhej pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, i ruajtur me ushtarë të armatosur të Gardës si dhe 4-5 civilë o më shumë. Erdhi edhe Sulo Gradeci, por nuk qëndroi gjithë kohën aty. Ndërsa Ismail Çela po, nuk u largua asnjë çast. Asnjë bisedë tjetër nuk mund të bëhej, përveç çështjeve teknike të procesit që po kryenim duke ndjekur punën tonë. Kujtoj se kishte edhe dy-tre persona të Dekorit të Tiranës, që kujdeseshin për faqet anësore të varrit duke i veshur me polisterol, një material që garanton temperaturë të freskët ruajtje.
Ju drejtonit punimet, si vepruat?
Kur shkuam, varrin, i cili ishte i përmasave të mëdha, jo si ata të zakonshëm me një mbulesë mermeri, e gjetëm të hapur. Arkivoli qëndronte poshtë, 1 metër e gjysmë afërsisht nga sipërfaqja e tokës. Mbaj mend se Enver Hoxhës i dukej fytyra nga një xham i vendosur në kapakun e arkivolit. Nuk kishte asnjë nga familjarët dhe ne nuk kishim asnjë informacion si do të veprohej, aty na thanë, na treguan. Unë kisha detyrë të drejtoja punimet.
Z. Dulce, asokohe u fol se në arkivol, bashkë me trupin e Hoxhës ishte edhe një medalje e 40-vjetorit të themelimit të Partisë, dhënë në vitin ‘81 vetëm atyre që kishin mbi 30-vjet anëtarë partie. Por, ndryshe nga të tjerat që ishin të zakonshme, ajo e Hoxhës, siç edhe u fol, ishte e punuar në flori? E patë një të tillë, kur arkivoli doli në sipërfaqe?
Mundet që të jetë kështu dhe ky fakt të jetë i vërtetë, gjykoj që medalja duhet të ishte e vendosur në xhaketën e tij. Por, mbaj mend se Enver Hoxhës i dukej vetëm fytyra nga një xham i vendosur në kapakun e arkivolit. Asgjë më shumë.
Të kthehemi tek procesi juaj i punës, u aplikua mënyra me vakum për hermetizim?
Që kufoma të ruhej gjatë dhe pa u dëmtuar duhet të krijohej vakum, pra, të hiqej ajri, pasi me kalimin e kohës, vetvetiu do të kishte oksidim, sigurisht jo të shpejtë si në rastet normale. Por vakumi nuk u përdor, jo se kërkonte pajisje speciale, se ato i gjenin, i siguronin edhe nga jashtë mund t’i sillnin. Gjykoj se koha nuk priste. Ndoshta mund të ishte bërë para se ta varrosnin, por ishte një proces që donte kohë. Kujtoj se ka qenë kohë e mirë, që na lehtësoi punën, pra, kushtet atmosferike ishin të përshtatshme. Ishte një moment para se të fillonim, na treguan se kishin një variant që hermetizimi të kryej edhe me percinosje. Por, ne shfaqëm idenë, i bindëm dhe sugjeruam mënyrën e montimit, bashkimit të pllakave me ngjitje, për një saldim të sigurt me kallaj, që garantonte hermetizim total.
Nis puna, kishte vështirësi?
Nuk ishte punë e lehtë. Fillimisht duhej vendosur e punuar pjesa e poshtme, pra, bazamenti. Për këtë arsye, arkivoli duhej ngritur lart, që ne të mund të punonim dhe pastaj, mbi bazamentin e krijuar tërësisht me plumb, do të vendosej arkivoli me trupin. Ky ishte procesi i parë.
Një ditë dhe një natë punë pa ndërprerje?
Kemi punuar 24 orë pa u ndalur, gjithë ditën dhe natën nën ndriçim, që e kishin siguruar ata. Aty na kanë sjellë vetëm drekën. Na thanë që duhet të mbarojë sa më shpejt. Unë qëndroja në këmbë dhe ndërsa dy kolegët punonin, u hidhja me kujdes nga një vështrim personave civilë që rrinin pranë e ndiqnin me vëmendje, por pa folur. Fytyrat e tyre më shërbenin dhe ishin si një pasqyrë që unë mund të kuptoja situatën, se si po shkonte puna jonë.
Gjithmonë në mbikëqyrjen e rojeve dhe civilëve? Ajo nuk ishte vetëm një punë me përgjegjësi, se edhe mundet të gabohej. Kryesisht nga presioni i madh psikologjik kur ke mbi kokë, ushtarakë me armë në dorë, civilë që të ndjekin orë e çast çdo veprim tëndin. Dhe për një njeri që punon në të tilla kushte, nuk është normale dhe e ndjen presionin.
Më thatë se të gjitha materialet i kishin siguruar ata?
I sollën me makinë, nuk pranonin asgjë, asnjë material nga të tjerët. Nga fletat e plumbit, me të cilat do të bëhej veshja, pajisjet, veglat e punës etj. Edhe kur i thoshim se nishadër kemi në uzinë mund ta merrni, aty, “Jo, m’u përgjigjën, mbylle gojën e sjellim ne”. As Ismaili nuk kishte forcë të sugjeronte, nuk e kishte në dorë.
Cili ishte procesi, si veprohej për raste të një profili të tillë?
Duhen pajisje ngrohëse, pastaj kallaj, pasi plumbi ngjitet lehtësisht. Një lloj saldimi është. U përdor një fletë plumbi me një spesor të trashë 4-5 mm. Punimet për bazën i kryem jashtë me arkivolin e ngritur lart nga një fadromë dhe që e vendosëm në një bazament provizor metalik. Ndërkohë, pasi punuam dhe përfunduam bazamentin prej plumbi, e instaluam poshtë në varr dhe mbi të u vendos arkivoli. Pjesët e tjera i përgatitëm jashtë dhe i punuam brenda në varr, që siç thashë ishte përmasave e dimensioneve të mëdha dhe brenda tij mund të punoje pa vështirësi. Me bazamentin u bashkuam katër faqet anësore, pastaj u ngjit edhe pjesa e sipërme, tavani. Një formë drejtkëndëshi. Gjithçka në mënyrë hermetike, që arkivoli të mos pësonte asnjë lloj dëmtimi, si dhe për të shmangur sa më gjatë oksidimin, mykun etj. Pasi përfunduam, na pyetën a mbaruam. Po, iu përgjigjëm. Se ai nuk preket, na thanë, duke i vendosur pllakën e sipërme prej mermeri. Nuk u larguam menjëherë e për të qenë të sigurt, qëndruam aty deri në mëngjes.
Pa menduar se pas 5 vitesh ai do të nxirrej sërish e do të transferohej në Sharrë. Në foto duket se kufoma ka pësuar dekompozim?
Hapja ka ndodhur më 1992 dhe vetëm nga fotot çfarë kam parë, duket që fytyra ishte dekompozuar. Kjo, siç e shpjegova më sipër, pasi që të ruhet një kufomë, duhet të krijohet vakum. Me kalimin e viteve, veprojnë të tjerë faktorë kimikë që e dekompozojnë. Nuk e di si kanë vepruar për ta nxjerrë, pasi pas hermetizimit varrin brenda dhe e kanë betonuar.
Tek UEM është punuar edhe skeleti metalik për mozaikun e Muzeut Kombëtar bashkë me përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut?
Po, është e vërtetë. Bëhet fjalë për mozaikun që ndodhet në pjesën ballore të Muzeut Kombëtar. Ka qenë viti 1980, ishte një punë kolosale, voluminoze. Duhej një armaturë metalike e përmasave të mëdha, e ndarë në disa blloqe që do të shërbente e ku do të punohej, montohej mozaiku. Një proces kompleks. Por, për atë muze, tek UEM është realizuar edhe përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut. Gjithçka me dorë nga një mjeshtër, djalë i talentuar Rajmon Hoti që nuk jeton. I sollën fotot e origjinale dhe ai punoi për rreth dy muaj, krijoi një vepër arti shumë të bukur, kopje të përkryer, si origjinali dukej, që edhe kur e shihnin mendonin se e kishin sjellë nga muzeu i Vjenës. U vendos aty, ditën kur u përurua. Mondit i sollën fotot e origjinale dhe ai e imitoi me shumë profesionalizëm. As edhe një shpërblim, ose fletë lavdërimi nuk i dhanë. Nuk e di janë apo jo aty sot.
Edhe sfera me yllin e piramidës aty janë realizuar?
Ajo ishte një gjysmë sfere, me strukturë metalike dhe me një xham, apo material transparent. I përmasave të mëdha, e tillë ishte projektuar për t’u vendosur në majën e piramidës. Mbi të, horizontalisht do të vendosej edhe një yll me strukturë metalike. Ka qenë një punë e madhe, e vështirë, duheshin pajisje, presa speciale. UEM kërkoi që ai të bëhej në Repartin Instrumental të Uzinës së Traktorëve, pasi kishin mundësi, si dhe pajisjet e duhura. Por u kundërshtua dhe u ngarkua Byroja Teknike tek ne që punoi intensivisht. Krahët ishin të gjatë rreth 5 metra e për bashkimin e tyre kërkohej saktësi. U përdor një tub special me diametër 70mm, që erdhi nga Japonia. Një muaj punë, e përfunduam, viti 1988 duhet të ketë qenë. Kur futeshe në mjedisin e brendshëm të piramidës e ngrije kokën lart, dukej sfera e madhe prej xhami që reflektonte hapësirën, qiellin. Tek UEM bëheshin edhe kornizat metalike të përmasave të mëdha, për fotografitë e anëtarëve të byrosë politike që vendoseshin në ballinat e ministrive.