Një operacion ndërkombëtar është zhvilluar në 27 vende të botës nga Europol, duke çar në pranga 330 persona, ku 19 prej tyre janë arrestuar në Shqipëri.
Operacioni është zhvilluar në periudhën 15-18 shtator, dhe në të janë shënjestruar persona për vepra të ndryshme penale si trafikim armësh, lëndësh narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Pas informacionit të publikuar nga Europol më 28 shtator, këtë të shtunë, Policia e Shtetit njoftoi edhe për rolin që ka luajtur gjatë këtij operacionit, të quajtur “Ditët e Përbashkëta”.
Në Shqipëri janë arrestuar 19 persona, ndërsa është nisur procedim penal ndaj 18 të tjerëve, ndërsa një person është shpallur në kërkim. Të gjithë personat e përfshirë akuzohen për vepra të ndryshme penale si prodhimi dhe shitja e narkotikëve në 14 raste, dhënie ndihmë për kalim të paligjshme të kufirit (lehtësimit të migracionit të paligjshëm) në 8 raste, prodhimi dhe shitja e narkotikëve dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve në 3 raste, trafikim i mjeteve motorike në 2 raste, falsifikimi i dokumenteve (mashtrimit me dokumentet) në 1 rast, kalimi i paligjshëm i kufirit në 1 rast dhe armëmbajtje pa leje në 1 rast. Gjatë operacionit në Shqipëri, janë sekuestruar dy armë zjarri, lëndë narkotike, kokainë, heroinë, e kanabis si dhe janë bllokuar 143 emigrantë të paligjshëm.
Operacioni është zhvilluar në 17 vende anëtarë të BE dhe 10 vende jo anëtare. Në total u përfshinë 11 mijë efektivë. Gjatë operacionit u sekuestruan 154 armë zjarri (mes të cilave 65 pistoleta dhe 86 pushkë), 57 granata dore dhe lëndë shpërthyese, 2125 municione, 719 kg kanabis dhe 920 rrënjë marijuane.
“Ballkani Perëndimor është një nyje kyçe për trafikimin e armëve drejt vendeve të BE”, thotë Europol. “Trafikimi i armëve shkon paralel me atë lëndëve narkotike, pasi armën janë të nevojshme për fitimin dhe ruajtjen e territorit që përdoret si treg për drogën. Çmimet e armëve në Ballkanin Perëndimor janë në rritje momentalisht, edhe pse mbeten ende shumë më të lira sesa në vendet e Europës Perëndimore”.