Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ktheu dje një përgjigje të prerë opozitës sa i takon sulmeve të kësaj të fundit për procesin e Vettingut dhe vendimet e marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. PD-LSI, në unison me njëra-tjetrën ditët e fundit kanë akuzuar vazhdimisht trupën gjykuese të KPK se po mban qëndrime me dy standarde dhe se është e kapur nga qeveria. Madje ata kanë kërkuar edhe përjashtimin e trupës gjykuese.
“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk spekulon mbi akuzat që lidhen me procesin e vetingut. Përgjithësisht ONM mendon se procesi i vetingut po zhvillohet brenda kuadrit ligjor dhe bazuar në zbatimin e parashikimeve ligjore. ONM do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces.
Çdo përpjekje për të influencuar procesin e vetingut, ose përpjekje për të intimiduar punën e institucioneve të vetingut, nuk do të tolerohen”, tha ONM dje në një reagim mediatik. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit theksoi më tej se vëmendja e vëzhgueseve do të jetë shumë e madhe ndaj procesit të vetingut.
Sipas ONM, nëse do të ketë raste për të apeluar, vëzhguesit do ta rekomandojnë një gjë të tillë. “Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së analizojnë çdo dosje të vetingut. Kur në këndvështrimin dhe opinionin e tyre ekziston nevoja për të apeluar raste të caktuara, ata do t’i rekomandojnë Komisionerit Publik për ta bërë një gjë të tillë, ashtu siç ka ndodhur. Bazuar në nenin 65, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit të Vetingut, është në kompetencë të Komisionerit Publik të vendosë nëse do ndjekë ose jo rekomandimin. ONM beson se trupa e Apelit do të rishikojë tërësisht të gjitha çështjet që shqyrton”, tha ONM.
Rekomandimet për apelim
Sipas ”SOT”, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i është dhënë e drejta që të vëzhgojë dhe asistojë punën e komisionit të vetingut në seancat dëgjimore, si edhe e drejta e rekomandimit për apelim. Sipas ligjit, vetë ONM nuk mundet që të apelojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por një gjë të tillë mund t’ia rekomandojë ta bëjë Komisioneri Publik.
Më pas, është në dorën e këtij të fundit nëse pranon të ankimojë vendimin ose jo. ONM ka kërkuar që të rishikohet vendimi për dy krerët e gjykatave më të larta në vend, Bashkim Dedja (Gjykata Kushtetuese) dhe Xhezair Zaganjori (Gjykata e Lartë). Gjatë prononcimit mediatik, ONM u shpreh se për këto dy raste nuk është dakord me vendimin e KPK për rikonfirmimin e tyre në detyrë.
“ONM i ka rekomanduar Komisionerit Publik të apelojë kundër vendimit që konfirmoi në detyrë kreun e Gjykatës Kushtetuese. Komisioneri Publik ka ndjekur këtë rekomandim dhe ka dorëzuar apelimin për këtë rast.
Baza për këtë rekomandim, nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë shtrihet në faktin se ONM nuk është dakord me arsyetimin dhe përfundimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për këtë rast. Më 6 Gusht 2018, u rekomandua apelimi mbi të njëjtat baza, për rastin e kreut të Gjykatës së lartë, i cili u konfirmua në detyrë me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 24 Korrik 2018. Është përsëri në të drejtën e Komisionerit Publik të vendosë ose jo të ndjekë këtë rekomandim”, tha ONM.