Ndërkombëtarët “kërkojnë” kokën e Besim Hajdarmatajt. Kur të gjithë prisnin që të fundosej gjatë vetingut, Hajdarmataj doli i pastër në kriterin e pasurisë dhe të figurës, duke u konfirmuar në detyrë. Por ONM ka mbetur i pakënaqur nga vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili dje i ka rekomanduar Komisionerit Publik që të ankimojë vendimin e KPK-së në Kolegjin e Apelimit.
“Në datën 4.12.2019, ONM u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të z. Besim Hajdarmataj. Komisionerët Publikë, pasi të njoftohen me shkrim për vendimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të ONM”, shkruhet në njoftimin zyrtar të IKP-së.
Argumentet e ndërkombëtarëve
Në tetor të këtij viti, prokurori doli përballë KPK. Hajdarmataj u konfirmua në detyrë, por dyshimet mbi një dosje hetimore të vjetër shtynë KPK ta referonin atë për procedim disiplinor. Por ONM-ja nga ana tjetër nuk është mjaftuar me aq. Duke u fokusuar tek denoncimet që kanë ardhur në emër të prokurorit, ONM-ja ka evidentuar një sërë akuzash kundrejt prokurorit, ku pas referimit nga denoncimet e ardhura, ka kryer një hetim të thellë. Për një çështje në Kurbin, për veprën penale “Kundërshtim të forcave të policisë”, dyshohet se prokurori i çështjes ka mbyllur hetimin në favor të shtetasit të përfshirë.
Në përfundim të hetimit, sipas ndërkombëtarëve, provat ekzistonin kundër të dyshuarve, duke shtuar se qëndrimi i prokurorit ishte i paqartë. Një çështje në Përmet, ku policia sekuestroi 11. 650 kg kanabis sativa dhe arrestoi 3 persona, të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal, prokuroria nisi të hetojë çështjen dhe pas dy ditësh shpalli mos-kompetencë duke e kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Prokurori i çështjes, Besim Hajdarmataj e regjistroi çështjen me akuzën “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” në formën e bashkëpunimit dhe grupit të strukturuar kriminal. Tre muaj më vonë, prokurori vendosi të pushojë akuzat, duke përjashtuar lidhjen me grup të strukturuar kriminal dhe duke e kaluar çështjen në Gjykatën e Përmetit.
Për këtë, ONM-ja konstaton se hetimi ishte i shkurtër, mungonte strategjia dhe hetimi është kryer për një kohë shumë të shkurtër, duke konfirmuar mungesën e një angazhimi të vendosur për të ndjekur strukturën kriminale në tërësi. “Në argumentet e tij me shkrim dhe me gojë, prokurori argumentoi se në cilësinë e prokurorit ai nuk mund të luante asnjë rol në këtë çështje, kështu që ai nuk mund të mbante përgjegjësi”, shkruhet në ankimimin e ONM-së.
Konstatimet
Ndërkombëtarët lidhur me këtë çështje kanë arritur në përfundimin se gjetjet kundër prokurorit nuk kanë të bëjnë me aftësitë e tij profesionale, por një çështje individuale. Gjetja tjetër, ka të bëjë me operacionin e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me atë italiane, të cilët kanë sekuestruar 780 kg kanabis të paketuara në një çantë. Për këtë u arrestuan 6 persona dhe sipas ndërkombëtarëve, pas arrestimit të të dyshuarve, nuk ka pasur asnjë hetim. Të arrestuarit u gjykuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe u dënuan në Shkallë të Parë për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Lidhur me çështjen ONM-ja u tha se prokurori duhet të bënte një hetim intensiv. ONM tha se ky hetim për një vit ishte in-aktiv. /Ornela Çelpica