I bashkon jo vetëm pasioni për kalërimin tek “Equos Resort”, por edhe disa histori të tjera, si interesa të errëta dhe fijet klienteliste me Ministrinë e Shëndetësisë, degën e qeverisjes me numrin më të madh të dosjeve në SPAK.
Bëhet fjalë për Onejda Ymerajn, oligarkun Klod Allajbeu dhe ‘satelitin’ e tij Arbër Teqja, i cili është bashkëshorti i zonjës Onejda Ymeraj, e cila pretendon se erdhi në Shqipëri pas një karriere si balerinë në Itali.
Nga punonjëse në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, Klod Allajbeu i besoi Onejda Ymerajt drejtimin e Spitalit Amerikan në vitin 2014. Arsyet e këtij katapultimi janë gjysmë të turbullta.
Ishin muajt që sapo ishte ndryshuar pushteti dhe Allajbeu po kërkonte lidhje të reja klienteliste, për të ruajtur interesat financiare që buronin nga sistemi shëndetësor publik, përmes zaptimit të ambienteve të Spitalit Ushtarak, tenderave, kontratave me hije korruptive etj., por edhe projektimin e interesave të reja, siç ishte finalizimi i koncesionit të nderë të hemodializës me vlerë rreth 80 milionë euro, tenderat miliona euro, kontrolli i shërbimit shëndetësor privat drejt monopolizimit etj.
Në maj të viti 2015, befas Onejda Ymeraj, si të kapërcente një pengesë me kalë, kaloi nga drejtuese e Spitalit Amerikan në drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
A ndërhyri oligarku për ta emëruar në atë post, me qëllim për ta përdorur për intetesat e tij?
Që këtu ka vend për hetim, por e sigurt është se Onejda Ymerajt ishte në konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj Arbër Teqja ishte i përfshirë në biznesin e pistë të barnave, në skema korruptive, mashtrim etj.
Megjithatë, Onejda Ymeraj, sapo mori detyrën që i dhanë, deklaroi se do të kontrollonte depot farmaceutike dhe nuk do të toleronte asnjë abuzim.
Pas një muaj, befas Onejda Ymeraj dha ‘dorëheqjen’ pa shpjegim dhe u kthye sërish në tek spitali i Allajbeut, me pagë rreth 6 milionë lekë në muaj.
Nuk do të kalonin shumë kohë dhe skandali ku ishte përfshirë edhe burri i saj, Arbërt Teqja, do të plaste në publik.
Pas një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, Arbër Teqja u arrestua në nëntor 2015 si pjesë e një skeme mashtrimi dhe vjedhjeve të parave publike, përmes rimbursimit të medikamenteve me anë të farmacisë “Express”, të cilën e administronte.
Arbër Teqja ishte pjesë e grupit me mbi 20 persona, që prodhonte receta false dhe merrte para publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në krye të grupit qëndronte Nadir Çausholli, një emër i njohur për aferat me barnat.
Teqja jo vetëm doli shumë shpejt nga qelia dhe i shpëtoi ndëshkimit, por deri më sot ka marrë rreth 40 tendera në sektorin e shëndetësisë, me kompaninë e krimeve mjedisore Eco Riciklim, gjoja për riciklimin e mbetjeve spitalore.
Dokumentet zyrtare tregojnë se ‘Eco Riciklim’ ka marrë paratë publike për gjoja asgjësimin e mbetjeve spitalore, por nuk ekziston dokumentacioni real për të faktuar procesin e asgjësimit deri në hallkën fundore siç parashikohet në kontrata.
Po si dhe kush e mbylli dosjen penale të Arbër Teqjas, për skemën e vjedhjes me rimbursimin e recetave fiktive?
A është implikuar edhe Onejda Ymeraj në aferën e 2015?
A do ta hapë dosjen SPAK si grup i strukturuar kriminal?
Cilat janë historitë e tjera që lidhin Onejda Ymerajn, Klod Allajbeun dhe Arbër Teqjan?
Pasioni për kalërimin
Klodian Allajbeu është edhe drejtor ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Sporteve me Kuaj si dhe administrator i Organizatës Kombëtare Antidoping.
Pista e hipizmit është pjesë e resortit “Equos Resort” në Mullet të Tiranës, ku dyshja kanë rreth 20 kuaj. Resorti ka një sipërfaqe mbi 100 mijë m2, ku përfshihen edhe 7 pishina gjigante, suita, restorante etj., ngritur me para me burim të paqartë dhe që është monitoruar për punë të liga.
Resorti me vlerë miliona euro administrohet nga Arbër Teqja, ndërsa pronar në hije dyshohet se është pikërisht ustai i tij Klodian oktapodi, kamufluar me dy personazhe anonimë.
Pista e hipizmit frekuentohet herë pas here edhe nga Onejda Ymeraj.