Një ditë pasi PDIU zyrtarizoi koalicionin me PD, organizata e minoritetit grek, OMONIA i ka kërkuar kreut të PBDNJ, Vangjel Dule që të ripërcaktojë raportet politike pas zhvillimeve të fundit politike brenda koalicionit opozitar.
Në një deklaratë për mediat, kjo organizatë shprehet e shqetësuar lidhur me lëvizjet e fundit në frontin opozitar, duke i konsideruar si kontaminime anakronike të panevojshme.
Deklarata e plotë
Shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet në frontin e Opozitës në Shqipëri nën kryesimin e Partisë Demokratike. Adoptimi në këtë grupim të forcave politike, platformash që cënojnë mbarëvajtjen e praktikave të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, kufizon në fakt rrezikshëm nivelin e manifestimit publik të programeve mirëfilli europianizuese.
Si Minoritet Etnik Grek kemi qenë dhe ngelemi të angazhuar në nxitjen e zhvillimeve politike në drejtimin e kristalizimit të forcave dhe programeve që kanë në epiqendër integrimin e vendit në familjen Euroatlantike dhe imunizimin e shoqërisë nga propozime anakronike nacionaliste, që vetëm se minojnë përpjekjen për kohezion social, prosperitet dhe progres të popullit shqiptar.
E çmojmë si lëvizje të panevojshme dhe të parargumentuar zhvillimin e djeshëm dhe tekstin shoqërues të marrveshjes së koalicionit reciprok. Logjika e numrave shpie në spekulime jo të shëndetshme për jetën politike. Profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen Euroatlantike është cënuar nga adoptimi i axhendës që minon marrdhënien e qetë me Greqinë fqinje, mbështetës konseguent të zhvillimit real të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Pas kësaj, si OMONOIA i drejtohemi PBDNJ, që pas rikonsiderimit të situatës politike, të ripërcaktojë raportet e saj politike dhe të vijojë të orientojë sipas mundësisë, politikën, në drejtimin e duhur të precipitimit të platformave sterile nga nacionalizimi shterp dhe pa argument./Ora News.tv/