Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë diskutimit në konferencën “Forcimi i drejtësisë penale përmes bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”, deklaroi se janë marrë një sërë masash për të forcuar kapacitetet lidhur me pastrimin e produkteve të veprës penale.
Kryeprokurori tha se bashkëpunimi dhe koordinimi me institucionet si SPAK do të sjellë identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të çdo personi që është i përfshirë në veprimtari kriminale.
“Janë të shumta masat e marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale në luftën ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale, krimit financiar dhe goditjes së aseteve kriminale, duke bashkërenduar punën me të gjithë institucionet ligjzbatuese të përfshira, si në krijimin dhe konsolidimin e një kornize normative të unifikuar edhe për koordinimin në nivel qendror e vendor.
Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe SPAK është i një rëndësie thelbësore për goditjen e krimit të organizuar dhe identifikimin e vënien përpara përgjegjësisë të çdo bashkëpunëtori në veprimtarinë kriminale”, tha Çela.
Kryeprokurori u shpreh se është shumë e rëndësishme që të plotësohen objektivat sa i përket ecurisë së reformës në drejtësi. Ai tha se për të ecur përpara duhet një vështrim kritik ndaj punës që është bërë tani, në mënyrë që të ketë përmirësime. Sipas tij, destinacioni kryesor është funksionimi i shtetit ligjor dhe rikthimi i besimit tek drejtësia.
“Sfidat që na presin janë të shumta dhe ato shtrihen në disa plane. E rëndësishme është të mos humbim fokusin nga objektivat që i kemi vënë vetes kur ndërmorëm këtë reformë. Ne duhet të tregojmë largpamësinë dhe fleksibilitetin e duhur për të ecur përpara përmes një vështrimi kritik ndaj asaj çfarë kemi bërë deri tani dhe se çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen. Destinacioni ynë final është funksionimi i shtetit ligjor dhe rikthimi i besimit të publikut tek drejtësia dhe na përket ne detyra për të arritur aty”, tha ai.