Dyzetë e tetë orë pas rrëfimit kontradiktor të dëshmitarit X, Albert Veliut, i njohur edhe si ‘Babalja’, Partia Demokratike zbuloi ‘asin tjetër nën mëngë’, burimin e dytë të shtrenjtë, në të ashtuquajturën çështja ‘Xhafaj’. Në një video-konferencë, të prezantuar nga Lulzim Basha, u shfaq Jetmir Olldashi.
Ky i fundit, që në krye të rrëfimit tha se punonte prej 16 vitesh në media si “gazetar investigativ”, ndërsa e mbylli versionin e tij, duke thënë se ‘në profesionin tonë të gazetarit, rëndësi ka vetëm e vërteta”. E vërteta është se, emri i Jetmir Olldashit nuk lidhet qoftë edhe me një investigim të vetëm gazetaresk.
Në 16 vitet e fundit të historisë së gazetarisë shqiptare, asnjë investigim serioz dhe profesional, nuk mban emrin e tij. Përkundrazi ai është e njohur më shumë si zëdhënës në disa institucione publike në kohën kur ishte në pushtet Parti Demokratike dhe si pronar e një portali të vogël ekstremist shumë afër me Partinë Demokratike.
Shitja e burimit
Një nga parimet themelore të gazetarisë është mbrojtja e burimit. Ky parim i shenjtë reflektohet gjen mbrojtje si në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë, ashtu edhe në legjislacionin ndërkombëtar. Burimi mund të zbulohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me vendim gjykate. Çfarë bëri ‘gazetari investigativ’ Jetmir Olldashi?
Doli në një konferencë shtypi dhe dekonspiroi burimin, përkatësisht Albert Veliun, dëshmitarin X të Partisë Demokratike. Kryefjala e rrëfimit të tij ishte shitja e burimit, teksa tha se përgjimin e ka kryer Albert Veliu. Dekonspirimi erdhi vetëm 48 orë pasi Veliu deklaroi publikisht që nuk e dinte se kush e kishte bërë përgjimin.
Nga njëra anë ‘gazetari investigativ’ tha se ai dhe burimi ishin të rrezikuar, nga ana tjetër tradhton burimin, duke e ekspozuar ndaj një rreziku. Gjithashtu, nga pikëpamja profesionale, ku publikohet një investigim, fshihet burimi, por jo gazetari. Në rastin konkret, u zbuluar fillimisht vetëm burimi, ndërsa çuditërisht u tentua të fshihej gazetari.
Mbajtja e përgjimit 4 muaj në sirtar
‘Gazetari investigativ’ Jetmir Olldashi në mënyrë të çuditshme ka mbajtur katër muaj në sirtar materialin e pretenduar kundër vëllait të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Një gazetar profesional, një investigim të tillë për një aktivitet të paligjshëm, siç është trafiku i drogës, në interes të publikut, duhet ta publikonte menjëherë.
Në rastin konkret, ‘gazetari investigativ’ mban në sirtar për katër muaj audiopërgjimin dhe befas e publikon një parti politike. Për çfarë e ka mbajtur katër muaj Olldashi audiopërgjimin? Ose gazetari ishte i ndërgjegjshëm që audio që e ka realizuar nëpërmjet Albert Veliut ishte e pavlefshme, ose e manipuluar, ose nuk e kuptohet pse nuk e ka botuar kurrë në media e tij. Ishte në pritje për ta “shitur” dikush?/shqiptarja.com