Departamenti i Thesarit ka publikuar listën e të gjithë të sanksionuarve ndër vite, ku mes tyre janë 29 shqiptarë, nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përditësuar listën e personave të sanksionuar në të gjithë botën. Në kuadër të disa akteve dhe ligjeve, SHBA për vite të tëra ka futur në listë personazhe nga shumë shtete, përfshirë dhe Ballkanin dhe veçanërisht Shqipërinë.
Ne jemi mësuar me sanksionimet që janë bërë vitet e fundit në kuadër të seksionit 7031(c), ku janë futur në listën e zezë Sali Berisha, Adriatik Llalla, Vangjush Dako apo Tom Doshi.
Megjithatë, SHBA prej shumë vitesh ka ndërmarrë sanksione dhe në kuadër të urdhërit ekzekutiv 13304, për emergjencë kombëtare në Ballkanin Perëndimor.
Ky urdhër, i nënshkruar më 2001, nga presidenti i atëhershëm, George W.Bush, ka për qëllim që të përballet me kërcënimin e madh ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së nga persona që janë të përfshirë apo mbështesin dhunën ekstremiste në vendet e Ballkanit Perëndimor, ose ndaj pengesave që mund t’iu bëhen zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje apo ndaj Rezolutës 1244 të OKB-së për Kosovën.
Lista e zezë
Me ardhjen e Joe Biden urdhri u përditësua dhe pjesë e tij u bë dhe Shqipëria, duke futur dhe korrupsionin. Në fillim të verës Biden zgjati efektet e urdhrit ekzekutiv deri vitin që vjen.
“Të gjithë pronat apo interesat mbi pronat që janë në Shtetet e Bashkuara, që vijnë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, ose që vijnë në të ardhmen në pronësi apo në kontroll të një personi në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen: nga asnjë person i përcaktuar nga Departamenti i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit”, thuhet në urdhër, raporton “Pamfleti”.
Politikanë, avokatë dhe ish-luftëtarë të UÇK
Në kuadër të këtij urdhëri, në listë figuron Aqif Rakipi, ish-deputet i PDIU. Madje Thesari Amerikan ka zbuluar dhe emrin e tij të dytë, Skënder Ejylbegaj. Rakipi është sanksionuar financiarisht nga Thesari Amerikan. Nga Shqipëria figuron edhe avokati, Idajet Beqiri në listën e zezë. Ndërkohë pjesa tjetër janë kryesisht nga Kosova dhe janë ish-pjesëtarë të UÇK. Disa emra janë hequr nga lista e zezë, pasi bëhet fjalë për emra që kanë shumë vite aty. Lista e siguruar nga “Pamfleti”, mban datën 12 tetor 2023.
Duhet theksuar se bëhet fjalë vetëm për personat e sanksionuar financiarisht, pasi Berisha me Dakon, Doshin e Llallën janë shpallur të padëshiruar, por ndaj tyre nuk ka pasur masa financiare.
Shqiptarët në listën e zezë të Thesarit Amerikan
1. Xhevat Ademi, Tetovë, Maqedoni
2. Adil Gafurri, Maqedoni
3. Idajet Beqiri, Shqipëri
4. Nuri Behxheti- Tetovë, Maqedoni
5. Spiro Butka
6. Tahir Dalipi
7. Aqif Rakipi (Skënder Ejylbegaj), Elbasan
8. Gafurr Elshani
9. Skënder Hebibi
10. Nevzat Halili, Maqedoni
11. Daut Haradinaj
12. Xhavit Hasani
13. Kastriot Haxhirexha
14. Avdyl Jakupi
15. Izmet Kryeziu
16. Fatmir Limaj
17. Sami Lushtaku
18. Isak Musliu
19. Maliq Ndrecaj
20. Daut Rexhepi
21. Izair Samiu
22. Rexhep Selimi
23. Shaqir Shaqiri
24. Azem Syla
25. Menduh Thaçi
26. Shefit Xhaferi
27. Sami Ukshini
28. Emrush Xhemajli
29. Muhamet Xhemajli
/Pamfleti