Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, pas raportimeve për shkelje sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut, nga trupat ruse që kanë pushtuar Ukrainën.
Kjo kërkesë e iniciuar nga Shtetet e Bashkuara është miratuar me 93 vota për, 24 kundër dhe 58 shtete kanë abstenuar. Në mesin e vendeve që kanë mbështetur pezullimin janë: Shtetet e Bashkuara, kombet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe vetë Ukraina. Kina, Siria dhe Bjellorusia kanë votuar kundër. India, Egjipti dhe Afrika e Jugut kanë qenë në mesin e vendeve që kanë abstenuar.
Përpara votimit, ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun deklaroi haptazi votën kundër. “Trajtimi me anëtarësimin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në një mënyrë të tillë do të krijojë precedent të ri të rrezikshëm dhe do të prodhojë pasoja të rënda. Kina u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku në të njëjtin drejtim për të krijuar mundësi për paqe dhe perspektiva për negociata.
Kina do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të paanshëm dhe të luajë një rol të përgjegjshëm dhe konstruktiv në këtë drejtim”, tha Zhang. Për pezullimin e Rusisë janë nevojitur dy të tretat e shumicës. Pezullimet e tilla janë të rralla. Libia është pezulluar më 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të ish-liderit, Muammar Gaddafi.
Ja çfarë do të thotë ky pezullim
Sipas Reuters, Rusia ka qenë në vitin e dytë të mandatit trevjeçar në këtë Këshill me bazë në Gjenevë, i cili nuk mund të marrë vendime detyruese. Megjithatë, vendimet e tij dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime.
Moska është një prej anëtareve më të zëshme të Këshillit dhe pezullimi nënkupton që ajo nuk mund të flasë dhe të votojë, kanë thënë zyrtarët, ndonëse diplomatët e saj ende kanë mundësi të marrin pjesë në debate. “Ata do të tentojnë të kenë ndikim në Këshill përmes bashkëpunëtorëve të tyre”, ka thënë një diplomat me bazë në Gjenevë. Muajin e kaluar, ky Këshill ka nisur hetime për supozimet e lidhura me shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë krime të mundshme të luftës në Ukrainë.
Reagon Ukraina
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka mirëpritur vendimin e OKB-së ditën e djeshme. “Kriminelët e luftës nuk kanë vend në trupat e OKB-së, të cilët synojnë të mbrojnë të drejtat e njeriut. Mirënjohës ndaj të gjithë anëtarëve që kanë mbështetur këtë rezolutë të rëndësishme dhe kanë vendosur të qëndrojnë në anën e duhur të historisë”, ka thënë Kuleba përmes një postimi në Twitter.
Moska e konsideron vendimin e paligjshëm
Moska e ka cilësuar vendimin e pezullimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së të paligjshëm dhe të motivuar politikisht. Zëvendës ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Genadi Kuzmin u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të refuzojnë rezolutën që pezullon Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, duke e quajtur projekt-rezolutën “një precedent të rrezikshëm”.
Kuzmin ishte folësi i dytë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ditën e djeshme, pas përfaqësuesit nga Ukraina. “Nuk është koha dhe as vendi për teatër,” tha ai. “Projekt-rezoluta që po shqyrtojmë sot nuk ka asnjë lidhje me situatën aktuale të të drejtave të njeriut në terren.” Votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut “është një përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur pozicionin e saj dominues dhe kontrollin total për të vazhduar përpjekjen e saj për kolonializmin e të drejtave të njeriut në marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha përfaqësuesi rus.
“Përjashtimi i mundshëm i Federata Ruse nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut mund të jetë një precedent i rrezikshëm”. Rusia “ka mbrojtur vazhdimisht parimin e bashkëpunimit të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe statusin e barabartë si një nga themelet kryesore të arkitekturës së të drejtave të njeriut”, pohoi ai. Përfaqësuesi rus tha se vendi i tij “hedh poshtë akuzat e pavërteta kundër nesh bazuar në ngjarje të inskenuara dhe falsifikime të përhapura gjerësisht”.