Një ofertë që nuk mund ta refuzoni. Qyteti sicilian ka nxjerrë në shitje shtëpi me vlerë vetëm 1 euro! Shtëpi të vendosura në një kodër, me pamje mahnitëse nga Mesdheu. Sambuca është një qytet i bukur në ishullin e Sicilisë në jug të Italisë.
Shtëpitë kanë dalë në shitje me këtë vlerë të papërfillshme vetëm për të ringjallur komunitetin që ka vuajtur vitet e fundit largimet drejt qyteteve të mëdha. Sambuca nuk është qyteti i pari në Itali që ofron një marrëveshje të tillë, duke joshur pronarë të rinj të shtëpive.
Giuseppe Cacioppo, zëvendëskryetar i Sambuca tha:
“Në krahasim me qytetet e tjera që e kanë bërë këtë vetëm për propagandë, oferta jonë është serioze. Nuk do të ketë asnjë ndërmjetës mes pronarëve të vjetër dhe atyre të rinj.
Ju dëshironi një shtëpi, e merrni atë menjëherë!” Kushti është që pronarët e rinj duhet të kryejnë një depozitë sigurie prej 5 mijë eurosh, si dhe duhet të bëjnë edhe rikonstruksionin e banesës, e cila ka një kosto rreth 15 mijë eurosh.
Pasi ata do të kryejnë rikonstruksionin e banesës, atyre iu rikthehet depozita prej 5 mijë eurosh. Cacioppo thotë se blerësit nuk do të zhgënjehen. “Sambuca njihet si një qytet i bukur”, thotë ai.(Me shkurtime nga CNN)