Më shumë se 234.1 milion doza vaksinash janë administruar në të gjithë botën, e barabartë me 3.1 doza për çdo 100 njerëz. Ekziston tashmë një hendek i madh midis programeve të vaksinimit në vende të ndryshme, me shumë vende që ende nuk kanë marrë një dozë të vetme.
Të dhënat janë mbledhur nga burime qeveritare nga projekti “Bota Jonë në Shifra” (Our World in Data) në Universitetin e Oksfordit. Një person i vaksinuar quhet dikush që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, dhe një person plotësisht i vaksinuar quhet kur ka marrë të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës. Për vaksinën Pfizer-BioNTech, një person i cili është “plotësisht i vaksinuar” thuhet kur ka marrë dy doza.
Ndërsa dozat e vaksinave mbeten relativisht të pakta në shkallë globale, shumica e vendeve i kanë përqendruar përpjekjet e tyre të hershme të vaksinimit në grupe prioritare si ato klinikisht të ndjeshme; njerëzit mbi 60, 70 vjeç dhe më të vjetër; dhe punëtorët e vijës së parë, si mjekët dhe infermierët. Izraeli po vaksinon popullsinë e tij më shpejt se çdo vend tjetër, me 89.6 doza të administruara për çdo 100 njerëz.
Në grafik shihet që edhe Shqipëria është në mesin e vendeve që kanë marrë vaksinën, me 10 mijë doza.
Ekziston gjithashtu një ndarje e jashtëzakonshme midis kontinenteve. Vendet më pak të pasura janë duke u mbështetur në një marrëveshje për ndarjen e vaksinave të quajtur Covax, e cila synon të sigurojë dy miliardë doza deri në fund të vitit.
Nëntë vaksina të ndryshme po administrohen në të gjithë botën, sipas “Bota Jonë në Shifra” (Our World in Data). Vaksina Pfizer-BioNTech, e cila u pa se ishte 95 për qind efektive në uljen e infeksioneve të koronavirusit, aktualisht po përdoret në 66 vende. Disa vende të tjera kanë miratuar vaksinat por ende nuk kanë filluar administrimin e tyre.
Shumica e vaksinave që përdoren aktualisht kërkojnë dy doza që një pacient të vaksinohet plotësisht. Një vaksinë me një dozë nga gjigandi farmaceutik Johnson & Johnson u miratua të Premten nga një panel ekspertësh që këshillojnë Administratën e Ushqimit dhe Barnave dhe autorizimi zyrtar në Shtetet e Bashkuara pritet së shpejti.