Taulant Balla ka kallëzuar penalisht kryedemokratin Lulzim Basha. Kallëzimin deputeti socialist e ka bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ndërsa e ka zbuluar në emisionin “Politika Online” në News24.
Taulant Balla akuzon kështu zotin Basha për nxjerrjen e sekretit hetimor, në lidhje me dy automjetet tip “Toyota Yaris” që u bllokuan në portin e Durrësit, brenda të cilave u gjetën rreth 3.4 milionë euro.
“Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ( duke treguar me gisht nga Balla, qe po qeshte bashke me Ramen) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”, ka thënë Basha ditën e enjte në Kuvend, e që sipas kreut të grupit të PS-së ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor.
Ndërkohë më tepër detaje për këtë çështje Taulant Balla ka treguar në emisionin “Politika Online” të gazetares Marsela Karapaço, emision që do të transmetohet në orën 19:00.
Katër personat e arrestuar nga policia, si të përfshirë në kalimin nga Belgjika drejt Shqipërisë të 3.4 milionë eurove kanë mohuar para grupit hetimor të kenë pasur pjesë në këtë shumë parash. Ata mësohet të kenë pohuar se paratë nuk janë të tyret.