Por analiza e gazetarëve shkoi në drejtim të gabuar: Të gjithë, në fakt, u përqendruan për të kuptuar nëse Kasmi ishte goditur nga një shkop gome i Policisë (siç ndodhi realisht) apo nga një gur që lëshoi një tjetër protestues, ndërkohë që pak ishin ata, të cilët u ndalën për të evidentuar se çfarë ishte duke bërë
Carlo Bollino
Plagosja – e lehtë, fatmirësisht – e kryeredaktorit të “Rilindjes Demokratike”, Bledi Kasmi, gjatë protestës së organizuar dje nga opozita, e shtyu menjëherë Partinë Demokratike të dalë duke thirrur për skandalin e një gazetari të plagosur. Shumë analistë u angazhuan për të analizuar, figurë pas figure, pamjet e transmetuara nga televizionet dhe, në mënyrë të veçantë, videon e Report TV, i vetmi televizion që filmoi nga afër plagosjen e Kasmit.
Por analiza e gazetarëve shkoi në drejtim të gabuar: të gjithë, në fakt, u përqendruan për të kuptuar nëse Kasmi ishte goditur nga një shkop gome i Policisë (siç ndodhi realisht) apo nga një gur që lëshoi një tjetër protestues, ndërkohë që pak ishin ata, të cilët u ndalën për të evidentuar se çfarë ishte duke bërë Kasmi në atë çast, kur u godit nga polici. Ndryshe nga sa u përpoq propaganda e PD të bindte opinionin, në fakt, kryeredaktori i RD nuk u plagos “në krye të detyrës si gazetar”, por në “krye të detyrës” si demonstrues aktiv. Domethënë, Kasmi nuk ndodhej në shesh, si shumë gazetarë të tjerë, me bllok shënimesh, aparat fotografik, apo telekamer në dorë për të dokumentuar protestën, por ishte në shesh për të marrë pjesë dhe për të drejtuar protestën.
Kasmi nuk u godit nga Policia pasi po bënte punën e gazetarit (veç të tjerash, nuk kishte asnjë shenjë dalluese mbi vete, që të mundësonte të njihej si përfaqësues i shtypit), por u godit si një prej demonstruesve, që po përpiqej të thyente kordonin e Policisë, duke përdorur një zgarë hekuri.
Të shtyrë nga demonstruesit dhe përballë rrezikut që të shtypeshin e të plagoseshin, policët arritën të tregonin se dinin të përmbaheshin, duke e kufizuar reagimin e tyre në minimum: nga ajo çka u pa në televizion, dhe nga ajo që tregojnë gazetarët e pavarur të kronikës, të pranishëm në terren, shkopinjtë e gomës u përdorën tri apo katër herë nga një polic i vetëm dhe një nga goditjet ra mbi Bledi Kasmin.
Të vjen keq për protestuesit e lënduar (ashtu siç të vjen keq për policët që përfunduan në spital), por, kur del në shesh për një demonstrim force kundër Policisë, duhet të llogaritësh se Policia mund të reagojë. Madje, duhet të reagojë. Nuk është diçka e panjohur që, mes standardeve të kërkuara për një vend demokratik, ekziston edhe përdorimi i forcës nga ana e Policisë për të përmbajtur demonstratat në sheshe, që ato të mos degjenerojnë në dhunë masive, anarki dhe kaos.
Ajo që kërkon Evropa nga Policia e një vendi demokratik është që përgjigja e saj të jetë proporcionale ndaj agresionit të bërë ndaj saj dhe që të mos abuzojë me forcën e saj e të mos përdorë armët e zjarrit ndaj demonstruesve. Në të kundërt, do të ishte e papranueshme për një demokraci evropiane që Policia të tërhiqej dhe të asistonte pa reaguar kur shpartallohen institucionet apo, më keq, të ikte nga sytë këmbët përballë një proteste.
Skenat e para dje në Tiranë treguan një Polici evropiane, shumë të ndryshme nga ajo e 21 janarit, të cilën gjithnjë e ka mbrojtur dhe mbështetur Sali Berisha, duke pohuar se ishte e drejtë e Gardës të hapte zjarr mbi demonstruesit, pasi ata kërcënonin godinën e qeverisë. Dje demonstruesit kërcënonin godinën e ministrisë së Brendshme, por, për fat të mire, Policia nuk ndoqi “direktivën Berisha” dhe bilanci i trazirave e tregon qarte: të lënduar janë katër demonstrues (mes tyre, edhe Bledi Kasmi) dhe 11 policë. Mbetet për t’u sqaruar kush apo çfarë e ka shtyrë Lulzim Bashën të dalë, vetëm një orë më pas, dhe, me një të kërcitur të gishtave, të vendoste rendin në turmën e tij të zemëruar, duke e qetësuar, kështu, menjëherë tensionin. Një gjest ky, që tregon se këto incidente nuk ishin aspak spontane dhe se Bledi Kasmi, edhe pse mund të trajtohet si një hero i vockël beteje nga partia e tij, nuk mund të konsiderohet kurrë si një viktimë e informacionit.