Numri dy i socialistëve, Taulant Balla ka bërë të qartë edhe njq herë për opozitën se listat e kandidatëve të partive apo dhe koalicionet zgjedhore do të jenë të hapura 100 %.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i është bashkuar debateve, Balla theksoi se të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit.
Postimi i Ballës
LISTA E KANDIDATËVE të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% E HAPUR. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar.
U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon.
Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rëndisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë.
Nuk ka sisteme elektorale perfekte dhe as sisteme elektorale qe u japin pakicave fitoren ne tavoline nuk jane shpikur akoma! Prandaj eshte koha per ta votuar Kodin Zgjedhor duke diskutuar intensivisht mes palëve dhe duke i harruar shantazhet, akuzat dhe bllofet! Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe ne s’mund të presim gjatë për votimin e risive që reflektojnë ndryshimet kushtetuese.