Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu nuk kanë asnjë shpresë që të rikthehen në detyrë. Pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi t’i ndëshkojë ata për shkak të problemeve me pasurinë apo figurën, disa gjyqtarë e prokurorë vendosën të mos e ndalin përballjen me vetingun. Për të refuzuar vendimin e KPK, ata vendosën të drejtohen të Kolegji i Posaçëm i Apelimit, të cilit i kërkuan rikthim në detyrë.
Deri tani KPA ka regjistruar nëntë çështje të tilla, çka do të thotë se nëntë gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar janë ankuar aty. Mirëpo organi kolegjial deri tashmë ka treguar se asnjë nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nuk mund të vijojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Nga nëntë emrat që kërkojnë prishjen e vendimit të komisionit të vetingut, katër prej tyre janë shqyrtuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por për të katërt këta emra organi kolegjial ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e KPK, çka do të thotë se edhe për KPA, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të shkarkohen.
Dje organi kolegjial vendosi që ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha të mos rikthehet në detyrë, ashtu siç pretendonte ai. Sipas KPA-së, vendimi për shkarkim i dhënë më datë 18 maj të këtij viti nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ishte i drejtë, për shkak të problemeve me pasurinë që kishte subjekti i rivlerësimit. Kujtojmë që fatin e Fatmir Hoxhës kanë patur më herët edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo; ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva dhe ish-prokurorja e Shkodrës, Besa Nikëhasani. Edhe këta të tre iu drejtuan KPA me shpresën se do të riktheheshin në detyrë, mirëpo Kolegji i Posaçëm i Apelimit ishte në unison me KPK për shkarkimin e tyre.
Madje për dy të fundit, Fatmir Hoxha dhe Besa Nikëhasani vendimi është marrë në dhomë këshillimi, çka do të thotë se dosjet janë të kopsitura për të gjithë të shkarkuarit dhe këta të fundit nuk kanë asnjë mundësi përveçse të pranojnë largimin nga detyra.
Emrat e tjerë
Përveç Fatmir Hoxhës, Besim Trezhnjevës, Besa Nikëhasanit dhe Fatos Lulos, edhe emrat e tjerë pritet që të kenë fatin e tyre. Nga të shkarkuarit nga vetingu, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit janë drejtuar edhe Tom Ndreca, Artan Lazaj, Gentian Trenova, Luan Kaloçi dhe Altina Xhoxhaj. Duke parë vendimet e deritanishme, pritshmëritë janë që edhe për këta emra të mos ketë asnjë lëshim, por të lihet në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tyre.
Ndërkohë, duhet theksuar fakti se me mbylljen e çështjeve në Apel, hapet rruga për ndjekjet penale. Arsyeja pse deri tani prokuroria nuk është vënë në lëvizje për të nisur hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët që janë shkarkuar nga KPK për shkak të problemeve me pasurinë dhe figurën ka qenë pikërisht pritja e vendimit të KPA. Në momentin që edhe organi kolegjial vendos kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, atëherë në “lojë” futet prokuroria për të nisur hetimet për shkeljet e tyre.
Lëvizja e parë nga ana e organit të akuzës u krye dy ditë më parë, ku Prokuroria e Tiranës thirri për të dëshmuar ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Ky i fundit është nën hetim për falsifikim të formularit të dekriminalizimit sepse nuk ka deklaruar një dënim të marrë në Itali për veprën e vjedhjes. Fatin e tij pritet të kenë edhe emrat e tjerë që janë kapur me shkelje nga KPK. /Mimoza Ibra