Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë vendosi ditën e djeshme që masat kufizuese të cilat kufizonin lëvizjen nga ora 22:00 – 06:00 do të qëndrojnë në fuqi pa afat.
Ky vendim u mor nga komiteti pak javë më parë pas shtimit të rasteve me Covid në vend, ndërsa i njëjti kufizim do të jetë në fuqi dhe për baret e restorantet, të cilat do të qëndrojnë të mbyllura gjatë kësaj periudhe kohore. Gjithashtu nuk do të lejohen grumbullimet më shumë se 10 personave, dasmat, ceremonitë mortore dhe konferencat. Këtë e bëri të ditur në konferencën për shtyp kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli.
Ajo u shpreh se do vijojë të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes për qytetarët, ndërsa u shpreh se universitetet dhe shkollat do vijojnë mësimin online dhe të alternuar. ”Do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura e të mbyllura, mbledhjet partiake, tubimet, konferencat, ceremonitë e festave, ato martesore, ato mortore jashtë rrethit familjar, kufizimi i bareve e restoranteve fast-food nga ora 22:00-6:00 (përveç shërbimit delivery), do të vazhdojë të jetë në fuqi pa afat kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00-6:00, ku përjashtim përbëjnë emergjencat dhe arsyet e punës. Administrata do të vijojë të punojë nga shtëpia, universitetet do të vazhdojnë online. Shkollat do të vazhdojnë me mësimin e alternuar fizik dhe online”, tha ajo.
Rakacolli flet për masat
Zëvendësministrja Mira Rakacolli deklaroi se nuk do të ketë kufizime gjatë fundjavave, ndërsa theksoi se do të shihet edhe se si do të vijojë situata epidemiologjike, pasi nëse sipas saj, situata rëndohet dhe ka një shtim të lartë të rasteve me Covid mund të merren edhe masa të tjera shtesë.
“Komiteti i Ekspertëve nuk e ka shtruar në asnjë moment mbylljen gjatë fundjavave. Në vendimin e sotëm, nuk është përmendur. Do të analizohet situata epidemiologjike në vazhdim duke i ndjekur me shumë kujdes efikasitetin dhe tendencat e lehta pozitive që janë vënë re javën e fundit në lidhje me numrin e rasteve të reja që kanë një tendencë në rënie. Kjo situatë është dinamike dhe nëse kjo situatë do të rëndohet mund të vlerësohen edhe masa të tjera shtesë”, tha ajo. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Rakacolli foli dhe për kufizimet gjatë festave të fundvitit.
Ajo tha se nuk do të lejohen grumbullimet shumë se 10 persona. “Ne jemi disa javë larg krishtlindjeve dhe shohim që situata po vijon e njëjtë. Do shohim se si do shkojmë më vonë. Nëse qytetarët bashkëpunojnë me autoritetet këto më masa do ndryshojnë për mirë. Nëse ato do ndryshojnë për keq atëherë do të qëndrojnë në fuqi”, tha Rakacolli. Ndërkohë, Shefja e Epidemiologjisë, Eugena Tomini gjatë fjalës së saj në konferencën e komitetit bëri me dije se situatën nga Covid në kopshte dhe çerdhe, teksa është ndalur që të flasë edhe për festimin e festave të fundvitit.
Tomini u shpreh se në kopshte dhe çerdhe nuk është vërejtur shpërthim i rasteve, ndërsa bëri thirrje që të shmangen grumbullimet masive për festa. “0-4 vjeç kemi një incidencë shumë të ulët, 0.7-0.8% të rasteve. Nuk kemi evidentuar shpërthim masiv, kemi pasur grupime të minimizuara, por nuk kanë ndikuar të incidenca. Grumbullimet masive apo për të festuar festat, sigurisht janë elementë që duhet të privohen, të ndalohen, që është e mira të festojmë në familjen e ngushtë në këto kushte që pandemia na e ka kufizuar”, tha Tomini.