Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një video-mesazh. Rama ka publikuar në Facebook një video ku dëgjohet duke folur me optimizëm për sigurimin e dozave të vaksinave anti-Covid.
Në të njëjtën kohë, Rama premton se deri në verë jeta do t’i kthehet normalitetit. Por jo vetëm kaq! Kryeministri gjithashtu jep shpresë edhe për turizmin në vendin tonë, ndërsa thekson se Shqipëria do të presë turistë nga e gjithë bota.
“Kjo kohë që po e lëmë pas ishte tejet e vështirë, por ne nuk jemi nga ata që dorëzohen jo. I siguruam vaksinat kundër të gjitha parashikimeve, për pak muaj kjo vuajtje do të mbarojë. Shqipëria këtë verë do të presë turistë nga e gjitha bota. Hotelet, baret e restorantet, klubet, edhe në majë të malit do të jenë të hapura, pa orare kufizuese. Do të kthehemi përsëri në jetën tonë të dëshiruar dhe do të vazhdojmë me forcë e me shpejtësi përpara.
Kemi kaq shumë punë për të çuar deri në fund, e plot të mira e gëzime për të ndarë me njëri tjetrin. Shqipëria është e ardhmja jonë!”, thuhet në videomesazhin e kreut të qeverisë.