Ajo që të vjen vërtetë keq nga vetja, është kur sheh disa politikanë që tentojnë të të bëjnë për idiot, të tallen me besimin tënd me disa numra shpejtësie, tamam si prestigjatorë të aftë, a thua se mileti ha bar e s’ka as sy e as vesh.
Ky është rasti i Erion Veliaj, i cili së fundmi pas gjithë komenteve nga qytetarët e Tiranës kundër Kopshtit Zoologjik, që i ngjante më shumë një stani me lopë, pula, derra, rosa dhe lepuj… se sa vendbanimi i kafshëve të egra si luani, tigri, ujku apo të tjera sikurse jemi mësuar t’i shohim.
E trishtë dhe jashtë realitetit, ishte të shihje tigrin pa dhëmbë, i cili në vend të një gjitari mishngrënës të ngjasonte me një gardian pulash.
Dy ditë më parë, qytetarë që jetojnë pranë kopshtit zoologjik publikuan disa foto të luanit të gjorë të mbuluar me kuverte ngjyrë jeshile, duke aluduar se ka ngordhur.
Të njëjtën fat pati dhe tigri: “I dha fund jetës nga turpi, para se shokët e xhunglës ta merrnin vesh se kishte nisur të hante lakra…” shkruante me ironi një qytetar në videon e publikuar nga kryebashkiaku, koment i cili është fshirë më pas nga Veliaj.
Në foto tigri pa dhëmbë dhe luani në video prezantimin e kopshtit zoologjik të publikuar nga Veliaj
Tigrit ja vunë dhëmbët tek dentisti dhe luanin e çuan tek parukieri, që të ligjëronin vjedhjet e tyre me tenderat korruptiv, pasi nuk ngeli njeri pa u tallur me 270 milion lekët për mish dhe fruta perime të prokuruara tek kompania e dyshuar klienteliste, e cila pronarin e saj e ka me precedent penal, i dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për korrupsion me ushqimin e të burgosurve.
Për tenderat korruptiv të Agjencisë së Parkut dhe Rekreacionit, e drejtuar nga Erinda Fino, ku fitues janë persona me precedent penal do të flasim në një artikull të radhës.
Ditën e djeshme kryebashkiaku Erion Veliaj publikoi dy video ku shfaqej tigri, kësaj here me dhëmbë në gojë dhe të luanit flokëgjatë e të frikësuar nga ambienti përreth.
Ajo që është e sigurtë bazuar nga një analizë e shkurtër e ekskluzive.al, është se as tigri dhe as luani nuk janë kafshët e prezantuara në videon e hapjes së Kopshtit Zoologjik më 4 qershor.
Në foto tigri pa dhëmbë, i cili po ta shihni me vëmendje ka një pikë të zezë dalluese tek hunda dhe pigmentimi rreth saj është dallueshëm rozë dhe vijat e gëzofit janë ndryshe nga ai i prezantuar së fundi
Në foto tigri i ri i prezantuar nga Veliaj përmes një video të datës 14 qershor, dukshëm ndryshe nga ish banori i vjetër i kafazit
E njëjta gjë vlen dhe për luanin, ai që fëmijët dhe prindërit panë ditën e parë të inagurimit nuk është më por është zëvendësuar me një tjetër dukshëm ndryshe nga i pari.
Foto e luanit marrë nga video e publikuar nga Veliaj me datë 4 qershor
Dukshëm luani duket agresiv pasi ndihet zot i ambientit përreth, ndryshe nga sa shihet nga banori i ri i Kopshtit Zoologjik i cili vrapon i frikësuar pasi nuk është mësuar me ambientin përreth.
Foto e marrë nga video e postuar nga Veliaj pas publikimit të lajmit se luani kishte ngordhur
Tentativa e dëshpëruar e Erion Veliaj për t’i hedhur hi syve qytetarëve të vëmendshëm të kryeqytetit dhe më gjerë, është vërtetë sekëlldisëse, pasi kryetari i zhytur me gënjeshtrat e tij, po tenton të manipuloj opinionin publik me disa video të një luani dhe tigri, që nuk janë aspak ish banorët e vjetër të kopshtit zoologjik.
Veliaj mendon se duke çuar luanin tek parukieri dhe tigrin tek dentisti, do të mbuloj pislliqet e tij, pas një tentative të dëshpëruar për ta nxjerr median gënjeshtare, si për të thënë që luani jo vetëm që nuk ka ngordhur, por është rikthyer edhe më i bukur se kurrë, ndërsa tigrit i dolën dhëmbët si me magji.
Burime brenda Bashkisë Tiranë pohojnë se kafshët e gjora të kopshtit zoologjik janë marrë me qira nga Bashkia Tiranë. Sipas përgjigjes së një eksperti zooteknikës për ekskluzive.al, besohet nga pamjet se tigri pa dhëmbë që ndodhej brenda kafazit të kopshtit zoologjik ishte në moshë të madhe, mbi 10 vjeç, në vitet e fundit të jetës dhe nuk është çudi të ketë ngordhur pasi një kafshë e tillë kërkon një kujdes të veçantë dhe staf shumë profesionist.
Nëse kafshët e gjora kanë ngordhur ky është një lajm shumë i trishtë! Erion Veliajn ka detyrë veç videove tu shpjegoi qytetarëve të Tiranës pse u zëvendësuan tigri dhe luani i Kopshtit Zoologjik dhe ku ndodhen tani?!/Ekskluzive.al