Është domethënës fakti se debati për largimin e Blendi Fevizut nga Tv Klan u përhap në momentin që u përmend rroga e tij hipotetike në Top-Channel. Domethënëse pasi në të vërtetë duhet të diskutohej për tjetër gjë: modelin e medias së sotme në Shqipëri.
Thuhet prej kohësh që media është në krizë. Por edhe politika është në krizë. Këtë e përsërisin ata që janë gjeneruesit e krizës dhe që përfitojnë prej saj. Sepse kriza e medias kështu siç e shohim sot është strukturale. Por të përkufizosh diçka nuk do të thotë se ke dhënë edhe zgjidhjen.
Nëse shohim panoramën e medias shqip, në televizion, gazeta print, apo edhe online, kemi të njëjtët emra, të njëjta fytyra, por modeli që po dominon – e që është zgjedhje – nuk sjell ndonjë risi.
Nga kjo pikëpamje, bota e online, ku ndodh jo rrallë që gazetarët janë edhe sipërmarrës, po tregon se faji për derexhenë ku mbërriti forma tradicionale e medias, nuk është edhe aq i Nikollës, Sandrit, Vjollcës, Dulakut apo Carlos, por sidomos e tyre. E këtyre titanëve të vetëshpallur të mendimit dhe analizës të cilët operojnë në një bursë të mbyllur ndikimi, drekash dhe darkash, bursë që nuk matet, nuk ka shifra, që nuk tregon asgjë nga “brenda” dhe që marketohen në një cikël komunikimi që bazohet mbi zhurmën dhe hiper prezencën.
Është pikërisht kjo arsyeja që në largime “të bujshme” si ky i z. Fevziu, mungon përherë një sqarim për publikun, për arsyet dhe vendimin e marrë. Nevoja për sqarimin publik nuk rrjedh vetëm nga detyrimi që ke si njeri publik por edhe nga nevoja për të shmangur keqkuptime dhe spekullime, të cilat mesa shohim i interesojnë nga pak të gjithëve. Por që në “furtunën” e analizave pro z. Fevziu, mbuluan disa pyetje që duheshin bërë patjetër.
P.sh a ka realisht kompania Top-Channel mundësi për të luajtur me blerje të tilla? Kush prej gazetarëve ka të dhëna për gjendjen e saj financiare? Pyetja që shtrohet këtu do të duhet të ishte bërë vetiu qysh në momentin e parë. Përfliten prej kohësh vështirësi financiare, madje thuhet edhe se ka asistencë mujore për buxhetin e pagave, kur befas në qiell të pastër shfaqet oferta 45 milionë.
Bëhen përditë pyetje dhe shkrime për vettingun, për origjinën e parave, bëhet zhurmë madje edhe për ndryshimet e emrit nga politikanët që përcaktojnë karriera. Si mund të mos pyetet për këto transferta që shëmbëllejnë me fluskat financiare? Pse qenka kaq problem të diskutosh shifra që nuk justifikohen nga asgjë në treg?
Ka arsye më shumë madje për ta bërë këtë, për një sektor si media që në Shqipëri kërkon të jetë pjesë dhe – në shumë raste është – e vendimmarrjes politike.
Le të kujtojmë se së fundmi një tjetër filial i kësaj kompanie, Digitalb, u liçencua nga AMF për të shitur letra me vlerë, pra për të kërkuar para në treg. Jemi në fazën kur diçka e rëndësishme po ndryshon në ekonominë tonë, kur investimet po kërkohen nga burime të reja, jotradicionale për Shqipërinë. Dhe suksesi i këtij procesi ristrukturimi dhe ripërfaqësimi kalon patjetër edhe nga ndryshimi i mendësisë për informacionin.
Çdo lëvizje, çdo investim duhet arsyetuar për të kuptuar të gjithë shëndetin financiar që në fund përcakton vlerën. Nuk mund të ketë progres në këtë drejtim, kur manovra të tilla i shërbehen njerëzve në formën e një dhurate që zbulohet për Vit të Ri, apo duke vazhduar me praktikën e njohur kur një “Digitalb” i radhës paguan detyrimet e një filiali tjetër brenda të njëjtës kompani.
Le të kalojmë në një tjetër shembull për të cilin askush nuk flet. Pak muaj më parë u njoftua hapja e një televizioni të ri në Tiranë, prezantuar si filial i një televizioni të huaj. Prezantimi i kësaj nisme u bë pak pasi kompania shqiptare u përfol në media si favorite për koncesionin e një rruge kryesore në Shqipëri, çka krijon dyshime se lidhja e njohur Ndërtues – Media, e provuar si shumë e dëmshme, vazhdon të jetë mënyrë kontrolli dhe influence në vendin tonë. Asnjë fjalë dhe asnjë analizë, që nuk mund të jenë detyrimisht kritike, apo akuza, por që duhet të diskutojnë mbi këtë që po ndodh.
Edhe në planin profesional, mbetet shumë e pajustifikueshme mbivlerësimi që i bëhet emisionit të z. Fevziu. U shkruajt se ai është emision i kuotuar, se aty përpunohet opinioni etj., pa i vënë një notë kritike. Ne shohim aty të përsëritet thuajse përjavë një shfaqje identike, teksa flitet për “arrestime që do të ndodhin”, “për informacione delikate” etj., ku prodhohet një debat që zbraz dëshirën për pyetje pa dhënë asnjë përgjigje.
Influenca e këtij emisioni duhet të jetë diçka e matshme te publiku dhe jo te stresi i Edi Ramës apo Sali Berishës. Apo kryeministrit të radhës. Pse duhen besuar këta analistë dhe jo Aleksandër Frangaj që po e mendon lëshimin e Fevziut? Vallë Frangaj ka frikë nga rritja e influencës së z. Fevziu? Pse duhen besuar këta analistë që në përvojën e parë si sipërmarrës të “biznesit të tyre të medias online” nuk po qullosin gjë?
Ikja e gazetarit në fjalë nga Tv Klan, njësoj si detyrimi i Sokol Ballës për t’u larguar nga Top-Channel meriton të diskutohen si shprehi e një krize të thellë dhe jo si triumf i profesionalizmit. Sepse të tilla janë. Një krizë që evidenton se modeli nuk është më eficient dhe ky është një lajm I mirë.
Përndryshe vetë z. Fevziu në rastin konkret nuk do të kishte ndonjë dilemë nëse do ta shihte transferimin si sfidë për të vërtetën dhe misionin e tij si gazetar.
Në fund, krahasimi me reporterët është i rëndësishëm jo për faktin e pagesës si të tillë, por për faktin se ai dëshmon deformimin, pse jo shpërbërjen e parimeve që mbajnë në këmbë këtë profesion që nuk kryen më detyrat bazike: informimin. Edhe sot ne nuk e dimë me siguri, pse po ikën ky gazetar për të cilin po investohen kaq shumë para. Nuk e kemi këtë informacion si pronë publike.
Për shkak të këtyre gjysmë të (pa)vërtetave dhe të panjohurave, që pëshpëriten dhe nuk fliten, reporterët luajnë rolin e figurantit, apo recepsionistit, pa emër e pa fytyrë në pjesën më të madhe dhe ku agjentët skenikë të pushtetit kanë zënë vendin e kineastit të realitetit bashkë me politikanët kryesorë dhe partitë e tyre./respublika/