Kur kujtoj se nona ime ka punuar më shumë se 35 vjet në këtë repart më mbushen sytë me lot. Me tre turne, me 5 fëmijë, larje, shpëlarje, gatim, pastrim, etj…
Unë shkoja shpesh. Më besoni, kur hyja në repart veshët më dhembnin nga zhurma e fortë e makinave që më dukeshin si vagonat e trenit që rendnin pa pushim. Nona ime shkëlqente mes makinave.
Nuk mund të them sa makina mbante në turn, ama dy gjëra nuk i harroj: makinat ishin përherë në punë, se për to kujdesej nona ime. E dyta, me nonën ndahesha në repart kurse zhurma e madhe e makinave më shoqëronte deri te stacioni i autobusit në Kombinat.
Sa metra basme ka prodhuar Nona ime për 35 vjet punë? Nuk e di. Di vetëm sa merr nona ime sot për gjithë ato vite sakrificë, mund, djersë, energji që ka harxhuar e stres që ka kaluar.
Respekt për nonën time dhe nonat e gjithë shqiptarëve. Nderim për sakrificat e atij brezi të vuajtur e të pashpërblyer.
Për faqen Na Ishte Dikur, nga Haxhi Genti Lika