Nga Alba Malltezi
Kjo e 25 prillit nuk do të jetë garë pozitë-opozitë, është garë ndërtues-shkatërrues të sistemit ligjor, respektimit të ligjit dhe të gjithë sistemeve demokratike në Shqipëri. Gara është mes shqiptarëve dhe mes një kategorie njerëzish që u formuan në këto 30 vite tranzicion postdiktaturë: njeriut të ri salishian apo berishoid që i është ngjitur opozitës si parazitët bimëve, duke ia thithur linfën, e dalëngadalë edhe jetën. Dhe nuk është aspak ofendim. Eshtë një konstatim për të cilin disa do të jenë me të vërtetë krenarë. Pasi, krenarinë e tyre e perceptojmë përditë.
Eshtë e qartë që kush adhuron Sali Berishën, nuk i ka bërë dhe nuk do t’i bëjë përshtypje asgjë që shkruhet dhe faktohet mbi të. Nuk do të mjaftojnë 30 vite histori, filmime, dëshmi, zë, figurë, që ta fokusojë njeriun salishian tek e vërteta. Ai do të fokusohet, do të kapet, do të mbërthehet, do të lidhet me zinxhirë te defektet e Edi Ramës.
Do të kërkojë një foto, një ton fjale, një veshje, një batutë, një vështrim, një mosvështrim, për ta shkatërruar në sytë e mendjes Edi Ramën dhe për të mbajtur, ruajtur në piedestal Sali Berishën. Shfaqjet janë të përditshme. Njeriu salishian apo berishoid, burrë a grua, do të të përgjigjet përhere: Lëreni Saliun! Mos u merrni me Saliun! Saliu iku. Çfarëdo fakti e dëshmie t’u thuash.
Nëse i kujtohet një salishiani apo berishoidi trafiku i armëve drejt Serbisë gjatë luftës me Kosovë, kontrabanda e naftës, piramidat, dhuna ndaj gazetarëve, ndaj opozitës, Tragjedia e Gërdecit, 21 janari, plumbat ndaj Guardia di Finanza në Lazarat, afera e Kompleksit Partizani, Porto Romano, Damir Fazlliç, dhuna e përditshme verbale dhe nxitja e urrejtjes përmes rrjeteve sociale dhe politikanëve të ndikuar prej tij ndaj kujtdo që mendon ndryshe nga Berisha, e të gjitha krimet e pahetura e të pandëshkuara falë vetëm petkut të politikës (herë në pushtet dhe herë në opozitë), ata përgjigjen me: fotot nudo të Edi Ramës, arrogancën e Edi Ramës, bashkëshortet e Edi Ramës, familjen e Edi Ramës, miqtë e Edi Ramës dhe përbetohen se do të shkatërrojnë çdo gjë që ka ndërtuar nga veriu në jug Edi Rama, në emër të prishjes së godinës së Teatrit prej tij. Dhe thonë: Akoma me Saliun ju? Për një salishian apo berishoid çdo fjalë a batutë e Edi Ramës është 1000 herë më e rëndë se çdo veprim i Sali Berishës.
Por këtu dhe vetëm këtu qëndron thelbi i problemit: Saliu jo vetëm nuk ka ikur, por ndikon me mënyrën e tij kaq të dallueshme, të shndërruar në një brand të pagabueshëm, çdo veprim, çdo hap, çdo deklaratë e sjellje të politikanëve në opozitë. Eshtë e tepërt të ripërmendim të përditshmet në gjithë vitet e fundit. Le të kujtojmë edhe më të fundit ndodhi: Pasaktësitë në listat e kandidatëve të opozitës së bashkuar, të mbushura me gabime, pasaktësi, mungesë dokumentacioni, mosrespektim kuotash të barazisë gjinore.
Eshtë ABC-ja e nisjes së një gare. Përpilimi i listave të kandidatëve është ajo që duhet të kishte marrë më shumë kohë, seriozitet, talent, fantazi, risi për një opozitë. Jo! Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta kthejë mbrapsht listën duke i lënë një afat korrigjimi deri me 16 mars. Eshtë sikur bukëpjekësi të nxjerrë në dyqan një bukë të mykur, të lagur, të prishur. Eshtë sikur ndërtuesi të dorëzojë një shtëpi me muret e çara e pa çati a një urë pa këmbë, sikur mjeku të lerë plagët hapur, sikur këngëtari të dhurojë një këngë pa nota muzikore, sikur vajbërësi të të japë një vaj pa ullinj.
Eshtë sikur, një opozitë të mos mendojë e punojë me kokën e duart e saj, por me atë të dikujt që fshihet e thotë: “Iku Saliu. Ka lënë Bashën në vend të tij!”. Edhe kur shërohen nga kjo patologji, kur largohen prej zonës së influencës apo hipnozës, salishianët dhe berishoidët e kanë të vështirë të shohin gabimet e tmerrshme të liderit të tyre: Nuk është gabimi i Saliut, është i Lulit i dëgjon të përsërisin përditë!
E në vend që sot të gjëmonin opozitarët, se në krye kanë njerëz që nuk janë të zotë të dorëzojnë as lista të sakta, vazhdojnë të mos shohin të vërtetën në sy e të thonë: Nuk e ka fajin Saliu!
Njerëzit salishianë apo berishoidë janë parazitët e vërtetë që kanë kapur e rrezikojnë t’i marrin frymën opozitës shqiptare dhe si rrjedhojë Shqipërisë. Ata nuk e lenë të rritet, të forcohet, të lulëzojë e të bëhet vlera e vërtetë dhe e domosdoshme e Shqipërisë. Dhe janë kaq krenarë e të ndërgjegjshëm në të qënit salishianë a berishoidë.(Shqiptarja.com)