Elvi Fundo, një “qenie” të cilit i punon vetëm një organ — ai i shpifjes — priti për një kohë të gjatë, me shpresë se SPAK-u do të bënte atë që ëndërronin shqiptarët, por kur u bind se SPAK-u ishte krijuar vetëm për t’i “mashtruar” shqiptarët, mori vetë gjithçka në dorë.
Pas një konsultimi me specialistë vendas dhe të huaj, hartoi “Statutin” e S.N.A., mbi një filozofi të veçantë juridike. Tani e tutje, akuza nuk do të mbështetej tek e vërteta, siç kishte ndodhur që nga lashtësia, por mbi shpifjen. Kjo e lehtëson ndjeshëm punën.
Njerëzit e tij nuk kanë pse të mundohen për të gjurmuar të vërtetën; përkundrazi, filozofia e re u krijon atyre komoditetin për të sajuar një mal me akuza, ulur me pizhama para kompjuterit. Ajo që përbën “risi” është garancia që ofron një filozofi e tillë për të gjithë shpifësit, të cilët gjallojnë në portalet shqiptare prej 34 vjetësh. Me mijëra faqe portalesh mbushen çdo ditë me shpifje nga më të ndryshmet dhe, deri më sot, askujt nuk i ka hyrë “ferri në këmbë”. Në atdheun tonë të dashur, kushdo mund të shpifë çfarëdo dhe kundër kujtdo, sepse është i mbrojtur nga “Ligji”!
Fundo, ky zagar “mediatik”…
…ndonjëherë bën edhe gabime. Për shembull, në dhjetëra shkrimet e fundit që ka botuar kundër meje, kërkon me këmbëngulje arrestimin tim. Harron se unë kam tre vjet që ndodhem në burg nga akuzat që ka ngritur kundër meje si “hajdut” në portalin e tij. Harron, sepse ndryshe nuk do të kërkonte arrestimin e një “të burgosuri”. Njerëzit e kuptojnë se kjo vjen nga dëshira e madhe që ka për ta pastruar Shqipërinë nga hajdutët.
Ky mi gjirizesh që nuk ngopet duke ngrënë “m…” ditë e natë kundër meje, ndër të tjera shkruan:
1. “… Leka Bungo falsifikator … në kundërshtim me ligjin, ai ka falsifikuar vendimin e Këshillit Drejtues të datës 6 janar. Ai nuk e ka firmosur vendimin sepse ka qenë kundër hapjes së garës për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm…”
Po mirë, mor mi gjirize, sikur një ngjarje e tillë të kishte ndodhur 1200 vjet para erës sonë dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të mos u gjendeshin as gurët e varreve… ndoshta do të pinte ujë shpifja. Por, për hapjen e garës lidhur me zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm nuk është bërë vetëm një mbledhje. Janë bërë dy.
Në mbledhjen e parë, më 2.01.2024, unë, si Kryetar i KDRTSH-së, kam shpallur garën për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm. Fjala ime është filmuar, sepse, sipas ligjit, duhej të transmetohej në ekranin e RTSH-së. Por një anëtar i Këshillit e kundërshtoi shpalljen e garës (!) dhe kërkoi ta hidhnim në votë.
E hodhëm në votë dhe, përveç meje (Leka Bungo) dhe znj. Ardita Reçi, të cilët ishim pro hapjes së garës, dhe dy abstenimeve, shumica e anëtarëve të Këshillit ishte kundër!!!
Ja një fragment nga vendimi:
“… Të mos shpallë publikisht kriteret e konkurrimit për Drejtor të Përgjithshëm në RTSH. (Dy vota pro shpalljes, dy abstenime dhe shtatë vota kundër) …”
Ndryshe nga shpifjet e portalit, i cili shkruan të kundërtën e asaj që ndodhi, Leka Bungo ishte pro hapjes së garës, ndërsa në votimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues kishte shumicë kundër.
Në mbledhjen e datës 6.01.2025, e cila u bë pas një njoftimi të bërë nga Kryetari i Këshillit për pikën e parë të rendit të ditës – hapjen e garës për Drejtorin e Përgjithshëm – unë shpalla garën zyrtarisht. Fjala ime u filmua dhe, pas disa orësh, u transmetua në ekranin e RTSH-së. Dokumenti i publikuar në faqet e portalit, në të cilin mungon firma ime, është fotografuar qëllimisht në një moment kur unë s’kam qenë në zyrë. (Edhe kjo shpifje është e dokumentuar si e tillë, sepse e vërteta është e regjistruar dhe zbardhur në procesverbalin e mbledhjes.)
2. “Miun e gjirizeve” e zë dëshpërimi, duke parë se, pas gjithë akuzave të përditshme ndaj meje si falsifikator, SPAK-u nuk po bën atë që duhet të kishte bërë. Atëherë ai vendosi të hedhë dritë mbi “vjedhjet” e mia në RTSH. Për shembull:
“… Leka Bungo ka marrë ‘miliona’ lekë fonde nga RTSH-ja për realizimin e programit ‘Gëzuar’, në koncertin e madh të Vitit të Ri…”
Së pari, Leka Bungo, si anëtar (apo edhe Kryetar) i Këshillit Drejtues, nuk ka asnjë pengesë ligjore për të shkruar skenar (krijimtari të cilën e ka ushtruar prej më shumë se një gjysmë shekulli në RTSH) dhe, si rrjedhojë, të shpërblehet për krijimtarinë sipas tarifave shtetërore.
Por, për të tronditur opinionin dhe për të krijuar idenë se kemi të bëjmë me një mega-vjedhje, miu i gjirizeve kujdeset ta rrumbullakosë shifrën në “miliona” lekë. Në të vërtetë, shpërblimi si skenarist dhe drejtor artistik i programit nuk e kap vlerën 4 milionë lekë (duke llogaritur që shpreson t’i marrin për të “reja”), por rreth 1.900.000 lekë të vjetra gjithsej.
Për ata që nuk e dinë, dhe për ata që e dinë e s’duan ta dinë:
Ligji nr. 97/2013 për mediat audiovizive në RTSH
Neni 97 – Papajtueshmëria dhe konflikti i interesave të Anëtarëve të KDRTSH-së
2. Anëtarët e KDRTSH-së duhet të deklarojnë:
a) Çdo interes apo lidhje me ndonjë subjekt me të cilin RTSH-ja ka realizuar apo synon të realizojë (kontratë).
b) Çdo interes të mundshëm në ndonjë kontratë që RTSH-ja ka realizuar apo synon të realizojë.
3. Anëtarët e KDRTSH-së nuk mund të marrin pjesë në diskutimin apo vendimmarrjen për çështjet e lidhura me këto interesa apo lidhje.
Kontrata nuk është bërë në ilegalitet; përkundrazi, është hartuar hapur, ndërsa shpërblimi është mbështetur në tarifat ligjore. Ky shpjegim do të ishte i pamjaftueshëm, nëse nuk do t’i jepnim përgjigje përgjigjes që Zv.Drejtoresha e RTSH-së (Drejtore në detyrë) i ka dhënë S.N.A.-s, lidhur me “shkeljen” e bërë nga Kryetari i Këshillit për abuzim me fondet publike. Në përgjigjen e saj, znj. Aurora Polo “konfirmon dyshimet” për abuzime nga Kryetari i Këshillit. Ajo shkruan:
“… Referuar vendimit nr. 3, datë 9.1.2024, të Këshillit Drejtues, përjashtohen nga pagesa me honorare për angazhimin në projekte filmike dhe artistike të RTSH-së vetëm drejtuesit e RTSH-së, të cilët zgjidhen nga Këshilli Drejtues …”
Pra, përjashtohen nga pagesa vetëm drejtuesit e zgjedhur nga Këshilli Drejtues! Kësisoj, më duhet t’i bëj me dije këtij “miu” se anëtarët e Këshillit (madje edhe Kryetari) zgjidhen nga Parlamenti, jo nga vetë Këshilli Drejtues. Ky vendim pengon Drejtorin, zëvendësdrejtorin dhe stafin e tyre të ngushtë, jo anëtarët e Këshillit.
“Miu” i gjirizeve s’ka haber, po znj. Aurora Polo është përgjigjur në atë mënyrë ngaqë s’njeh ligjin? Aspak, ajo ka arsye të tjera. Ja cilat:
3. Rastet e emërimeve të paligjshme
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së i propozoi Këshillit Drejtues kandidaturat për stafin e tij, sepse, sipas ligjit, emërimi i tyre bëhet nga Këshilli Drejtues. Mes kandidaturave ishin edhe zv.Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Aurora Polo, dhe përgjegjësja e njësisë së programeve (alias Drejtoresha e Televizionit), Bora Xhania. Të dyja këto kandidatura nuk plotësonin njërin nga kriteret kryesore sipas ligjit.
Sipas Statutit të RTSH-së, Neni 13, pika 1, germa c, përcaktohet se:
“Të kenë përvojë pune ose drejtuese, drejt për drejt në median e shkruar ose audiovizive, jo më pak se 5 vjet…”
Duke u mbështetur te kjo pikë, Këshilli Drejtues për pesë muaj me radhë nuk pranoi të emëronte këto kandidatura të propozuara nga Drejtori i Përgjithshëm. Por ai, në kundërshtim me ligjin, i emëroi ato gjithsesi. Kësisoj, për muaj të tërë, zv.Drejtoresha e Përgjithshme dhe përgjegjësja e njësisë së programeve hynë në zyrë, firmosën, dhanë urdhra dhe u paguan si të ishin “të ligjshme”.
Pas shumë kohësh, Drejtori i Përgjithshëm arriti të bindte disa anëtarë të Këshillit Drejtues për të mbajtur një mbledhje, me synim emërimin e këtyre kandidaturave. Unë refuzova, sepse një vendim i tillë do të ishte shkelje e ligjit. Për këtë çështje, në mbledhjen e datës 26.12.2024, është bërë debat i gjatë, i cili është regjistruar dhe zbardhur në procesverbal.
Më 19.07.2024, i kam dërguar një shkresë drejtorit të përgjithshëm me nr. prot. 86, ku ndër të tjera kam shkruar:
“Mbledhja e K.D. me rend dite shqyrtimin dhe emërimin e kandidaturave të propozuara nga Drejtoria e Përgjithshme për postin e zv.Drejtorit të Përgjithshëm dhe tre përgjegjësve të njësive administrative, pas shumë debatesh u ndërpre dhe nuk e arriti qëllimin. Një gjë e tillë ndodhi sepse unë, me cilësinë e Kryetarit të K.D., refuzova shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga ana juaj, për shkak se dokumentacioni i paraqitur në dosjet e kandidatëve nuk plotësonte kriteret sipas Statutit të RTSH-së. Sikur të bënim të kundërtën, sipas gjykimit tonë, një veprim i tillë do të konsiderohej shpërdorim detyre…”
Megjithë paralajmërimin tim, Drejtori dhe një pjesë e Këshillit kërkuan me këmbëngulje të mbahej mbledhja. Unë refuzova dhe nuk pranova të merrja pjesë. Gjithsesi, nën drejtimin e z. Gëzim Podgorica, nënkryetarit të Këshillit, mbledhja u bë më 24.7.2024, ku këto kandidatura u miratuan me shumicë votash, megjithëse të gjithë ishin të vetëdijshëm se votonin kundër ligjit (!)
Kësisoj, znj. Aurora Polo, duke ditur refuzimin tim për emërimin e saj të paligjshëm (aq më shumë që i njëjti ligj e pengon të realizojë ëndrrën e saj për t’u emëruar Drejtoreshë e Përgjithshme), ka gjithë “të drejtën” t’u thotë portaleve se Kryetari i K.D. është “hajdut”…
Në mbyllje, një këshillë për miun e gjirizeve:
Mos u dëshpëro! Gjeje një gjë tjetër… ç’të kushton të thuash, për shembull, se njërin nga viktimat e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e ka vrarë Leka Bungo, ose se Leka Bungo ka paguar tetëqind mijë dollarë për të dalë në fotografi me Trumpin… e me radhë, e me radhë.