Prej orës 10:00 ka nisur Asambleja e PS. Nga mbledhja e Asamblesë, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria sot nuk ka opozitë.
Duke dëgjuar parafolësit opinionit mund ti krijohet ideja se sipas nesh gjërat janë në rregull. Unë dua të them se ‘Jo’ të gjithë gjërat nuk janë në rregull. Njerëzit nuk hanë shifra, nuk e mbushin tavolinën me statistika, nuk i veshin fëmijët me suksese dhe në fund të muajit nuk llogarisnin shifrat, por shikojnë ekonominë e tyre. Sot nuk kemi opozitë, ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura, që në pamje të parë duket se e bën më të lehtë punë tonë, por jo, sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, por fizikisht është një hata e madhe. Një opozitë që shkon në Kuvend si në një tapet mundje, është një hata e madhe. Opozita është shumë rrezikshme për ne, jo për rezultatin e zgjedhjeve, por për tu motivuar për të bërë më të mirën.
Edi Rama
Në fjalën e tij para Asamblesë së PS, Taulant Balla deklaroi se në zgjedhjet e 2019 do të kenë vetëm një koalicion, atë me qytetarët. Përballë PS, sipas Ballës do të jetë aleanca që e do politikën për interesat e tyre, PD-LSI. Gjithashtu, Balla tha se PS do të depozitojë një nisëm që edhe qytetarët të kenë mundësi që të ndërmarrin nisma ligjore.
Në zgjedhjet e 2019 do të kemi vetëm një koalicion, atë me qytetarët, përballë do të kemi një aleancë që e duan politikën për interesat e tyre. Detyra jonë është sot që banorët e cdo komuniteti t’i krijojmë mundësi për të qenë pjesë e analizës. Grupi ynë do të depozitojë për nisëm ligjvënëse të qytetarëve të Shqipërisë. Tashmë do të bëjmë me ligj, që qytetarët e thjeshtë nuk kanë nevojë për firmën e deputeteve, por mund të marrin vetë një nisëm ligjore.