Nuk e njoh personalisht z. Karabina, formimin, aftësitë, teknikat e saj. Di vetëm të them që “teknike” nuk është. E them me siguri, teksa shoh që në krahun e djathtë të saj është vendosur, në rolin e Këshilltarit të posaçëm, z. Ndriçim Mehmeti. Këtë po, e njoh.
Ndoshta paragjykoj, por besoj se me Ndriçimin e Partisë në krah, edhe vet Karabina do të ndjehej e bezdisur. E kam patur student Ndriçimin në kohën e ndryshimit të sistemeve. Djalë me nuhatje. Dilemën nëse ia vlente të ndriçonte në histori apo në politikë e zgjidhi nën favor të së dytës.
Nuk i ka dalë keq Ndriçimit, sepse djalë ende i ri ia doli të bëhej edhe komisar partie, edhe profesor, edhe drejtor i fuqishëm në Ministrinë e Arsimit. Sot është këshilltar i plotfuqishëm pranë ministres Karabina. Veçse, me Ndriçimin si këshilltar, zonja Karabina e ka të vështirë të fshihet pas eufemizmit “ministre teknike”.
Sepse këshilltari i saj është nga ata që e ka të shkruar në ballë që është njeriu i partisë. Si eksponent i arsimit demokratik, ka rënë në sy me artikujt e daljet e tij televizive, ku është rrekur të provojë se gjithçka e keqe në shkollat tona i detyrohet racës së degjeneruar të socialistëve: vagabondazhi, droga, dhuna, korrupsioni, politizimi, prostitucioni e madje edhe pedofilia.
Nuk e kam të lehtë të flas keq për Ndriçimin, për njohjen e vjetër që kam me të dhe për një dobësi që, pavarësisht prej tij, e kam për Delvinën e delvinjotët. Por tani zullumi është trashur aq sa nuk mban më. Ai dhe ministrja, së cilës ai duket se i mëson “teknikat” e qeverisjes pëdëiste, po ngulin dhëmbët edhe tek Qendra e Studimeve Albanologjike, një dëshmi-kufomë e reformës berishiane dhe e mosreformës rilindase. Në këtë institucion elitar, ku dikur mbretëronte sovran kulti i Çabejt e i Budës, d.m.th. kulti i dijes, sot rëndon kulti i shefit dhe i drejtorit, d.m.th. kulti i pushtetit. Njëlloj si në një ndërmarrje çfarëdo të ujësjellës-kanalizimeve.
Njëlloj si në universitetin e dekanëve të përjetshëm e të korruptuar të partisë. Dhe këtë rënie klasi në institucionet tona akademike e universitare duhet t’ia dimë për nder Partisë së Mirelës e të Ndriçimit, falë së cilës qysh më 1992 u instalua kultura e marrëdhënieve qenësore (dua të them: prej qeni) me pushtetin. Në emër të pushtetit, PD ka vrarë e ka prerë, ka djegur e ka pjekur, ka ndarë e ka përçarë, ka shitur e ka blerë, ka ndyrë e ka qelbur. Gjithçka.
Shoqërinë, shtetin, institucionet, drejtësinë, moralin, artin, shkollën, detin, tokën, ajrin, dosjet, diplomat, notën, votën. Madje, edhe vetë opozitën socialiste. Bilancin e tmerrshëm që kjo parti mban mbi shpinë do t’ia numërojë një ditë gjyqi i historisë. Mes terrorit jakobino-gebelsian, PD e z. Berisha, ka mundur të jetë gjithnjë një parti pushteti. Ka qeverisur edhe në vitin 1991, ende pa fituar zgjedhjet. Ka qeverisur edhe pas viteve 1997 e 2013, kur ka humbur zgjedhjet.
Po qeveris (hapu qiell!) edhe tani, pas débâclit të zgjedhjeve të qershorit 2017. Dhe po qeveris me skalionin e tretë të saj, me Z.njën Karabina dhe “pisqollat” e tjera që i katapultoi në pushtet zemërgjerësia e “xhentëlmenit” socialist të radhës. Edhe ky, z. Rama, si paraardhësit, u rropat të zbusë, të qytetërojë, të përfshijnë në sistem, të ndajë pushtet me një detashment të egër anti-shtet e antishqiptar, siç ka qenë në këta 26 vjet grupi drejtues i PD-së së zotit Berisha. Gjesti më tragjik në këtë garë altruizmi me vetveten ishte ai i vitit 2008, kur z. Rama i lejoi kësaj lukunie të kafshojë Kushtetutën, duke destabilizuar krejt strukturën institucionale të shtetit./ Pjesë nga shkrimi i Pëllumb Xhufit 18 Brymeri i Ministër Pisqollës