Nga Mero Baze
Të gjithë ata që mendojnë se kundërshtimet e disa liderëve politikë, apo zërave publik kundër hapjes së negociatave, janë politike gabojnë.
Nesër, Komisioni Evropian do tu jap dritë jeshile hapjes së negociatave për anëtarsim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për herë të parë, po duket se shumë segmente politike në Shqipëri, kanë filluar të reflektojnë seriozisht për “rrezikun” që mund të sjell ky hap final i vendit të tyre.
E vërteta është se për herë të parë shumë segmente të inkriminuara të shoqërisë dhe politikës po e shikojnë si telash dorëzimin e sovranitetit tek Bashkimi Evropian, dhe po përpiqen të prodhojnë ngjarje me shpresë që ta mbajnë atë sa më larg.
Shenjat e para u dhanë tek procesi i miratimit të reformës në drejtësi, ku pjesa më e kontestuar e kundërshtarëve të reformës ishte prania e mbikqyrjes ndërkombëtare në gjithë procesin.
Më pas e gjithë lufta mori trajtën e betejës kundër dy diplomatëve kryesorë të perëndimit në Shqipëri, atij të SHBA dhe BE, pasi ata u investuan në mënyrë direkte në këtë proces. Edhe pse ambasadorët e Perëndmit ishin të gjithë në një qëndrim mbi të gjitha çështjet beteja u fokusua vetëm mbi Donald Lu dhe Romana Vlahutin, të cilët shërbyen si gardianë të miratimit të reformës, shpesh herë dhe me presion të hapur në emër të perëndimit.
Përpjekjet për të maskuar kundërshtimin ndaj hapjes së negociatave me arsye politike janë boshe. Lulzim Basha sot nga Berlini, ndërsa po lobon kundër hapjes së negociatave dhe po përgatit një deputet të CDU nga ata q ëi bëjnë seminare PD të vijë javën e parë të Majit të falas për “nevojën për kushte të reja” për Shqipërinë, tenton të bëj sikur nuk ka asgjë me hapjen e negociatave, dhe i shkon gjuha aty ku dhemb dhëmballa, tek arrestimi i politikanëve dhe oligarkëve të korruptuar.
Por reagimi më i qartë ku një pjesë e politikës shqiptare zbulon veten, ka të bëj me vet viktimat e para të betjejës së perëndimit kundër korrupsionit në vend. Paisoni politik me të cilën po mbrohet politikisht Adriatik Llalla për shembull, është një skaner i thellë i bezdisë që po krijohet në Shqipëri nga dorëzimi i sovranitetit tek perëndimi.
Lajmi i sotëm për Tom Doshin do ta forcoj këtë paranojë dhe aj që do të shikojmë në vazhdim do të jetë forcimi i një fryme euroskeptike, e cila nuk është e ngjashme me frymën e euroskeptikëve perëndimorë që ankohen për një BE të dobët dhe burkoratike, por nën frymën e cubave lokal shqiptarë, të cilët po shikojnë se në katundet e tyre nuk mund të bëjnë më ligjin, pasi po hyjnë nën një pushtet të ri politik, dhe nën një standart të ri ligjor.
Prandaj mos e merrni se e kanë politikisht kur thonë se nuk jemi gati për negociata, as kur janë gati të nxijnë Shqipërinë për të mos u hedhur ky hap. Nuk është një betejë elektorale dhe as politike. Për fat tek shqiptarët nuk ka ndikim politik procesi i integrimit në Evropë, pasi e marrin të mirqënë si një destinacion ku do të shkojnë një ditë.
Ajo që po forohet përditë e më shumë në Shqipëri, është krijimi i një klime bezdie nga perëndimi, si dikush që po na hyn çdo ditë në shtëpinë tonë, në punët tona, në partitë tona, në zyrat e shtetit dhe kudo tjetër.
Është një bezdi nga prishja e rehatisë së një grupi njerëzish të cilët kanë menduar se nuk do të dorëzoheshin kaq shpejt. Dhe kur shikojnë shembuj konkret se si mund të mbaroj parajsa e tyre me një komunikatë në faqen e ëëë.state.gov, apo në një deklaratë nga Brukseli, e kupton bezdinë e tyre reale nga Perëndimi.