Nga Aleksandër Çipa
Lëndimet publike dhe dramat e cënimit të imazhit në mediat e reja shqiptare janë dukuri e shpeshtë. Janë shpesh dramasjellëse, madje fatkeqësisht, nuk mungojnë as tragjedi njerëzore e familjare.
Në organizatën tonë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, janë të shpeshtuara ankesat dhe adresimet nga subjekte, individë, nëpunës dhe kategori të ndryshme të shoqërisë sonë që sjellin ankesat e tyre shpesh të dëshpëruara për pamundësinë e ndaljes së akteve publikuese që sjellin pasoja apo mbartin pavërtetësi dhe nuk mundësojnë versionet e së vërtetës e aq më tepër kryqëzimin e burimeve. Në këto raste përfshihen edhe ndjeshmëri të larta kolektive.
Para pak ditësh nga persona të ndryshëm dhe përfaqësues komunitetit të zonës së Mokrës në qarkun e Korçës, morëm disa imeile ndaj një kolegeje të medias publike, e cila kishte raportuar për një fenomen social në ekran. Raportimi i saj kishte krijuar perceptimin për një dukuri masive inçestesh në këtë zonë. Dhe për këtë shkak reagimi ka vijuar të jetë shumëpërfshirës ndaj gazetares, duke i kërkuar me këmbëngulje, sikundër shprehet ankuesit: përgënjeshtrim, ndjesë publike, saktësime dhe riraportim nga realiteti sikundër e cilësojnë:
“I vërtetë I Mokrës”. Ndjeshmëria e banorëve ndaj këtij rasti ka përfshirë edhe bij dhe bija nga emigracioni që i përkasin kësaj zone. Janë ende vijuese reagimet e banorëve, madje më i fundit prej një shkrimtari mokrar, rezident në Detroid të SHBA. Në kërkesat për ndjesë të reporteres është përfshirë këmbëngulja e tyre që të ketë proçesS juridik për cështjen të cilin zyrtarisht duhet ta ndjekë Bashkia e Pogradecit!!
Pas interesimit tonë, reporteria në fjalë ka pasuar me reagimet e veta sqaruese dhe ndjesën publike, por reagimet ende nuk kanë shterur!
Rasti tjetër është më tipik. Një zonjë me investim professional të sukseshëm, emigrante në
Gjermani na ka nisur në imelin tonë zyrtar këtë ankesë:
“Zotërinj përfaqësues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë!
Ju përshëndes! Unë jam Eni Qirjako, kam lindur në Tiranë dhe jetoj në Gjermani. Në Tiranë kam qenë Docente në disa Universitete (publik dhe privat) dhe kam qenë Psikoterapiste e njohur dhe e vlerësuar në gjithë Shqipërinë. Kam disa publikime, libra në fushën e psikologjisë.
Kam qenë shpesh e ftuar në televizionet për cështje lidhur me psikologjinë dhe emri im është lakuar vetëm në aspektin pozitiv.
Prej shumë vitesh jap mësim në Gjermani dhe kam zyrën time private. Jam e vlerësuar në Gjermani, po aq sa kam qenë e vlerësuar dhe në Shqipëri.
Vjedhja e identitetit tim në 2022, qoftë me apo pa dashje, ka dëmtuar imazhin tim në nivel ndërkombetar dhe i ka shkatuar jo vetëm personit tim, por dhe familjes time një dëm moral dhe financiar të pallogaritshëm.
Për këtë po ju drejtohem juve për ndihmë, pasi institucionet shtetërore në Shqipëri nuk më mundësojnë asnjë mbështetje në vendosjen e të drejtës time në vend. Këtë e-mail, sic e shihni, jua kam nisur disa institucioneve (që prej vitit 2022, në fakt, disa herë) dhe këtë herë bashkangjita dhe imeilin e Unionit, pasi nuk jam në gjendje të komunikoj me mediat online, shumica e të cilave vazhdojnë të dëmtojnë imazhin tim dhe nuk duan ta korrigjojnë lajmin, të heqin foton time (e cila në fakt është aksidentalisht një foto e pasaportes time përpara 15-16 vjetëve dhe mund të ketë dalë vetëm prej një institucioni shtetëror) dhe ta zëvendësojnë me personin me të njëjtin emër që ka kryer shkeljen e pretenduar, e cila pas verifikimeve të mia është një vajzë lindur në Vlorë dhe punonjëse shteti në Tiranë, por që s’ka të bëjë fare me mua. Mundeni ju lutem, të më ndihmoni ta zgjidh këtë çështje?
Ju falenderoj paraprakisht dhe ngelem në pritje të përgjigjes tuaj.
Dr. Eni Qirjako “
Këto janë dy raste tipike në përvojën gati të përditshme të mediave online, të cilat nuk e kanë dhe nuk e japin ndjeshmërinë ndaj së drejtës së cënuar të qytetarit, subjekteve apo qoftë edhe personaliteteve publike. Për këtë shkak përceptimi publik në vend për mediat e reja po goditet si besueshmëri, përgjegjësi e munguar dhe sidomos ndjeshmëri ndaj së drejtave themelore të qytetarëve. Në kushtet e vakumit ligjor për këto media të reja në vend, dhe kur kaosi në të cilin duket se funksionojnë dhe përdoren ato, është një problem tjetër i shtuar në dimension shoqëror. Shqetësimet si për opinionin publik ashtu edhe për vetë komunitetin profesional të gazetarëve dhe enteve mediatike janë në shtim. Organizata të profilit si Këshilli Shqiptar i Mediave, etj., që prej kohësh janë në nisma vetërregulluese, ofrojnë raste dhe shembuj të publikuar, sikundër kanë raportuar periodikisht edhe për ankesa të tjera dhe ndërhyrje pranë një pjesë të vogël të rrjetit të mediave të reja.
Gazetaria online në Shqipëri përbën një vokacion të ri edhe cilësor, për rolin, funksionet dhe ndikimet në jetën informuese, komunikimin e shoqërisë sonë dhe sidomos për qarkullimin e informacionit, raportimit dhe kontenteve të shumta multimediale.
Kjo gazetari ka sjellë risi të shumta në proceset funksionale të medias në tërësi, sikundër ka rritur dhe ka shtuar disa probleme dhe efekte mbi shoqërinë, entitetet e mediave dhe komunitetin e gazetarëve në përgjithësi. Zhvillimi i këtyre mediave ka shembur statusquonë e mediave klasike.
I pari që e ka humbur këtë status, për shkak të këtij zhvillimi është shtypi i shkruar. Ky medium tashmë i ka humbur krejt atributet funksionale të informimit dhe po udhëton “kohën e fundit” të ekzistencës deri në të ardhmen më të afërt.
Gazetaria online përballet me shumë sfida të cilat mund të ndahen sipas pikëpamjes sime në tri blloqe.
Së pari janë sfidat e zotërimit teknologjik dhe informativ të cilat janë të ndryshme për brezat e gazetarëve në komunitetin profesional. Për këtë arsye online ka sjellë heterogjenizim të madh në pikëpamjen e dijenive, përdorimit, zotërimit dhe aplikimit si dhe arsimimit të komunitetit të gazetarëve, sidomos në dy dekadat e fundit.
Së dyti janë sfidat deontologjike të cilat kanë rikthyer probleme substanciale në rënie tronditëse të besueshmërisë, të drejtraportimit, të shpërfilljes së parimeve raportuese dhe në raportet dhe marrëdhëniet mes entitetit të qytetarëve gazetarë dhe gazetarëve profesionistë brenda online-it.
Së treti, sfidat e tjera kanë të bëjnë me rikthimin e disa prej problemeve me të cilat shtypi, shoqëria shqiptare u përball në krye të tri dekadave më parë si përbaltja, ndotja etike, thashethemi, anonimiteti dhe sulmet, shantazhimi, intimidimi, përfshi edhe ato të medias kundër medias dhe gazetarit kundër gazetarëve.(!)
Mediat online në Shqipëri, në shumicën e tyre ua kanë dhënë mundësinë për t’u quajtur gazetarë, dhjetra personave që nuk kanë as kulturën, as arsimimin profesional, as lidhje përgatitore dhe formuese me këtë profesion apo përdorimin e online në funksion mediatizues.
Vetë ky sektor i mediave po përballet e do të përballet në të ardhmen me sfidat rregulluese dhe vetërregulluese. Këto të dytat, kanë mbetur të paarritshme dhe të penguara përgjatë 30 e kusur viteve të fundit edhe në mediat e tjera e për rrjedhojë të tilla dhe të vetëpengjeshme do të mbeten dhe për të ardhmen. Por shtimi specifik dhe numerik i rasteve kur mediat nuk e japin një të drejtë elementare për qytetarët dhe individët e shoqërisë së lirë, për të paraqitur ata versionin e tyre dhe të drejtën e vet opcionale, kjo është një flagrancë e mohimit të lirisë themelore të shprehjes dhe të pohimit apo mohimit.