Një ditë pas shkrumbimit të tragetit të linjës Greqi-Itali ‘Euroferry Olympia’, vijojnë kërkimet për 12 personat e zhdukur.
Dyshohet se numri i të zhdukurve mund të jetë edhe më i lartë për shkak se në anije mund të ketë patur edhe klandestinë.
Personat e zhdukur janë 7 bullgarë, 3 grekë 1 turk dhe 1 lituanez, ndërsa shpresat për të mbijetuar sa vijnë edhe pakësohem.
Zjarri në anije thuajse është shuar, por ende vijon të digjet pjesa e brendshme, ndërsa zjarrfikësit janë larguar që prej pasdites së djeshme për shkak se temperaturat në anije janë shumë të larta, deri në 600 gradë, dhe mund të rrezikojë jetën e tyre.
278 persona janë shpëtuar, përfshirë një që nuk ishte në listën zyrtare të pasagjerëve, ndërsa dy personat e tjerë që kishin mbetur të bllokuar në garazhin e anijes, u nxorën gjallë mbrëmjen e djeshme.
Trageti ‘Euroferry Olympia’ u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të djeshëm, teksa po lundronte nga Igumenica drejt Brindisit të Italisë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërsa hetimet vijojnë.