Rikthehen seancat gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Dosja e ish-ministrit, e cila ndodhet tashmë në duart e Apelit të Posaçëm, do të nisë rishqyrtimin më 20 dhjetor të këtij viti, në orën 09:00.
Ndërkohë, procesi ende pa nisur, ka hasur në probleme, për shkak të dorëheqjes së dy anëtarëve të trupës gjykuese. Kështu, çështja do të kryesohej nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila vendosi të heqë dorë, ashtu siç ka vendosur të dorëhiqet edhe gjyqtarja Ilirjana Olldashi.
Tashmë, pritet që KLGJ të delegojë anëtarin e tretë për të plotësuar trupën gjykuese. Ndërkohë, kujtojmë se më 25 nëntor dosja ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-zyrtarit të lartë të policisë Jaeld Çela, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Gjykata e Lartë mori më 28 shtator vendimin për të rikthyer çështjen për Tahirin në apelin e GJKKO me trupë tjetër gjykuese, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për rigjykim në shkallë të parë. Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë.
Më pas ish-ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale, “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij. Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali.