Këto ishin vetëm mesazhet e para të Klement Balilit për krerët e politikës shqiptare, shumica e të cilëve janë të implikuar në pazare e skandale të mëdha
Klement Balili, i cilësuar si ‘Eskobari i Ballkanit’, duket se ka hapur ‘kutinë e Pandorës’ dhe ka nisur të flasë. Në intervistën e tij të parë pas dy vite e tetë muajsh në arrati, Balili ka folur publikisht për lidhjet e tij me politikën, duke zbuluar dhe dy emrat e parë. Tashmë dihet nga të gjithë se ‘Eskobari’ i trafikut ndërkombëtar të drogës ka lidhje të fuqishme me politikën shqiptare të të gjitha kaheve dhe çdo informacion i thënë prej tij do të rrezikonte shumë koka të larta.
Njreiu që ka tmerruar gjithë kupolën politike, pas dorëzimit në polici një ditë më parë, ka vendosur të flasë, duke ‘fundosur’ të parët Ilir Metën dhe Sali Berishën. Pikërisht këta janë dy emrat e parë, që Balili ka përmendur, duke treguar dhe lidhjet me ta.
Ai ka pranuar hapur se është takuar me ish-kryeministrin Sali Berisha, duke treguar madje dhe një sekret të madh në lidhjen mes tyre. ‘Eskobari’ ka deklaruar se Berisha ka qenë në shtëpinë e tij, duke mos dhënë detaje të tjera, por në deklarimet e radhës ai mund të zbulojë shumë të fshehta që do t’i bënin ‘gropën’ ish-kryeministrit.
“Po, para shumë kohësh, kur vinte në zonën e Delvinës, e kam takuar Berishën. Ka kaluar në fshatin tim, ka ardhur edhe në banesën time. Unë kam qenë i vogël atëherë, e kam takuar, i kam dhënë edhe dorën. Vetëm atë person”, ka thënë Balili në intervistën e tij të parë, duke i përcjellë mesazhin se beteja për ‘luftë a vdekje’ sapo ka nisur.
Të njëjtën mesazh të fortë Balili ia ka përcjellë edhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke dhënë madje më shumë detaje mbi lidhjet me partinë e tij.
“Familja ime ka kontribuar për LSI. Edhe unë kam kontribuar. Kam kontribuar, pavarësisht se nuk jam ngatërruar me politikën, por kam ndihmuar thjesht familjarët. Dhe për këtë gjë m’u ofrua ky shpërblim, si post drejtori. Dhe unë e pranova dhe kam shërbyer në atë post. Nuk jam implikuar në korrupsion. Dhe kjo është një gjë që e faktojnë edhe provat”, është shprehur ‘Eskobari’, i cili deri dje ndodhej në kërkim ndërkombëtar, për shkak të lidhjeve të tij me trafikun e drogës dhe bandat kriminale.
Këto ishin vetëm mesazhet e para të Klement Balilit për krerët e politikës shqiptare, shumica e të cilëve janë të implikuar në pazare e skandale të mëdha. Zbërthimi i plotë i Balilit do të ‘fundosë’ shumë politikanë shqiptarë, me në krye dyshen më famëkeqe Meta-Berisha, të cilët në këto 28 vite kanë punuar vetëm me qëllimin për të shkatërruar Shqipërinë.