Kur do duhej të ishte një mbledhje e qetë, diskutimet e ndryshimeve kushtetuese kanë shkaktuar debate e pakënaqësi mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.
Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit janë mbledhur online për të diskutuar nen për nen ndryshimet në Kushtetutë që kërkuan 28 deputetët e opozitës parlamentare për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve.
Mbledhja e djeshme nisi me një prapaktheu të grupit demokrat, teksa deputeti Korab Lita, kërkoi uljen e pragut nga 5% që e kërkuan në fillim në 2%, pra duke e ulur me 1% krahasuar me atë që është aktualisht 3%, duke favorizuar akoma më shumë futjen e partive të vogla në Kuvend. “Propozoj që në pikën 2 të nenit të parë, të bëhet jo më pak se 5% të votave të vlefshme, por 2% të votave të vlefshme.
Pragu 5% dhe ndalimi i koalicioneve ngushtojnë hendekun. Pragu 2% e plotëson më së miri nevojën e shfaqur”, deklaroi ai. Ndërkohë kërkesa e Litës është mbështetur edhe nga kryetari i grupit demokrat, Myslim Murrizi. “E mbështes propozimin e relatorit në emër të opozitës që të ndryshojë pragu. Të merret parasysh që të ndryshohet nga 5% në 2%. Pragu 2% nuk është shumë i ulët, nuk sjell 100 parti në Kuvend”, deklaroi ai. Ndërsa edhe deputetja Rudina Hajdari ishte pro. “Propozimi i pragut zgjedhor 5% nuk ka ardhur nga grupi demokrat, ka ardhur nga deputetë të tjerë. Ulja e pragut do ishte më e drejtë dhe do të krijonte konkurrueshmëri”, deklaroi ajo.
Ndarja e mandateve “Asi” nën mëngë i mazhorancës
Por ky propozim ka hasur në kundërshtinë e socialistëve, të cilët kanë kërkuar shtyrjen e komisionit në orën 18:00 të ditës së djeshme. Relatorët e mazhorancës, Klotilda Bushka dhe Alket Hyseni kanë kërkuar më shumë kohë, ndërkohë që u shprehën kundër pragut 2% se dukej i ulët. “Duhet shqyrtim. Kërkohet analizë pse ky prag më duket i ulët. Pragu 5% është frenues. Të mblidhen relatorët dhe të bien dakord”, u shpreh Bushka.
Ndërsa deputeti tjetër, Andi Përmeti kërkoi saktësimin e një prej pikave të draftit të propozuar nga opozita. Përmeti kërkoi saktësimin e ndarjes së mandateve, duke shtuar se pragu nuk ka rëndësi për sa kohë që relatorët nuk kanë sqaruar se si do të bëhet futja e të zgjedhurve të popullit në Kuvend. “Nëse nuk e saktësojmë ndarjen e mandateve, nuk ka rëndësi pragu. Është flluskë sapuni nëse nuk e lidh me shpërndarjen e mandateve. Duhen qartësuar shumë mirë relatorët që ta kuptojnë qytetarët.
Duhet sqaruar ndarja e mandateve, ndryshe çfarë kuptimi ka”, deklaroi ai. Më pas u vendos që Komisioni të mblidhej në orën 18:00 për të vendosur. Por mbledhja u zhvillua, ndërkohë që burime i thanë gazetës se ka pasur debate për formulën e ndarjes së mandateve. Gazeta e ka deklaruar se formula e ndarjes së mandateve është “Asi” nën mëngë i mazhorancës dhe duket se kështu ka ndodhur, pasi mbledhja është shtyrë për sot, pasi deputetët e opozitës së re donin më shumë kohë të njiheshin me formulën e propozuar nga ekspertët.
Megjithatë, gjasat janë që skema e ndarjeve të mandateve do të jetë edhe mburoja e Partisë Socialiste. Kjo pasi edhe pse u tha që hapja e listave i heq autoritetin kryetarit, kleçka është mënyra e shpërndarjes së mandateve që çon ujë sërish tek kryetari. Kështu që, të ndodhur përpara këtyre paqartësive, u vendos që Komisioni të mblidhet sot për të vendosur. Sidoqoftë mbetet të shihet sot se çfarë do të vendoset më konkretisht. / RIGELS SELIMAN