Solidariteti shoqëror duket se po rikthehet në Shqipëri. Banorët e fshatrave Prishtë, Rehovicë dhe Dorës në Bashkinë e Skraparit, po e kthejnë në realitet atë që autoritetet shtetërore e kanë premtuar, por nuk e realizuan gjatë 30 viteve të tranzicionit të tejzgjatur që po kalon Shqipëria pas rënies së regjimit komunist.
Ata janë bashkuar dhe po punojnë për rindërtimin e rrugës Çorovodë- Prishtë. Prej mijëra vitesh, kjo rrugë ka qenë dëshmitare e kalimit të udhëtarëve, karvaneve të mallrave, pelegrinëve bektashinj e luftëtarëve në kohëra të ndryshme.
Rruga ka lidhur zonën me disa prej qendrave të rëndësishme të jugut si Përmetin, Gjirokastrën dhe Beratin, dhe siç shprehen banorët ka qenë dëshmitare e jetës, gëzimeve dhe hidhërimeve të tyre.
Ndoshta është kjo arsyeja që banorët e Prishtës, Rehovicës dhe Dorës e konsiderojnë atë si një monument dhe duan të rikthejnë lavdinë e saj. Banorët vendas, por më së shumti të banorë të larguar nga këto fshatra, kanë bërë të mundur mbledhjen e një fondi të konsiderueshëm prej 2.6 mln lekësh për të rikthyer jetën dhe historinë e rrugës.
Banorët kanë siguriuar 750 metër kub material rërë bituminoze dhe 80 metër kub çakull, ndërsa Bashkia e Skraparit ka vendosur në dispozicion punonjës të ndërmarrjes së shërbimit dhe mjete të rënda.
Prej tri ditësh rruga Çorovodë- Prishtë, 8.5 kilometra e gjatë është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Në gjithë gjatësinë e saj po kryhen punime në hapjen e kanaleve kullues, shtrimin dhe nivelimin e çakullit si dhe hedhjen e rërës bituminoze.
Nisma e banorëve të tri fshatrave Prishtë, Rehovicë dhe Dorës, është një nismë e rrallë në Shqipëri për vitet që po jetojmë. Ajo po përshëndetet nga mjaftë dashamirës dhe sidomos nga banorët emigrantë të zonës. Shumë prej tyre që kanë mbërritur për pushimet verore në vendlindje, janë zotuar se do të ndihmojnë që rruga të vazhdojë më tej.
Rruga e cila nis nga ura e Blezënckës mbi Kanionin e famshëm të Osumit, lidh edhe 16 fshatra të tjerë të Bashkisë së Përmetit, Këlcyrës dhe Beratit. Në pak kilometra të saj gjen asete dhe monumente të rëndësishme arkeologjike, fetare dhe natyrore.
Në inisiativen e tyre, banorët e kësaj zone synojnë të përfshijnë jo vetëm Bashkinë e Skraparit, por edhe Ministrinë e energjisë dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Ata u kanë bërë thirrje titullarëve më të lartë të këtyre dikastereve që të bashkohen në këtë nismë për ti ndihmuar në finalizimin e shtrimit të rrugës.
Banorët po punojnë që rruga të jetë gati më 18 Gusht, kur ata dhe banorët e zonave fqinje dhe me gjerë të festojnë tek Teqeja e Prishtës si çdo vit çeljen e Peligrinazhit në Malin e Tomorrit.