Hapja e negociatave sjell buzëqeshjen e shqiptarëve, por për politikën nuk është një lajm i mirë. Ka shumë emra që e bëjnë ende gjumin të qetë ndonëse kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve. Por duket se kjo qetësi nuk do të jetë shumë e gjatë. Ditën e djeshme kanë filluar punimet për përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë të BE.
Në progres-raportin për Shqipërinë janë një sërë kapitujsh që do të hapen për diskutim dhe më të rëndësishmit janë ato të drejtësisë. Fokusi kryesor do të jenë pikërisht gjurmimi i parave të pista në Shqipëri, rrugë që do të çojë në hapjen e dosjeve për politikanë të korruptuar. Pra, funksionimi i drejtësisë do të jetë një pikë kyçe në përballjen e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Goditjet ndaj krimit, ndryshe nga më parë kanë afat kohor. Ato do të jepen në fillim të nëntorit, ku do të zhvillohet në Tiranë takimi i posaçëm mes përfaqësuesve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Për një reformë të plotë vendi unë do të ketë mbështetjen e unionit përmes programit EU4LEA e prezantuar nga ambasadorja e BE, Christine Homann. Kjo do të thotë se çdo gjë do të shkohet sipas udhëzimeve që do të japin ndërkombëtarët. Ndërkohë gazeta ka mësuar se SPAK ka në proces hetimi shumë dosje të bujshme. Bëhet fjalë për hetime sekrete që po zhvillohen si për bosë krimi, ashtu dhe zyrtarë të lartë. Ndërkohë, pas presionit të SHBA e BE pritet të nisë reprezalja në politikë.
Mesazhi i fortë nga BE
“Do të shikohet si po konsolidohet reforma në drejtësi. Do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve ndjekjeve penale dhe I dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të priten më shumë rezultate në luftën kundër pastrimit të parave. Do të duhet një angazhim në vijim për luftën kundër prodhimit të trafikimit të kanabisit, armëve të zjarrit dhe qenieve njerëzore”. Mesazhi që erdhi ditën e djeshme nga BE, ka futur në ankth politikën shqiptare, pasi këto hetime që do të shtohen ditët në vijim pritet të shkarkojnë “tërmet” në radhët e pushtetarëve të lartë të korruptuar.
Asistenca nga ndërkombëtarët
Gjuetia për pastrimin e parave, ku shpesh BE ka ngritur alarmin për vendin tonë, ka nisur. Për të pasur hetime më të plota kryeprokurori Olsian Çela apeloi për të pasur më shumë oficerë të policisë gjyqësore dhe trajnime të tyre. “Fokusi jonë kryesor për të cilën do të kërkojmë mbështetjen nga misioni, do të jetë patjetër struktura jonë e policisë gjyqësore ku do të veçoja: Së pari zgjerimin e kapaciteteve profesionale të tyre, sidomos seksionet për krimin financiar dhe të pastrimit të produkteve të veprës penale. Por gjithashtu dhe të oficerëve që sapo kanë hyrë në sistem, të cilët kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme dhe të gjithanshme për rritjen e nivelit të tyre profesional”, tha Olsian Çela.
Prokurori i Përgjithshëm në fjalën e tij në prezantimin e programit të ‘EU4LEA’ të financuar nga BE për rritjen e sigurisë, u shpreh se nisja e këtij projekti vjen në një moment të rëndësishëm të implementimit të Reformës në Drejtësi.
BE mbështetje për sigurinë
Nga ana tjetër, kryeprokurori Olsian Çela, premtoi rezultate bindëse në luftën me pastrimin e parave në Shqipëri. Sipas tij, me ndihmën e BE, Shqipëria do të ecë me hapa shumë të shpejtë. “Nisja e punës së projektit vjen në një moment të rëndësishëm të implementimit të reformës në drejtësi, atij të konsolidimit të institucioneve të reja apo të atyre të rikonceptuara prej saj. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, në përmbushje të detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore, janë ndjekur hap pas hapi çështjet që lidhen me zbatimin e ligjeve të reja, duke synuar që tërësia e problemeve të hasura të trajtohet përmes një angazhimi shumëplanësh, që ka konsistuar në dhënien e kontributit konkret në drejtim të koordinimit institucional, në rritjen e transparencës ndaj publikut për mënyrën e funksionimit të institucionit si dhe bashkërendimin me organet e tjera kushtetuese për gjetjen e zgjidhjeve ligjore në funksion të interesit publik.
Në vitin 2020 nga ana jonë u parashtrua vizioni strategjik për realizimin e disa objektivave që konsistonin në: Sigurimin e mirëfunksionimit të zyrave të prokurorisë, përmes monitorimit të punës në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë, garantimit të respektimit të pavarësisë së prokurorëve dhe rritjes së përgjegjshmërisë e respektimit të të drejtave të subjekteve të procedimit penal.
Standartizimin e procedurave të operimit në pikëpamje administrative dhe procedurale brenda zyrave të prokurorisë në funksion të organizimit të ri kushtetues dhe ligjor, me qëllim funksionimin normal të tyre, Garantimin e zbatimit të ligjshmërisë, duke vënë theksin në rritjen e efiçensës së ndjekjes penale në drejtim të veprave penale që lidhen pastrimin e produkteve të veprës penale dhe konfiskimin e aseteve kriminale Mirëadministrimin e procesit të hetimit, që nga faza e regjistrimit të veprës penale dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me qëllim uljen e kohëzgjatjes së hetimeve dhe optimizmin e produktivitetit”, tha ai ndër të tjera.
Plotësimi i të gjitha objektivave
Në fund Olsian Çela, u shpreh se objektivat do të realizohen me bashkëpunimin e fortë me ndërkombëtarët me përafrimin e performancës së institucioneve tona me standardet më të mira në BE. “Që në nisje procesi i realizimit të tyre është mbështetur në vazhdimësi nga misionet Euralius dhe Pameca, çka përbën një eksperiencë të vyer mbi të cilën besoj se do ndërtohet edhe puna për vijimin e bashkëpunimit me projektin EU4LEA.
Këto objektiva përputhen më së miri edhe me ato të projektit të saponisur. Në përfundim, plotësisht i bindur në suksesin e projektit, dua t’ju siguroj për angazhimin e plotë të prokurorisë, në funksion të krijimit të sinergjisë së duhur për realizimin e objektivit të përbashkët, atij të përafrimit të performancës së institucioneve tona me standardet më të mira në BE”, u shpreh Çela. /Elmas Bogdani