Kombet e Bashkuara njoftuan sot se ishte në proces e sipër një përpjekje e shumëpritur për të evakuuar një numër të konsiderueshëm civilësh nga fabrika e çelikut “Azovstal”, që ndodhet në qytetin ukrainas të Mariupolit.
Zëdhënës humanitar i OKB-së, Saviano Abreu, tha për agjencinë “Associated Press” se operacioni për nxjerrjen e njerëzve nga fabrika e çelikut, po bëhej në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarë ukrainas e rusë.
Rreth 100,000 vetë besohet se janë ende në Mariupol, ndërkohë rreth 1 mijë civilë dhe rreth 2 mijë luftëtarë ukrainas, ndodhen brenda fabrikës së çelikut të epokës sovjetike, e vetmja pjesë e qytetit, që nuk është pushtuar nga rusët.
Zoti Abreu e quajti situatën shumë komplekse, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ashtu si evakuimet e mëparshme, suksesi i misionit në Mariupol varet nga Rusia dhe forcat e saj në një seri pikash kontrolli, përpara se të mbërijnë në ato ukrainase.
Njerëzit që janë larguar nga zonat e pushtuara nga Rusia kanë thënë se në disa raste automjetet e tyre janë qëlluar me armë. Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar vazhdimisht forcat ruse se kanë qëlluar me artileri korridoret e evakuimit, për të cilat të dyja palët kanë rënë dakord që të jenë të sigurta.
Forcat ruse kanë nisur një operacion të madh ushtarak për të marrë kontrollin e rajoneve në Ukrainën jugore e lindore, pas dështimit të tyre për të kapur Kievin. Mariupoli, një qytet-port në detin Azov, është një objektiv kyç për shkak të vendndodhjes së tij strategjike, pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi në vitin 2014.
Evakuimet e zhvilluara të shtunën nga ky qytet ishin të kufizuara. Detajet mbi ecurinë e tyre ishin të paqarta duke pasur parasysh numrin e palëve të përfshira në negociata dhe situatën e paqëndrueshme në terren.