Tanush Mulleti: Ju tregoj 4 shkurtin real, vrasjet nuk u bënë nga gjermanët dhe ballistët, roli i Xhafer Devës dhe si komunistët manipuluan ngjarjen
Tanush Mulleti, nipi i Qazim Mulletit, gjatë një interviste për “Fokus TV” të Robert Papës, ka theksuar se regjimi komunist ka manipuluar historinë për ngjarjet e 4 Shkurtit. Sipas tij, komunistët kanë marrë listat e njerëzve që janë vrarë nga bombardimi anglez në 1944, dhe i kanë përfshirë në numrin e të vrarëve në masakrën e 4 Shkurtit. Tanush Mulleti ka mohuar implikimin e Qazim Mulletit në masakrën e 4 Shkurtit, ndërsa ka folur edhe rreth rolit të Xhafer Devës, ish-komandanti i Xhandarmërisë, si protagonist kryesor i kësaj ngjarjeje.
-Çfarë ka ndodhur në 4 shkurt, 1943, në Tiranë, në atë që është quajtur Masakra ndaj komunistëve?
Historia duhet shkruar e vërtetë si ka ndodhur. Historia jonë është deformuar. Jo vetëm gjatë komunizmit, edhe përpara ka pas shenja që nuk është shkruajtur e vërteta. Gjatë regjimit komunist, kjo është deformuar krejt. Dikund shtohet, dikund zvogëlohet. Nuk thuhet e vërteta. Më 4 shkurt, është e vërtetë se janë vra njerëz në Tiranë. Kjo nuk mohohet se janë vrarë. Kush është shkaku? Si është shkaku? Duhet me gjet pse u vranë, si u vranë, sa u vranë?
-Pse je interesuar për 4 shkurtin?
Jam interesuar sepse kur isha i vogël, në shkollë fillorë në Kavajë, ku ishim të internuar, aty te “këndimi” ishte se 4 shkurtin e ka ba: Xhaferr Deva edhe Qazim Mulleti. Kur shkoja në shtëpi, fëmijë ishje, baba thoshte: Jo mër s’ka ba gja Qazimi. Pas disa vjetësh, çuditërisht e hoqën Qazimin dhe ja lanë vetëm Xhaferr Devës. Kur erdh demokracia, unë thashë, ta shof nji herë kët punë. Morra një autorizim nga ministri i Brendshëm. Dosja ishte e mbërthyeme, e vulosun. Ishin nja 70-80 faqe. Ishte ruajtur shumë bukur.
Mora, aq sa u lejonte në atë kohë. Më vonë e mora fotokopjen e dokumentit. Ngjarja, informacionin që ka dhënë ministria e Brendshme, ose policia, bashkia, prefektura, prokuroria, është për t’u marrë shembull dhe sot. Në kohë lufte, sa bukur është shkruar, shqip pa gabime gjuhësore. Me numër protokolli, me të gjitha. Kurse sot, ka vendime gjyqësore ku s’dihet ku është presja dhe pika. Unë kam marrë disa procesverbale. Aty janë 17-18 vetë. Dy italianë nuk kanë pas punë me komunizmin.
Dy fshatarë që janë gjet të vrarë, diku andej nga kodrat e Saukut. A ka pas punë me Xhaferr Devën a s’ka pas punë me Xhaferr Devën?! Nuk dimë gja, tashti. Ata s’dihet si i kanë emrat. E Vërteta është kështu: Strategjia e Partisë Komuniste Jugosllave ka qenë shumë e qartë . Me fut vllavrasjen mes kosovarëve dhe shqiptarëve. Të rinjtë komunistë shqiptarë, nuk e kanë kuptuar atëherë. Se ishin 17-18 vjeça.
Serbët janë shumë më përpara se ne në këto punë. Vrasjen e parë e banë në Shkodër. Kanë vra Adem Boletinin, kolonel. Djali i Isa Boletinit. Ta vrasësh djalin e Isa Boletinit, një patriotit, që asht vra e shkatërru për Shqipninë. Ka shkuar e ka përshëndet vet ngritjen e Falmurit në Vlorë: me vonesë një fijet, por ka shkuar. Kyt e vranë në Shkodër? Kush e vrau? E vrau grupi komunist i Shkodrës. Ata që e kanë vra, ata që shtinë, ishin njerëz pa shkollë . Vrasjen e drejtoi Vasil Shanto.
Nuk është puna kush e ka vrarë. Është organizuar shumë bukur ai atentati. Sot, shoqatat malazeze, që janë këtu kërkojnë të kthejnë emnat e vet. Nuk e ka Shanto, e ka Shantovic. Vojo Kushi, nuk e ka Kushi. E ka Vojo Kushiç. Branko Kadija, e ka Branko Kadiç. Këta janë me orgjinë sllave. Ne e shofim që këta e kanë origjinën prej andej.
Këta kanë lujt lojën, politikën me dashje padashje të atyne. Më vonë,u vra dhe një këtu. Ministri i Kosovës. Këtu janë vra shumë, por të vritet djali i Isa Boletinit. Ça bënë Kosovarët? Erdhën në Shkodër me marr hak. Bile, atë natë që kanë ardhë këta, është vrarë nipi i Qark -Komandantit të Shkodrës, Shaban Zenelit. Ai ka hap dritaren a derën. Pse bani zhurmë? Pam pushkë! Se ata kishin ardhë për raprezalje. Është raporti si ndodhi.
-A ndërhyri kush?
Po. I ati i doktor Bekteshit. Nuk e kanë vra shkodranët tha, por komunistat. Pastaj vranë edhe Iljaz Agushin, ministri nga Kosova në Qeverinë e Regjencës. Një personalitet, një patriot që më 1912. Kur e ka vrarë, se duhet ta themi të vërtetën, aty ka qene me prefektin e Prizrenit, Lutfi Spahiu. Të ri rinjtë kosovarë hynin dhe dilnin. Të gjithë kosovarët komunista nuk e kanë bërë jetën e partisë në Kosovë.
-Në Serbi?
Jo, në Shqipëri. Ata e dinin po të fitonte komunizmi Kosova do rrinte nën Serbinë. Jetën partiake e kan ba në Shqipëri. Shumë janë vrarë dhe janë heronj të Shqipërisë. Këta janë vra në Shqipëri e jo në Kosovë. Se në Kosovë i kanë larguar. Ky qe e vrau ishte Bujar Hoxha, djali i Hoxha Kadrisë, patriotit ma të madh. Ai ishte mik i shtëpisë, hynte e dilte . Këtë e di mirë edhe Kristo Frashëri.
-Dhe nuk flet?
Kur don me ba histori, thuaji të gjitha. Akademikët, profesorat, që i kanë dal zot kësaj pune, jo ke qënë anëtar partije e jo s’ke qenë. Më ka heq Enver Hoxha, tërri- vërri, leni këto muhabete. E din kush e ka vra atë?
-Thuaje.
Për arsye se kur një atentator ka bërë një vrasje, ka marrë grada, ka marrë ofiqet e veta në parti. Dhe kur e ka shkruajtur aty, në biografi e ka shkruar që kam vrarë..Po kështu vazhduan këto vrasje. Të vrasësh Iljaz Agushin, të vrasësh djalin e Isa Boletinit. Atëhere? Shkuan dhe vranë edhe nipin e Xhaferr Devës. A deshtën me vra Xhafer Devën dhe vranë gabimisht nipin?
-Më 3 shkurt?
Dul artikulli ” Gjaku don gjak, terrori don terror! Tashti do flasim për disa kosovarë. Nuk e di si janë tashti, por ata kosovarët e para 40-ës kanë qenë shumë të rreptë. Se e kanë dit se ç’është liria. Nuk kanë pas të drejtë me ba oxhak, s’kanë pas të drejtë më ngrit flamurin. Në shtëpitë e tyre është vu kryqi serb. Tani, nuk falshin. Dhe si natyrë, janë më të fortë se na.
-Deva, ishte ndryshe?
Duhet ta pranojmë se kur Xhaferr Deva, erdh këtu, ka qene një person shumë i kulturuar.
-Kryetar i Lidhjes se II të Prizrenit.
Prit se po të tregoj një gja më të bukur. Kur erdhi, erdhi si dorë e fortë të kapte ata kosovarët që bënin jetën partiake këtu. E dinte se qeveritarët shqiptarë edhe mund të bënin ndonjë kompromis, ndonjë hile se ky është nipi im, apo ky i lagjes time, jo po nga qyteti im. Ai pat një batalion. Operacionet i kishte direkt. Ministri nuk pyeste për perfekt, për shefin e policies, por shkonte vet dhe zgjidhte çdo gjë. Në procesverbal janë lista e personave që janë terrorista. Dhe është e shkruar aty
-Lista i shkon Xhaferr Devës?
Po. Janë të skeduar. Se kur kanë bërë një akt, kanë hedh një trakt, filani vrau filanin. Shumica, nuk e kanë bërë jetën e partisë në qytetet e veta, por e kanë bërë në Tiranë.
-Vangjel Capo, Todi Shkurti, Rexhep Celiku, Sokrat Tako,… Koco, Vincenzo…
Këta, të gjithë janë skeduar me aktivitet terrorist
-Gjergj Legisi
Te Legisi, ndalu. Këta që the, janë të gjithë në aktivitet.
– Si terroristë, komunistë?
Aktivitet terrorist. Unë kam dokumente, përshëmbull: Isuf Alibali është komunist, s’është terrorist, të lirohet. Kurse ai Legisi. Nuk kanë pas punë me Legisin. Ai paske qenë prej Kthelle të Mirditës dhe paska punua teknik a marangoz
-I biri Frokut dhe i Diles..
Ka jetuar me një Bojka, Bojka .
-Paska pas bashkëjetime, në atë kohë?
A e ka pas grua? Bojka paska qenë kordinatorja mes partive komuniste
-Me jugosllavët?
Po. Këta kanë shkuar me kap Bojkën.
-Kanë gjet Legisin?
S’kanë gjet Bojkën dhe athere kanë vra kët, Legisin.
-Ka pas gisht Qamiz Mulleti ?
Kyt, e ka ba, direkt Xhaferr Deva si ministër, bashkë me grupin e tij si reprezalje, si terror për këto të tjerët. Qeveria e asaj kohe, të nesërmen, është bërë procesverbali.
-Ka pas reagime?
Kanë filluar informacionet nga policia, nga prokuroria. Është bërë grupi i prokurorëve nën Prokurorin e Përgjithshëm por dhe nën prokurorin e Durrësit.
-Prokuror është njëri me mbiemrin Gjini, është Prokuror i Shtetit.
Ku ka marrë të dhëna. Si është puna? Ku u gjetën këta të vrarë? Është diskutuar që në Sauk, paska qenë një repart ushtarak gjerman. Mos i kanë vrarë gjermanët?
-Është bërë hetim ndaj gjermanëve?
Trupat e këtyre të vrarëve janë çuar të gjithë në morgun e spitalit. Aty ka qenë një specialist Italian, ndihmësin e ke me emër, shqiptar. Kanë parë se janë vrarë prej armëve. Kanë marrë plumbat, i kanë treguar ato. Tash, mos janë plumbat e gjermanëve? Prefekti ka dhënë urdhër, me autorizm është aty, kontrolloni. Është verifikuar. S’ka pas plumba gjermanësh. Është vërtetuar katërcipërisht: Nuk kanë pas punë gjermanët me këtë punë.
-Nuk ishin plumba të armëve të gjermanëve?
Jo. Se po të kishin prek gjermanët, gjermanët bënin Borova, por nuk është punë gjermanësh kjo punë. Duhet me qenë të saktë. Është berë një komision i Bashkisë më në krye një nënkryetar të Bashkisë. Janë bërë çvarrimet.
-Pra, qenka marrë shumë seriozisht?
Lista është e plotë, e përcaktume.
-Sa të vrarë kanë qenë?
Nga Qeveria është quajtur “Ngjarje e Rëndë”. Mehdi Frashëri ka thirr Ministrin e Brendshëm, Xhaferr Devën. Dhe ka mbajt qëndrim. Duhet mos e pranuar këtë. Ka thanë: “Djal i mire, ata bëjnë terror. Unë që jam Regjenti i Shqipërisë nuk mund të bëj terror se ata janë shqiptarë.Ti kishe detyrë me i kap dhe me i cu në gjyq”. Në raportin final të Verhmatit gjerman, shkruhet se “një pjesë e Qeverisë nuk e kishin qef autoritetin e fortë të Xhaferr Devës, dhe iu bë qefi kur u thy.” Aty shkruhet se ” ai ishte i fortë, shume i rreptë, shumë i drejtë. I pakorruptueshëm dhe e detyruan që të ikte Xhaferr Deva.” Kur iku Xhaferr Deva filluan me lulëzu komunistët.
-Kur iku, pas 4 shkurtit?
Ma vonë. Iku, e la punën dhe shkoj në Kosovë. Lëvizja komuniste u zhvillua, biles filluan taksat te tregtarët.
-Gjobat?
100 napolona këtëj, 100 andej. Kjo është e vërteta historike.
-Sa të vrarë dali, 26 apo sa?
Gjermanët nuk janë përzier. Qeveria ka mbajt qëndrim. Kohë lufte ka qenë. Po ti kur vrave në 51-ish? Me Gjykatë tënden, Polici tënden. I vrave pa gjyq, pa gja. Kjo ishte 100 herë më e rëndë. Por kur vrave Postribën? Ke djeg fshatrat, ke vrarë njerëz të pafajshëm.
Tash, ka ti një libër Arben Puto. Se këta janë edhe alkdemikë dhe rrejnë. Në shumë paragrafe është kundër Shqipërisë. Këta, jo vetëm që duhet të thonë të vërtetën, por duhet të mbrojnë politikën shqiptare. Në faqen 225, thotë se janë vrarë 84 vetë, mbas nja 4 faqesh, thotë 86.
-A kanë botuar ndonjëherë listë me 84 vetë?
Unë, gjithmonë kam thënë” qisni listat, se s’kanë vdek ala njerëzit. Organizata për Dëshmorët e Luftës nxori një listë, në shkurt 2011. Dhe ka dhënë shifrën 42, kurse një organizatë tjetër dëshmorësh, ka dhënë shifrën 29. Organizata e Invalidëve të Luftës jep shifrën 30. Prokuroria e Shtetit, e 44-ës ka dhënë 14 të vrarë. Le të themi se Prokuroria e Shtetit e ka mbrojtur Xhaferr Devën. Po supozojmë se s’ka pas lidhje me Xhaferr Devën. Nuk kanë marrë prokurorin e Tiranës, kanë marrë prokurorin e Durrësit.
Kaq të mençëm kanë qenë. Po kapim të parin: Ali Visha. Alia Visha ka qenë një djal trim, komunist,atentator, futbollist. Ky nuk është vrarë më 4 shkurt. Ky është kap përpara, se ky akuzohet se ka vrarë Azis Çamin. Azis Çami, ai që i ka bërë atentat Zogut, ose një nga komandatët që ka marrë Himarën më 1920, që e thotë Petro Marko. Se e kishin grekët atje. Kishte ardhur anija luftarake në Himarë. Kur u vra Lepenica, po shkonte komandant i Forcave të Ballit për Jugun. Duke shkuar në shtëpi, si ka qenë zakon me hy në ndo një furrë më marr ndonjë simite. Furrtari i ka thënë e di kush ka qenë ai? Ky ka dal dhe e ka vra. Ky ishte një nga shokët më të ngushtë të Qazim Mulletit
– Kanë qenë bashkë të atentati kundër Zogut
Po. Kishte marrë pjesë në ngjarjet e 1920-ës. Në Kongresin e Lushnjës, në Luftën e Vlorës. Tash e gjetën kush e ka vra edhe e kapën Ali Vishën. Atë dhe disa të tjerë. Këtë histori ma ka treguar një i Sigurimit, Rrjolli, në vitin 1966 në Lezhë. Gjatë kësaj kohe skuadra e futbollit e Tiranës luanin me skuadrat italiane dhe gjermane. Unë kam sjellë një dokument zyrtar. Gjermanët kishit luajtur me shqiptarët. Një muaj para se me hy komunistat në Tiranë. Fusha e Shallvareve.
Mbrapa është Hotel “Dajti”, dhe duke nderuar me nderimin e Zogut, se Regjenca ishte Mbretnia. Legjislacioni ishte i Zogut në kohën e gjermanëve. Djali i xhajës tem, Reshit Mulleti, djali i Qazim Mulletit kishte mësues fizkulture Adem Karapicin, trajner futbolli. Ai thotë du nëj takim me babën. Shiti ma ka thënë: “Unë shkoj i them babës se të don profesori Ademi. Mos kë bërë ndonjë gjë? Mos ke ba ndoj sherr atje në shkollë? Thuj në filan ditë, në filan orë. Unë e shoqnova vetë, thotë.
Ça ishte problem? Problemi, i thotë ai, babës së Shiti, prefektit, “e di si është puna. Ne do luajmë me gjermanët. Herën e parë kemi dalë barazim. Ata e kanë përforcuar ekipin dhe kanë marrë portierin e “Bajernit” të Munihut, që është ushtar në Sofje, e kanë sjellë në Tiranë. Tashti, ne kemi nja 3 lojtarë që ju i keni fut në burg.
-Të arrestuar?
Të arrestuar. Po, thotë, Kush janë ata? Për këtë të parin, i ka thënë, është terrorist.
-Për Ali Vishën?
Po. Ali Visha ishte një nga futbollistët më të mire që ishte në formacion. Këtë nuk mund ta liroj, i thotë, se ka ba terror ka vra. Po, si? I thotë, Ademi? Nipin e Biçakut keni ba komunist. Vafsi Bicaku. Pse, sipas teje, nuk është komunist? i thotë, Qzimi. Jo! A, mirë. I Bjen ziles, i thotë atij të policisë ma bjen dosjen e atij.
Vafsi Biçaku në foto me grusht në çetë. Po tash kjo profesor? Po çuditem, thotë profesori. Nipi i kryeministrit, kishte shku atje. I Aqif Pash Elbasanit. Ky mbas 45-ës luajti me “Partizanin”. Po ky i treti? Këtë po ta jap, mere. Dhe hynë në formacion. Kanë luajtur. Dhe ne i kemi mundur gjermanet 6 me 2. Diçitura e fotos është Dërmimi i Vermahtit.
-Është më 16 nëntor 1944
Dokument zyrtar. Ali Visha është vra, por nuk është vra për 4 shkurtin. Këta qesin se atentator i 4 shkurti është edhe Osman Kazazi. Këta veteranët ngatërrojnë kur thonë se Osman Kazazi ka vra vëllezërit Huta. Këta s’e dinë se Kazazi i ka kushërinj Hutat. Familja Huta nga viti 90 e ca, qiti një deklaratë se kjo nuk është e vërtetë.
I kanë vra ata të Xhaferr Devës. Pra ndyjnë dhe figurën e Osman Kazazit. Paska qenë kaq i fortë Osman Kazazi me shku te Xhaferr Deva. Kush është Xhafere Deva e kush është Osman Kazazi, në atë kohë. Kush jana të vrarët? Si e kena zakon ne çojmë emra. Ketu janë janë disa emra grashë, femnash. Tashti, dreqi ta hajë, femnat s’kanë pas punë hiç me të, se karakteri i shqiptarit nuk ka pasë punë me femnat. Gjoja, i paskan vra këto. Këta marrin listat e njerëzve që janë vra nga bombardimi anglez në 1943 kur kapitulloi Italia.
Ndërhynë anglezët dhe bombaruan deri te rruga e Kavajës. Kanë ardh deri në qendër dhe kanë bombaruar. Edhe janë vra 55 vetë. Dihen emrat, se është bërë raporti. Mund të jenë 30-40 sakata. Këta, emrat e tyre, shkojnë e i fusin te lista e 4 shkurtit. Ata janë gja tjetër.
-Janë viktima, jo dëshmorë.
Janë viktima të luftës. Në atë kohë u tha që i kanë vra gjermanët, bombardimi gjerman. Këta kishin fotografuar aeroplanët. Aeroplanët dulën anglezë. Vonë, pastaj anglezët kërkuan falje.
-E pranuan?
Po, është bërë gabimisht. Po gabimisht deri në qendër të Tiranës?! Jana vra 55 vetë. Njerëzit duhet pyet se janë gjallë familjarët. Po tha dikush se ky ose kjo është vrarë të rruga e kavajës, po pse nuk është të raporti kohës? Pra duhet sqaruar. Dihet lista kur janë çregjistruar në Gjendjen Civile. Se ka punuar jashtëzakonisht në rregull Gjendja Civile asokohe. Së paku për Tiranasit. Cojlet, Hutat, po, janë vra. Këta ishin bazat e luftës, por pastaj i vrau dhe i shkatërroi Enver Hoxha.
Këta i shitshsin mend Enver Hoxhës. Ça ke ba ti mër? Ti ke ndejt në shtëpi e ne na vranë. Këta kujtonin se e kishin fituar ata luftën. Nuk e dinin se ishin bërë gati për me hy në furrë. Më e bukur është parakalimi i tij më 28 nëntor, Enveri me bark të madh. Shife në foto Mehmet Shehun dhe të tjerë, të dobët, Enveri me bark. Mali s’ka bark, po ke luftuar në mal s’ke bark. Falsifikimi vazhdon. Rasti i general Dejvisit.
Nuk e kanë kap ballistat, si thotë Arben Puto. Gjenerali e kuptoi se kush është Enver Hoxha. Andej nga malet e Librazhdit, është e provuar historikisht, dokumentarisht me Gjyq Ndërkombëtar, se u rrethua shtabi kryesor dhe s’kishin rriugë tjetër vetëm më iu ngit malit atje. Në atë zonë fshtarët i kanë thënë mos hyni këtej se s’duan trazira se na prishen pronat. Dejvis është plagos, Shtabi e ka lanë Dejvisin e plagosur dhe kanë ikur.
-Pra,ikën partizanët?
Po ikën, Enver Hoxha më të tanët. Kur e kanë kap fshatarët, që luftuan kundër shtabit, nuk e kanë dit se kush është gjenerali. Ai iu ka thënë më dorëzoni te gjermanët. Kan shku në Elbasan . Ibrahim Biçaku ishte kryeministër. Ka thënë: Bjereni shpejt këtu. Ça kemi heq me e çuar me mushka, tregojnë. E ka dorëzuar në Hotel “Dajti”. Dy doktora gjermanë i shpëtuan këmbën.
Ai vetë tha: “Më dorëzoni të gjermanët”, se e pa se ky (Enveri) don ta vrasë. Gjermanët e ndërruan, si është zakoni i luftës. Mbas 1945, Azis Biçaku me djalin kanë ikë. Enver Hoxha e vë në listë si terrorist se ky ka vra filanin. Ai kishte ruajtur pusullën e Dejvisit. E kanë kap në Turqi. Hajde në gjyq. Ai iu ka thënë: A është gjallë Dejvis? Ma bini këtu. Djali i tij ka vdek në Bruksel, nipi i tij ka bërë 40 vjet internim. Dejvis e ka pranuar në gjyq se iu ka kërkuar ta dorëzonin te gjermanët.
-E di e kam pas në “Fokus”
Iliri, po ka qenë këtu. Iliri e ka thën këtu te ju se kjo është e vërteta. Këta kanë rrejt kaq bukur, sa që i besojnë edhe rrenave.
-Shtypi i majtë..
Po. Sot historia don dokumenta, don fakte.
-Xhaferr Devën si duhet ta shohin shqiptarët, si hero apo si kriminel?
Në kohë lufte, kalohen edhe kopetencat, gjaknat e nxehta. Ça ka bërë për Shqipninë, për Kosovën? Dihet që kryetari i parë i Bashkisë së Mitrovicës, është Xhaferr Deva. Në kohët kur Mitrovica ishte me serbët. Në kohën e gjermanëve, ky luajti kaq bukur, se duhet të dini se edhe kur u bashkua Shqipëria me Kosovën, Mitrovica ka pas status të veçantë. Ka rrezik se ai statut po bahet prapë. Me statusin gjerman, unë e kam at status, thuhet kryetari do jetë shqiptar, nënkryetari serb. Bënë raprezalje të madhe serbët kundër shqiptarëve. I dualën zot gjermanët shqiptarëve. Kur ranë serbët, deshën më ba raprezalje shqiptarët, por ndërhynë gjermanët dhe nuk i lanë. Deva ka bërë një aktivitet të jashtëzakonshëm për Shqipërinë me Krasniqin, i cili ka qenë ministër i arsimit.
-Lidhja e II e Prizrenit
Dikush thotë se s’ka as shkollë. Kam një libër të Rexhep Krasniqit, Idriz Lamaj dhe Ago Agaj dhe Zek Zeka. Kujtimet e tyre. Shkruhet për 4 shkurtin. Deva ka mbaruar Robert “kolezhin” e Stambollit, pastaj ka punuar në bankën e Egjiptit. Nga aty ka shkuar në Vienë. Ka mbaruar inxhinjerinë. Din mbi 6 gjuhë të huaja. Arben Puto gabon. Si ikën këta “kriminelat” në SHBA? Kjo është pyetja për Puton në një gazetë. Ai thotë se kanë ndenj fshehtas si gjeneralët e Hitlerit.
-Jo! Ai ka qenë në Kaliforni, në Universitet.
Profesor në Kaliforni, në Santa Fe. Martuar me një kanadeze. Ka pas një vajzë. Ajo e martuar. Kryetar i Lidhjes së II të Prizrenit
-Pra kjo e bën shqiptar të madh.
Absolut . Kur ka vdek, kush ka marrë pjesë? Vehbi Ismjali, kryemyftiu shqiptar, ka fol shqip në varrim. Ka fol një prift, shok i universitetit. Një senator ka fol aty. Shumica kanë fol anglisht. Ma e bukra është,se mbas vdekjse së tij, ky ka emrin te muri i bardhë i hebrejve në Uashington, jo në Izrael. Ai ka shpëtuar hebrenjtë nga Kosova. Ata hebrenjtë që ishin gjallë, një Jakov dhe një tjetër, kanë ndërhyrë atje dhe i kanë vu emërin, Devës dhe atij Currit. Ne duhet të nderohemi me këtë. E ka ba kët ( 4 shkurtin), por mos i mohoi të tjerat. Këta s’kanë qenë oficera nazistë, kanë bashkëpunuar.
-E nderojnë në Kosovë? A ka ndonjë emër rruge?
Atje po, Unë kam pa në Kosovë rruga Mustafa Kruja. Ernest Koliqit, Patër Anton Arapit, i kanë vu emrat. Se ata i dini vlerat e tyre.