Filmi i regjisorit grek, Thanasis Sarantos, “Maria”, prezantohet në Festivalin e Filmit që po mbahet në Pogradec/ Nikolla Llambo tregon përvojën e tij në këtë film. Nga aksidenti që desh i kushtoi jetën ditën e parë të xhirimeve te karakteri i rolit të tij
Engjëll Serjani
Aktorin gjirokastrit, Nikolla Llambro, që prej vitesh jeton dhe zhvillon jetën dhe krijimtarinë artistike në Greqi, në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë e ka sjellë roli i Janit në filmin artistik “Maria” të regjisorit grek Thanasis Sarantos. Filmi “Maria” u shfaq në paraditen e ditës së tretë të festivalit dhe tërhoqi interesimin e kineastëve, regjisorëve dhe aktorëve ç themi në ngkëtë film ka qenë e veçantë për N. Llambron,sepse në jetën e tij artistike shënon një pjesëmarrje të ekuilibruar të tij në filmat shqiptarë dhe grekë, pasi është filmi i tetë debutues në kinematografinë greke, kundrejt po kaq filmave të interpretuar edhe në kinematografinë shqiptare.
Në këtë kuptim, Nikolla Llambro është një krijues e aktor me profil dhe shpirt të spikatur prej ballkanasi të vërtetë, e që pikërisht për këtë veçantësi, pjesëmarrja e tij në Festivalin e Katërt Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë tingëllon tepër e përputhur me idenë e organizatorëve. Vazhdojmë më tej bashkëbisedimin me “ballkanasin e së ardhmes” duke folur jo vetëm për rolin, por edhe për krijimtarinë e tij artistike në përgjithësi. Nikolla vlerëson jo vetëm rolin, por dhe bashkëpunimin me regjisorin dhe aktorët e tjerë në film. Autori i filmit Thanasis Sarantos, regjisor dhe aktor njëkohësit, është i njohur në botën kinematografike ballkanike për realizimin e filmave artistikë “Bluzat e bardha” dhe “Unaza” dhe një sërë realizimesh të tjera në teatër.
Vizioni i tij në krijimtari është bashkëjetesa. Për publikun, Nikolla Llambro është i njohur në rolet si partizani Gaqo në filmin “Nata e parë e lirisë”, apo roli i Zeman Mashkullorës në filmin “Liri a vdekje”, rolin e Mato Grudës në dramën “Njeriu me top”, shoferin e dy artistëve në “Koncert në vitin 1936”, si dhe role të tjerë në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Lidhur me filmin “Maria”, Llambro thotë se xhirimet e tij lidhen edhe me një histori personale, pasi që në ditën e parë të xhirimit ai është aksidentuar dhe i është rrezikuar seriozisht jeta. “Xhirimet e filmit janë kryer në një ishull të thatë dhe pak të banuar, Tilio, që quhet ndryshe edhe ‘ishulli i elefantëve’, pasi në një shpellë të ishullit, arkeologët kanë zbuluar fosile të skeleteve të elefantëve. Xhirimet janë zhvilluar në një terren të thyer dhe shkëmbor.
Që në ditën e parë, kur po xhirohej plani i episodit të parë kur një anije piratësh përplaset në brigjet shkëmbore të ishullit, befas duke vrapuar për të parë katastrofën, rrëzohem dhe dëmtohem në gishtin e dorës së djathtë dhe në këmbën e majtë. Dëmtimi ishte i rëndë, por gjithsesi nuk ishte asgjë përpara mundësisë për të rënë nga një lartësi shkëmbore prej 300 metrave nga ku nuk do të më mbetej “as nam e as nishan”, siç themi ne nga Gjirokastra”. Ai tregon më tej rreth këtij aksidenti, se producentët e filmit kishin si rekuizitë të filmit disa çizme lëkure të modelit që përdoreshin nga vendasit të vitit 1522, kohë në të cilën shtrihen ngjarjet e filmit. “Çizmet ishin të mëdha, numër 52, ndërkohë numri i këmbës time është vetëm 39, kështu që për këtë shkak, lëvizja me vështirësi dhe u rrëzova.
Shpëtova për mrekulli, kur mendoj se vetëm disa centimetra më tej ishte një humnerë rreth 300 metrash pingul mbi bregun e detit. Pas mjekimit vazhdova xhirimet, duke i mbathur çizmet e rolit sipër atleteve”, tregon ai. Lidhur me përmbajtjen e filmit, aktori Nikolla Llambro që jeton dhe krijon njëkohësisht në dy shtete, Greqi dhe Shqipëri, thotë se bëhet fjalë për një film artistik dhe historik që e merr narracionin filmik nga ngjarjet tragjike të përplasjes së banorëve ishullorë të Egjeut dhe Jonit me grupet grabitqare të piratëve të detit. “Në qendër është personazhi i Maries, gruaja e Janit (rolin e të cilit unë interpretoj), një ishullore trime që nuk mundi të bënte fëmijë me bashkëshortin, një njeri gjysmë i egër, por që pasi bie në dashuri me piratin Ali, ajo mban në bark fëmijën e tij, paçka që koka e prerë nga i shoqi ani e piratit Ali i vendoset në tryezë.Histori ballkanike, histori nga ky truall që prodhon vazhdimisht e veçanërisht histori tragjike”, rrëfen Llambro.
Aktori na tregon se krijimtaria në teatër dhe kinematografi i ka dhuruar shumë kënaqësi e kujtime, mandej ai vlerëson jo pak atë prodhimtari artistike para viteve ‘90, që siç thotë dhe vetë ishte një krijimtari që tej propagandës prekte anë të ndjeshme të historisë dhe realitetit shqiptar. Aktori Nikolla Llambro kujton sot debutimin e parë në skenën teatrore në Gjirokastër, në vitin 1974, me rolin e tellallit në dramën “Kohë lufte”. “Fillimi ka qenë i vështirë, – thotë ai, – por në atë kohë kishte dhe burokraci, sepse ne aktorëve të ‘provincës’ nuk na linin të largoheshim nga Teatri i Gjirokastrës për të interpretuar në filma të kinostudios. Pavarësisht nga këto pengesa, karriera e tij artistike vijoi më tej me dhjetëra role, personazhe nga më të ndryshmet në drama dhe komedi, vepra të autorëve shqiptarë, grekë, por dhe të tjerë klasikë dhe bashkëkohorë.
Për herë të fundit në kinemanë shqiptare ka debutuar me një rol pensionisti që ia besoi regjisori Robert Budina në filmin “Agon”. “Aty interpretoj një pensionist me mentalitetin e tij, strikt, në pozitë të përhershme komanduese, që nuk duron dot që të hyjë në shtëpi një i huaj. Filmi “Agon” sjell një mesazh shumë të madh, atë të emigrimit dhe integrimit. Filmi është xhiruar në Shqipëri dhe në Selanik të Greqisë me një bashkëpunim të shkëlqyer aktorësh grekë e shqiptarë. Si aktor në Teatrin e Gjirokastrës ai ruan shumë kujtime. “Më vjen shumë keq që sot, ai teatër, ajo trupë e mrekullueshme është në atë gjendje. Përgjithësisht, trupat teatrore të rretheve janë në asimilim e sipër sepse nuk kanë atë jetën e dikurshme artistike, prandaj brenda meje ka një brengë, një protestë për këtë braktisje katastrofale.
Nga këto teatro kanë qenë tempuj të vërtetë të artit, prej nga kanë dalë yje të kinematografisë dhe artit shqiptar, ballkanik dhe europian. Më dhemb në shpirt kur mësoj se është duke u tretur Teatri i Gjirokastrës, sepse nuk ka financim, nuk u jepet financime as për dekorin e shfaqjes, lëre pastaj për shpërblimet e aktorëve. Duke përfunduar bashkëbisedimin tonë këtu buzë liqenit të Ohrit në Pogradec, aktori gjirokastrit, Nikolla Llambro, shprehet se si artist ndihet mjaft i privilegjuar që krijimtaria e tij shtrihet në dy vende ballkanike, sepse kjo gjë, sipas tij, për një krijues është një avantazh pasi krijon mundësi të pakufishme për të thithur “nektarin” e vlerave të trashëgimisë dhe realitetit të këtyre popujve ballkanikë me pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore dhe historike./gazeeta-shqip.com/