Nikoll Lesi mendon se Ilir Meta po goditet politikisht.
Sipas tij, SPAK nisi hetimet ndaj Metës, për shkak se ai do kandidojë për Bashkinë e Tiranës.
Shkrimi i Lesit
Dje, krejt papritur, kur akoma nuk kishte mbushur një muaj nga ikja si President Republike, SPAK-u nxitoi të hetonte një akuzë të një ish-deputeti të PS ndaj Ilir Metës.
Arben Kraja kishte firmosur shkresa me vrap drejtuar KQZ e disa institucioneve, sikurse mësohet, edhe gjendjes civile që Ilir Meta a është Ilir Meta!
Përballë Ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë-kjo aksiomë dihet teorikisht, por realisht nuk po funksionon kështu sepse qeverija është përherë problemi e jo ish-qeverisjet. E mira do të ishte që Sali Berishën dhe Ilir Metën ti kishte hetuar drejtësia sa ishin në “majë kalit”.
Tani na thonë se “kemi drejtësi të re”. Dakort! Eshtë drejtësi e re, por jo krejt e pavarur nga qeveria apo më saktë nga pushteti.
Deri tani SPAK-u ka ndaluar, pra arrestuar vetëm dy politikanë. Një ish-ministër dhe një ish-deputet, por të dy ndonëse Edi Rama i shet si të PS-së, por realisht ishin të LSI, partisë së Ilir Metës.
Nuk kemi asnjë deputet apo ministër të Edi Ramës në pranga.
Ndërkohë kryeministri i shet këto arrestime me shumë dinakeri, duke thënë se gjoja po na sulmon vetëm ne, SPAK-u. Por në të vertetë asnjë nuk janë realisht të PS. Nëse SPAK-u do të ishte i lirë do të kishte arrestuar ministra apo ish-ministra që janë të Rilindjes.
Të gjithë sa janë ndaluar apo po hetohen janë vetëm të partisë së ish-presidentit Meta.
Nuk kemi asnjë hall apo dëshirë të mbrojmë Ilir Metën. Aspak! Bile kam kohë që nuk flas me Ilir Metën (vetëm për qëndrimet e tij antiSHBA), por kush don ta dijë e di mirë në qeveri se kemi “ura” të ndara me të. Gjithsesi këtë hetim që na shitet si gjoja drejtësi, nuk mund ta gëlltisë.
Eshtë thjesht një hakmarrje e mirëfilltë politike nga qeveria.
Ndërkohë Ilir Meta ndodhet tashmë nën hetim. Ai të mbrohet vetë, por populli nuk mund të mashtrohet se “ja, nga PS-ja kemi bërë arrestime, e tani do merremi me ata të opozitës”.
Ndaj hetimi që ka nisur SPAK-u duket mirëfilli politik dhe në sherbim të kryeministrit. Më saktë ky hetim penal nga Metës shkon kryekëput në favor të Erion Veliajt.
Veliaj, siç dihet, do të rikandidojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kryebashkiak. Por Erion Veliaj nuk ka pse të priste ndëshkimin e Ilir Metës nga SPAK-u në mënyrë që ta fitojë Bashkinë e Tiranës pa probleme. Ilir Meta duket se është projektuar si kandidat i opozitës në Bashkinë e Tiranës. Edhe për faktin se nuk ka asnjë emër tjetër opozita që të jetë lojtar kaq i fortë përballë Veliajt.
Ndërfutja e SPAK-ut në këtë duel mes tyre, krijon shije të keqe të “drejtësia e re”. Erion Veliaj nuk kishte asnjë nevojë të fuste (apo t’ia fusnin) SPAK-un në punë, pasi duket se e ka të fituar prapë bashkinë e Tiranës.
Erion Veliaj mund të akuzohet për shumë gjëra, porse për një gjë nuk të mos thuhet se KA PUNUAR në Tiranë. Për mua Erion Veliaj e ka të fituar Bashkinë e kryeqytetit për shumë arësye, por nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Veliaj fiton se kemi edhe një PD akoma të copëtuar në Tiranë e ku fraksioni Basha-Alibeaj, Tabaku janë të fortë në kryeqytet.
Ndaj nuk kishte pse hynte SPAK-u në një duel elektoral Veliaj-Meta.